Skandali/ Veliaj, tjetër tender pa garë 9,3 milionë lekë kompanisë “Fusha”

Tenderi me vlerë 93 milionë lekë iu dha kompanisë në fund të marsit nga Bashkia e Tiranës. Kjo është kontrata e 43-të për kompaninë e cila mban rekordin për përfitimet që ka marrë në kryeqytet. Kompania “Fusha sh.p.k”, e lakuar për numrin e madh të tenderëve që ka përfituar gjatë 4 viteve të fundit, por edhe për lidhjet e forta  të saj me bashkinë e Tiranës dhe qeverinë, ka përfituar një tjetër tender pa garë në vlerën e 9,3 milionë lekëve. Bëhet fjalë për shërbimin e pastrimit të terminaleve të Tiranës.

Me këtë tender, ku nuk u paraqit asnjë konkurrent tjetër, dhe oferta ekonomike e Fushës ishte 9.2 milionë lekë, kompanisë iu hap rruga për të marrë kontratën nr. 43 publike, duke përfituar në total 4.1 miliardë lekë, si operator i vetëm, pa llogaritur të tjerat që janë fituar me bashkimin e shoqërive. Vetëm në bashkinë e Tiranës, firma e cila zotërohet nga Shkëlqim Fusha ka fituar 35 kontrata, që nga ndërtimi i sheshit Skënderbej, pastrimin e pjesës perëndimore të kryeqytetit, urës së Menikut etj. Jo drejtpërdrejt, kompania u bë objekt sulmi gjatë përplasjeve dhe protestave të zgjatura për ndërtimin e godinës së re në themelet e Teatrit Kombëtar.

Në tenderin e radhës, kompania me tagrin që i jep bashkia do të marrë përsipër pastrimin e 52,454.00 m², sipërfaqe kjo e terminaleve nën dhe mbitokësore. “Shërbimi i fshirjes me krahë e shesheve dhe terminaleve do të realizohet me krahë 4 herë në javë nga Operatori i Shërbimit, i cili gjithashtu do të kryejë dhe të gjitha shërbimet e tjera mbështetëse të parashikuara në metodologji për të gjitha sipërfaqet e përcaktuara që janë parashikuar në listën e shesheve dhe terminaleve me volumet e tyre për shërbimin e fshirjes”, thuhet në dokumentin specifik të kontratës, ndërsa shërbimi do të do të mbyllet në 31 dhjetor të këtij viti.

Ndërkohë, operatorit i vendosen dhe kushte për këtë shërbim, por që me shumë gjasë ato do të plotësohen, të paktën parimisht.  “Për asnjë rast nuk do të lejohen sheshe dhe terminale të papastruara apo mbeturina të pa larguara në to. Në të gjitha rastet kur evidentohen bllokime apo pengesa nga faktorë të jashtëm të cilat nuk mund të pastrohen me operacionet e parashikuara në metodologji, operatori i shërbimit duhet të njoftojë menjëherë dhe të marrë masa për pastrimin e tyre jo më vonë se 3 orë nga orari i përfundimit të shërbimit, i përcaktuar në grafik. b.

Operatori i shërbimit detyrimisht duhet të ketë çdo ditë në punë minimalisht numrin e punëtorëve dhe pajisjeve sipas numrit të deklaruar në ofertën e tenderit për të garantuar kryerjen me cilësi dhe në kohë të shërbimit. c. Për raste të veçanta operatori i shërbimit është i detyruar të fshijë sheshet dhe terminalet më shumë se një herë pa shpenzime”, janë këto kushtet për kompaninë, e cila e fitoi tenderin pa asnjë problem.

Tenderët pa garë faksmile

Historiku i dokumenteve të viteve të fundit, nxjerr në pah shkeljet e Bashkisë së Tiranës, e cila nuk ka hapur garë për tenderin e pastrimit të pjesës perëndimore (330 milionë lekë) dhe ndërtimin e këmbëve të urës Menik (154 milionë lekë). Zyrtarët e bashkisë kanë negociuar direkt me firmën Fusha Sh.p.k. Skandali thellohet edhe më tej, pasi as njoftimet e shpalljes së dy tenderëve, nuk janë publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, një detyrim ligjor ky për të qenë transparentë për fondet publike. Kjo rrëzon përtokë edhe çmimin fals të fituar nga Bashkia e Tiranës, ku vlerësohej për transparencë ndaj publiku.

Pastrimi i Tiranës

Në tetor 2017, në një nga buletinet e Agjencisë së Prokurimit Publik, u publikua fituesi i tenderit për pastrimin e qytetit të Tiranës (një nga lotët). Sipas dokumenteve, Bashkia e Tiranës kishte realizuar procedurën e prokurimit “Procedurë me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”. Objekti i prokurimit ishte pastrimi i pjesës perëndimore numër 2 të qytetit të Tiranës”, ku vlera totale e kontratës, duke përfshirë lotet opsionet dhe nënkontraktimin, shkonte në 33.026.076 lekë me TVSH.

Bashkia njoftonte se lidhi kontratë me firmën Fusha sh.p.k, me adresë në Sauk, Tiranë. Në dokument thuhet se, në e rastin e përdorimit të procedurës së prokurimit “negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontrates”, firma duhet të plotësojë edhe disa të dhëna. Megjithatë, kjo procedurë, pra negocim pa shpallje, sipas ligjit të prokurimit, bëhet në disa raste tepër të veçanta ose emergjente, kur ka zjarre apo tërmete. Po ashtu, ka edhe një tjetër prokurim ku nuk është bërë garë, por i janë dhënë lekët firmës së preferuar të Bashkisë.

Sipas të dhënave, Bashkia e Tiranës hapi sërish procedurën me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës për tenderin “Ndërtimi i këmbëve të Urës Menik mbi lumin Erzen”. Vlera totale e përfundimit të kontratës është 15,405, 521 lekë me TVSH. Përfituesi ishte sërish firma Fusha Sh.p.k. Pra, edhe kësaj herë, nuk u bë tender, por vetëm është negociuar çmimi!

Bilancet

Fusha Sh.p.k, është kompani e vjetër në fushën e ndërtimit, dhe operon në treg që në vitin 1994, por bilancet e saj në prokurimet publike janë rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Nëse hedhim një vështrim te historiku i pagesave nga Thesari i Shtetit, nëse në vitin 2012-2013 ato kanë qenë në vlerën e 1.27 miliardë lekëve, në vitet 2015-2017, për llogari të kompanisë janë transferuar 3.8 miliardë lekë.

Përgjatë këtyre viteve, Fusha Sh.p.k arriti të fitojë të 3 tenderët për ndërtimin e sheshit “Skëndërbej”, me vlerë totale 12.6 milionë euro. Ndryshe nga tenderët e publikuar, për sheshin e kryeqytetit u zhvillua një garë, por “mungonin” konkurrentët përballë Fusha Sh.p.k. Kompania rezulton fituese edhe në një sërë tenderësh nga qeveria qendrore, mes tyre edhe Rikonstruksionin e Ministrisë së Brendshme, dy tunele të mëdha nëntokësore në Durrës etj.

Ja si renditen kompanitë në prokurime

Tenderët më të rëndësishëm në 61 bashki në Shqipëri vërtiten rreth kompanive më të fuqishme, por garën mes tyre e kryeson Fusha sh.p.k. Sipas vlerës së kontratave të fituara në prokurime publike, renditen 50 subjekte ekonomike, të cilat në tre vitet e fundit kanë marrë vlerën më të lartë të tenderëve nga Bashkitë. Të dhënat përkojnë me tërësinë e kontratave të dala nga procesi i prokurimit publik për periudhën korrik 2015 – dhjetor 2018. Në këtë hark kohor, operatorët apo bizneset me vlerë më të lartë të kontratave të fituara në tenderime nga bashkitë janë operatorët: Fusha shpk; GPG Company shpk; Salillari shpk; Alko-Impex General Constuction shpk; Vëllezërit Hysa shpk, Victoria Invest shpk etj. Renditja kryesohet nga Fusha shpk, një shoqëri e cila në tenderët ku ka konkurruar si e vetme dhe jo në bashkim operatorësh me një shoqëri tjetër, shënon 40 raste (kontrata fillestare dhe shtesa) ku është njoftuar fituese.

Vlera të ofertave të saj, si oferta të shpallura fituese është 3 782 488 740 lekë. Kontratat e saj kjo shoqëri biznesi i ka fituar në tenderime në 3 bashki të ndryshme. Konkretisht me bashkinë Vorë janë gjashtë kontrata; me Bashkinë Tiranë janë 32 kontrata (sot 35) dhe Bashkinë Roskovec dy kontrata. Fusha sh.p.k shfaqet e suksesshme edhe në rastet kur ka konkurruar si bashkim operatorësh me subjekte të tjera, pra rastet kur dy operatorë paraqiten si një ofertues në tender. Firma Fusha sh.p.k ka bashkëpunuar dhe fituar tenderë në bashkëpunim me të paktën dhjetë shoqëri të tjera biznesi.

Subjekte biznesi që kanë funksionuar si operator (ofertues) në bashkëpunim me shoqërinë Fusha shpk janë : Alba Konstruction shpk; Gjoka Konstruction; ED Konstruksion; Hostoci Shpk; Besta shpk; Everest Shpk; Colombo shpk; Totila; ArkonStudion; Green Farm. Vendi i dytë pasohet në renditje nga shoqëria G.P.G Company shpk. Kjo shoqëri ka 22 kontrata, të cilat i ka fituar e vetme. Salillari është numri tre në renditje sipas vlerave të kontratave të fituara tenderime me Bashki. Kjo shoqëri ka fituar si subjekt pa bashkëpunime me subjekte ekonomike të tjera, një numër prej 19 kontratash.

/Gazeta Shekulli/

fusha

Artikulli paraprakBasha: Ne e kemi bërë zgjedhjen tonë, me njerëzit kundër një qeverie-bandë dhe kryehajdutit të saj
Artikulli tjetërIsh-dekani përfundon me 8 qepje në spital, pas dhunës barbare