Skandali me tenderin 280 milionë lekë të Postës

Posta Shqiptare hapi pak kohë më parë procedurën “Shërbimi i ruajtjes së objekteve dhe personelit me roje të kategorisë 1.3.A” që ishte e ndarë në të paktën me 12 lote dhe me një fond limit mbi 28 milionë lekë. Por duket se, kjo procedurë është kthyer në një mollë sherri që rrezikon të “kthejë” përmbys procedurën në tërësi, pasi në harkun e 10 ditëve janë bërë të paktën 30 ankimime nga ana e shoqërive të ndryshme që ofrojnë sigurinë fizike dhe shoqërimin e vlerave monetare.
Komisioni i Prokurimit Publik ka regjistruar të gjitha kërkesat e bëra nga kompanitë, ku secila ka pasur pretendime për njërin apo tjetrin lot, duke mos rënë dakord me vendimin e marrë nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave të Postës Shqiptare.
Në raste të tilla, sipas ligjit të prokurimit publik nga ana e Komisionit mund të lejohet vazhdimi i lidhjes së kontratave dhe paralelisht të vijohet me shqyrtimin e ankimimeve ose mund të pezullohet procedura deri në dhënien e një vendimi.
Përgjithësisht procedurat e shërbimit me roje private janë kthyer në një “mollë sherri”, i cili ndodh prej të paktën dy vitesh dhe pavarësisht rekomandimeve të nxjerra nga Agjencia e Prokurimit apo Komisioni, ato vijojnë të mbeten problematike.
Situata nuk duket e favorshme për Postën Shqiptare në kushtet, kur është aktiv edhe tenderi tjetër me objekt “Shoqërimi dhe ruajtja e vlerave monetare me roje të kategorisë 1.3.B”, që u lë afat kompanive të dorëzojnë ofertat deri më 4 dhjetor. Fondi limit për këtë procedurë është mbi 70 milionë lekë. Edhe në këtë rast, prokurimi bëhet për 12 lote, duke përfshirë të gjitha qarqet në vend nga Shkodra në Korçë.

 

Artikulli paraprakRaporti: Ekonomia shqiptare me rrezikshmëri të lartë
Artikulli tjetërBulqizë, 550 mijë euro dhe dy tendera fiktivë “asfiksuan” 60 nxënës