Skandali në Elbasan! Armë të rënda në tunelin e tregut

Ish-ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj deklaroi mbrëmë gjatë një emisioni në News24 se, në tregun ushqimor të Elbasanit, ku ndodhi sulmi, ka tunele ku banda ka fshehur armatime të rënda, dhe kjo dihet nga policia. Demiraj shkoi edhe më tej, duke i krahasuar tunelet që janë bërë në vendqëndrimin e bandës, me ato që përdoren në luftën e Afganistanit.
Demiraj tha se, policët hezituan për t’iu përgjigjur bandës që i sulmoi në Elbasan, pasi kishin frikë për jetën e tyre. Demiraj u shpreh Sipas Dritan Demirajt, vonesa e policisë për t’u futur brenda në vendqëndrimin e bandës i ka dhënë kohë të largojnë armët dhe të pastrojnë gjurmët. Mendohet se policët qëndruan jashtë tregut ushqimor për gati tre orë.

Në gjunjë para krimit

]Bandat bëjnë ligjin në Elbasan, ndërsa shteti ka rënë në gjunjë para krimit. Qyteti ndodhet në duart e bandës që ka mbështetje nga kreu i Bashkisë, Qazim Sejdini dhe kryeministri Rama, ndërsa policia nuk guxon t’u përmendë as emrat dy kokave të bandës. Edhe vetë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako darkoi me peshqit e mëdhenj para një jave në Elbasan.
Shteti ka rënë në Elbasan që prej mbrëmjes së 18 shtatorit, ku makina e nëndrejtorit të Policisë u godit nga një makinë e blinduar, në pronësi të biznesmenit Petrit Çela, i cili njihet dhe si mik i kryetarit të Bashkisë, Qazim Sejdini dhe kryeministrit Rama. Autorët e sulmit ndaj Policisë ende janë të lirë, ndërsa qytetarët shprehen se në këtë skandal të madh janë përfshirë edhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, mes tyre dhe drejtori i Përgjithshëm, Haki Çako. Ndërkohë, Prokuroria e Krimeve të Rënda është tërhequr nga hetimi i goditjes së policisë nga banda Çela-Sanxhaktari.
Në Elbasan i gjithë qyteti është i tronditur.Dy qytetarë nga Elbasani i janë drejtuar ish-Kryeministrit Berisha ku shkruajnë se dy kokat e krimit në Elbasan janë dhëndri i kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini dhe djali i biznesmenit Petrit Çela, ndërsa Policia e Shtetit ka frikë t’i arrestojë. Qytetarët i shkruajnë Berishës se, të gjitha operacionet e policisë për kapjen e autorëve janë false, pasi uniformat blu komandohen nga bandat.
“Rezultatet spektakolare në operacionin e Çakos së drogës në Elbasan! Lexoni mesazhet e qytetarëve dixhital ku denoncojnë: Operacionet farse të Çakos së drogës kundër bandës së Norieges dhe don Lalës, që terrorizojnë natë e ditë qytetin e njerëzve fisnik të Elbasanit!”, shkruan Berisha në një postim në Facebook.
“Përshëndetje i nderuar zoti Berisha. Marr shkas nga postimi që bëre. Eshtë mëse e vërtetë, por Policia s’ka nxjerrë ngjarjen ku Policia u godit dhe me plumba. Po ju drejtohem ju me një adresë tjetër se tek e imja kam shumë frikë. Dhe unë jam ofenduar nga Qazim Don Sejdini dhe s’kam mundur të bëj gjë se më është vënë pistoleta në kokë nga ushtarët e tij. Asnjë nuk është mbajtur në burg, të gjithë kanë dalë. As mediat e Elbasanit nuk e dhanë lajmin se kanë frikë. Suel Çela dhe Sokol Sanxhaktari, janë bërë si faraonët në Elbasan. Të godasin vetëm sepse i sheh, të kërcënojnë dhe s’e kanë problem të vrasin. Arrestimet në Elbasan u bënë sa për shou. Të gjithë e dinë se peshqit e mëdhej darkuan me Haki Çakon. Në Elbasan i gjithë qyteti është tronditur nga ky lajm. Dje, janë arrestuar shumë të rinj pa faj, kjo vetëm sa për sy e faqe e të thonë; “ja i arrestuam”. Po mos kishit qenë ju, lajmi s’do ishte bërë i ditur dhe ata do vazhdonin të bënin terror akoma. Jemi bërë si Napol. Ju lutem doktor, bëni diçka para se të merren jetë të pafajshme”, shkruan qytetari.
“Përshëndetje zoti Berisha. Jeni i vetmi zë në Shqipëri që i thoni gjërat e vërteta. Jam nga Elbasani dhe doja të thoja se operacioni i Policisë së Shtetit me në krye Haki Çakon është një operacion falco sa për t’i hedhur hi syve njerëzve. Nëqoftëse Policia do t’i arrestojë me gjithë mend ato të ngjasjes së datës 18 duhet të marrë në pytje Qazim Sejdinin, sepse ai është i vetmi njeri që di ku fshihen autorët, sepse njëri është dhëndrri i Qazimit, kurse tjetri është miku i Qazimit. Ata kanë përkrahje nga Qazimi dhe nga Edi Rama, sepse kur vijnë fushatat ato dalin dhe mbledhin vota me dhunë. Eshtë neveri kur sheh nëpër lajme që ky aksion i policisë po shitet si një sukses”, shkruan qytetari nga Elbasani.
Kamerat e sigurisë së Tregut Ushqimor kanë filmuar të gjithë episodin e incidentit me Policinë në Elbasan, mbrëmjen e së enjtes së kaluar. Ngjarja ndodhi pak minuta pas orës 20:00, ku postblloku policor është ngritur në derën kryesore të biznesit privat. Pasi kanë shoqëruar dy personat që ndodheshin në mjetin “Range Rover”, efektivët e policisë ndeshen me një “Audi”, që duke u futur në treg përplas mjetin tip “Golf” të zv/drejtorit të Policisë, Gjergji Oshafi, i cili bën një lëvizje mbrapsht, por nuk dihet nëse për të bllokuar mjetin, apo për t’i hapur rrugën që të kalonte.
Makina e zv/drejtorit të Policisë së Elbasanit, Gjergj Oshafi u godit nga “Audi” i blinduar që drejtohej nga Suel Çela, djali i biznesmenit Petrit Çela, që rezulton pronar i makinës. Në pamjet e kamerave të sigurisë duket se edhe pse dera kryesore e tregut qëndron e hapur për më shumë se 20 sekonda, efektivët ngurojnë që të hyjnë brenda rrethimit të tregut për të vijuar ndjekjen. Duket se punonjësit e policisë kanë frikë të arrestojnë autorin që goditi makinën e nëndrejtorit.

Krimet e Rënda tërhiqen nga hetimi

Prokuroria e Krimeve të Rënda shpall moskompetencë për ngjarjen e Elbasanit, ku një makinë e blinduar goditi makinën e Policisë. Nga pamjet filmike të publikuara në emisionin “Opinion”, Prokurorët e Krimeve të Rënda kanë arritur në përfundimin se çështja është kompetencë e organit të akuzës në Elbasan.
Pas publikimit në emisionin “Opinion” në “TV Klan” të pamjeve ekskluzive të momentit të përplasjes së makinës së zv/drejtorit të Policisë së Elbasanit nga një “Audi” e blinduar, Prokuroria ka bërë një këqyrje të hollësishme të tyre. Pamjet janë sekuestruar në “TV Klan” pas përfundimit të emisionit. Bazuar në to, Prokuroria e Krimeve të Rënda mësohet se ka shpallur moskompetencë, duke e dërguar për hetim në organin e akuzës së Elbasanit.
Nga këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë të shfaqura në “Opinion”, Prokuroria ka krijuar bindje se nuk ka pasur sulm të drejtpërdrejt të forcave blu, ku makina e zv/drejtorit të Policisë së këtij Qarku, Gjergji Oshafi u godit nga një “Audi A8” e blinduar. Pavarësisht se vepra fillimisht u kualifikua si “vrasje e mbetur në tentativë ndaj punonjësit të policisë”, kjo gjë u rrëzua poshtë pas publikimit të pamjeve në emisionin “Opinion”.
E gjithë skena zhvillohet përpara Tregut Ushqimor në Elbasan, pronë e biznesmenit Petrit Çela. Për Prokurorinë, në momentin që nisen makinat e policisë për të çuar në komisariat Klement Xhaferrin, “Audi” vjen me forcë për të hyrë në Tregun Ushqimor. Siç shihet në pamje, ky automjet godet makinën e policisë. Nga ky incident efektivëve nuk ju është kërcënuar jeta, pohojnë burime nga organi i akuzës, pasi ata ndodheshin në distancë nga vendi i ngjarjes dhe një pjesë e tyre ishin brenda në furgonin e Forcave Speciale “Shqiponja”.
Por një ndër akuzat që mund të kualifikohet kjo vepër është, mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë dhe largimi nga vendi i ngjarjes, kompetencë kjo që e hetojnë prokuroritë e rretheve dhe jo ajo e Krimeve të Rënda.
Më herët, Gjykata e Krimeve të Rënda kishte lënë në masën e arrestit me burg, Ledio Zabelin dhe rojen e objektit, Valmir Dedja. Ndërkohë, drejtuesi i mjetit tip “Renge Rover”, Klement Xhaferri, është në një masë sigurie arrest shtëpie.

Krimi në Elbasan dhe roli i Qazim Sejdinit

Policia e Elbasanit nuk guxon as të zerë në gojë emrat se kush e goditi makinën e zv/drejtorit të Policisë Elbasan apo kush janë krerët e grupeve kriminale të drogës në këtë qytet. Lapsi.al publikoi para pak ditësh reagimin e gazetarit të kronikës që e njeh me detaje problematikën e Elbasanit, Flamur Vezaj, i cili në një postim në Facebook shkruante se, vrasjet mes grupeve kriminale që kontrollojnë trafikun e drogës vazhdojnë të terrorizojnë këtë qytet. Nga ana tjetër, ai thekson se, policia është e pafuqishme të ndërhyjë, pasi i përfshirë në luftën mes bandave është edhe dhëndri i kryetarit të Bashkisë, Qazim Sejdini. Kryebashkiaku Sejdini ruhet nga Forcat Speciale 24 orë në 24 për shkak të problemeve të dhëndrit të tij.
“Operacioni “xhiroja e fundit” në Elbasan! Sa keq më vjen për Gjergj Oshafin dhe shefin e tij Arben Dashin, që drejtojnë Policinë në këtë kohë në Elbasan. Për shkak se kriminelëve në atë qark, politika i ka dhënë pushtet! Shpesh kemi dëgjuar, kryesisht nga opozita se dhëndëri i kreut të Bashkisë është person me precedent të rrezikshëm kriminal!
Kjo thuhet edhe në dosjen e tij personale, që Policia e disponon! Për këtë fakt dhe shumë të tjera, edhe vjehrrit të tij (kreut të Bashkisë) politika me ndihmën e Policisë i ka vënë mbrojtje shtesë 24 orë me efektivë të Forcave Speciale të Policisë! Nëse nuk do ishte i lidhur me krimin apo i rrezikuar nga kriminelët pse duhet të ruhet një kryetar Bashkie, kush e ka kërcënuar?!
Këtë përgjigje nuk e kam marrë asnjëherë nga Policia apo edhe Prokuroria… nën zë të gjithë e pranojnë se, “kreu i Bashkisë së Elbasanit ruhet për shkak të problemeve të dhëndrit”…
Nuk është vetëm ky problemi në Elbasan, janë vrasjet që po vazhdojnë të terrorizojnë këtë qytet. Si masakra e pazbuluar ndaj familjes Çapja, atentatet e ndryshme mes qytetit dhe të gjitha pa autor se Policia nuk është në gjendje, kjo falë edhe ndërhyrjes së politikës, të provoi e zbuloi autorët!
Gjithashtu, dihet tashmë prej vitesh se Elbasani është bërë si qendër e grumbullimit dhe përpunimit të drogave të forta që hyjnë nga Maqedonia dhe Greqia e më pas që përfundojnë në vendet e BE-së. Kjo për faktin se disa “biznesmenë” të këtij qyteti (që njihen nga vendasit) kanë ngritur prej vitesh rrjetin e trafikut të drogave të forta në Itali e Holandë e që vazhdojnë të punojnë të pashqetësuar nga Policia (që i di emrat)!
Për ta mbyllur, i kthehem përsëri politikës, se është kjo e fundit, që ka lejuar përsëri që në Parlament të hyjnë deputetë të kësaj zone me të kaluar të errët kriminale dhe që i japin mbështetje të fortë krimit që të lulëzojë jo vetëm në qytetin e Elbasanit”, shkruan ai.

Artikulli paraprakLSDM dhe VMRO joshin votuesit shqiptarë
Artikulli tjetërErdogan, gati për ndërhyrje ushtarake në Kurdistan