Skandali me tatimet, nuk lejon apelim nga bizneset

Gjatë aksionit antiinfomalitet, tatimet i kanë vënë dy gjoba rresht një biznesi të vogël në kryeqytet. Njëra gjobë është për mosmbajtje të librave të xhiros e blerjeve, në vlerën 10 000 lekë dhe tjetra, për moslëshim kuponi tatimor, në vlerën 100 000 lekë. Biznesi në fjalë është ankuar tek Avokati i Tatimpaguesit, pasi sipas tij, këto gjoba nuk janë vendosur në vendin e kryerjes së aktivitetit, por jashtë ambienteve të biznesit nga ana e inspektorëve të verifikimit në terren. Avokati i Tatimpaguesit ka pohuar në analizën për këtë çështje se, tatimpaguesi nuk është vënë në dijeni të vendosjes së këtyre dënimeve administrative, duke i mohuar të drejtën e ligjshme të ankimimit administrativ. “Nga këqyrja e Urdhrit të Punës të verifikuesve në terren, kishte mangësi pasi nuk kishte asnjë emërtim apo specifikim të rrugëve e adresave ku do të bëhej verifikimi, kërkesë kjo e manualit të verifikimit në terren. Po ashtu, verifikimi i mbajtjes së librave të xhiros e të blerjeve, nuk ka qenë objekt i këtij urdhri pune, zyrtarisht i firmosur nga titullari i drejtorisë rajonale. Pra, veprimi i inspektorëve ka qenë i vetëvullnetshëm dhe i paautorizuar”, referon Avokati i Biznesit, një institucion tashmë publik. Inspektorët kanë mbajtur fillimisht një aktkonstatimi, ku përveçse kanë cilësuar që subjekti nuk është pajisur me librat e lartpërmendur, kanë shënuar në të edhe nr. e procesverbalit të gjobës prej 10000 lekësh, që përforcon faktin që gjoba ka qenë e paragjykuar që më parë. Gjithashtu, është mbajtur një tjetër aktkonstatimi, ku është vendosur një dënim prej 100 000 lekë, për moslëshim kuponi tatimor. Si në rastin e mëparshëm, në të është shkruar edhe numri e data e procesverbalit të gjobës, që mbështet faktin e paragjykimit të një shkeljeje e dënimit respektiv. Bazuar në nenin 122 të Ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në RSH”, dënimet që lidhen me pajisjet fiskale, konsiderohen kundërvajtje administrative. Në këtë kuptim është Ligji Nr. 10 279, datë 20.5.2010 “Për kundërvajtjet administrative”, përcaktues për procedurën e ndjekur në të tilla raste. Konkretisht është anashkaluar çka përcaktohet në nenet 13 dhe 14 të këtij ligji, më e thjeshta, cili ishte shërbimi që kryhej pa kupon në momentin e kontrollit, kush ishte klienti, njëherësh i dënueshëm nga neni 125 i ligjit procedural tatimor, prania e vetë tatimpaguesit, etj. Të dy konstatimet e procesverbalet e dënimeve, nuk kanë ndonjë element justifikues për sa i takon pranisë apo mospranisë së vetë tatimpaguesit, pasi mbyllen me një shënim që ai “refuzon firmën”. Në të dy njoftim-vlerësimet e nxjerra nga Drejtoria Rajonale Tatimore, adresa e tatimpaguesit është e paspecifikuar, që ka sjellë kthimin prapa nga shërbimi postar për këto njoftime. Kjo, sipas Avokatit të Tatimpaguesit, vërtetohet nga këqyrja e këtyre dokumenteve dhe njëkohësisht nga shkresa zyrtare e asaj drejtorie me nr. 36409/1, datë 29.8.2013, drejtuar tatimpaguesit ku konfirmohet një veprim i tillë. Ky veprim ka cenuar të drejtën e tatimpaguesit për njoftim, sanksionuar nga neni 32 i ligjit procedural, si dhe të drejtën e ankimimit administrativ, parashikuar në nenin 106 të tij. Duke qenë se tatimpaguesi nuk është vënë në dijeni, jo për arsye që varen prej tij dhe në kushtet e cenimit të një të drejte të ligjshme të tij, për t’u njoftuar e ankimuar një akt administrativ që cenon gjendjen financiare të tij, bazuar në nenin 109, pika 4 të ligjit të procedurave tatimore, opinioni ynë është që ekzistojnë kushtet e rivendosjes në afat të kërkesës së tatimpaguesit, duke i krijuar atij të gjitha mundësitë e ankimimit të mëtejshëm pranë Drejtorisë së Apelimit Tatimor, përfundon Avokati i Tatimpaguesit.

Artikulli paraprakGjykatat Administrative fluks çështjesh, nuk ka ende një zgjidhje
Artikulli tjetërAnçeloti kthen Bajernin e Hajnkes