Skandali i seksit, KLD shkarkon gjykatësin Guximtar Boçi

Pas publikimit të audiopërgjimit të mbrëmjes së të enjtes, ku kryetari i Gjykatës së Gjirokastrës, Guximtar Boçi i kërkonte favore seksuale një gruaje 40-vjeçare në këmbim të vendosjes së drejtësisë për një çështje pronësie që gruaja kishte në gjykatë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendos të shkarkojë këtë të fundit.
Mësohet e KLD-ja u mblodh dje pas kërkesës së ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani, për të votuar në unanimitet shkarkimin e Guximtar Boçit nga detyra. Po dje, KLD-ja vendosi ta pezullojë atë si gjykatës deri në përfundim të hetimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për akuzën e korrupsionit.
Audiopërgjimi i publikuar mbrëmjes e së enjtes në emisionin investigativ “Stop” tregon rastin e kryetarit të Gjykatës së Gjirokastrës, Guximtar Boçi, i cili i kërkon seks një qytetareje në këmbim të drejtësisë. Denoncuesja kishte një çështje në Gjykatën e Shkallës së Parë në Gjirokastër dhe ka kërkuar takim me kreun e saj, Guximtar Boçi. Por në zyrën e tij, kryetari tenton ta puthë dhe i bën ofertë seksuale. Ndërsa refuzon të bëjë seks me kryetarin e Gjykatës së Gjirokastrës, 40-vjeçarja humb çështjen. Ajo thotë se dështimi i saj, ka të bëjë me refuzimin, që i bëri kryetarit të gjykatës. Këtë shqetësim qytetarja ia shpreh edhe gjyqtares së çështjes me emrin Blerta, duke i rrëfyer mbi vardisjen e kryetarit. Kjo e fundit pranon, se fillimisht kryetari, Guximtar Boçi, ishte interesuar për dosjen në fjalë, por më pas jo më.
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani deklaroi dje se Boçi ka dëmtuar rëndë autoritetin dhe figurën e gjyqtarit, duke paralajmëruar kështu shkarkimin. “KLD do të veprojë për rastin e gjyqtarit Guximtar Boçi. Gjyqtari nuk mund të jetë më në trupën gjyqësore, do të kërkoj pezullim të kreut të gjykatës, pasi ka cenuar rëndë autoritetin dhe figurën e gjyqtarit. Do të ketë mbledhje të KLD deri në krijimin e KLGJ-së”, tha ministri Manjani.
Publikimi i skandalit seksual në emisionin “Stop” u bë në një ditë dhe orar kur po zhvillohej ceremonia e martesës së vajzës së madhe të kryegjyqtarit të Gjirokastrës, Guximtar Boçi. Mësohet se ceremonia nisi rreth orës 16:00 deri rreth orës 20:30, në qytetin e Gjirokastrës. Gjyqtari Boçi paraprakisht ka mohuar ta ketë kontaktuar ndonjëherë gruan që ka kryer denoncimin pranë emisionit investigativ dhe se e hedh poshtë me neveri një bisedë të tillë. Ai deklaroi se do ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore.
Në vijim, Këshilli caktoi gjyqtaren zj. Albina Spaha, për të ushtruar përkohësisht detyrën e kryetares së kësaj gjykate, si dhe shpalli vendin vakant, duke hapur konkurrimin për pozicionin e kryetarit të kësaj gjykate.
Gjithashtu, Këshilli vendosi që Inspektorati i KLD-së dhe i Ministrisë së Drejtësisë të ndërmarrin bashkërisht një inspektim për verifikimin e veprimtarisë së gjyqtarit të Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, Guximtar Boçit dhe të gjyqtares B.Ç., për shkelje të rregullave të etikës, si dhe caktoi një anëtar të tij, për të verifikuar edhe sjelljen e inspektorit të KLD, i cili ishte ngarkuar për trajtimin e ankesës së qytetarit dhe që përmendet në regjistrimet audio të bëra publike në media.

Artikulli paraprakHeshtni o bastardë se nuk ju lejon kush t’i vrisni për së dyti pas 73 vitesh
Artikulli tjetërDelawie: Nuk luftohet korrupsioni me zyrtarë të korruptuar