Skandali i rafinerisë së Lushnjës. Qeveria i dha koncesionin kompanisë së bllokuar nga IQT

“AM-OIL” ëshë një shoqëri karburantesh në Lushnjë, e cila vitin e kaluar u bllokua nga Inspektorati Qendror Teknik për aktivitet të paligjshëm. Gjatë një kontrolli rutinë të inspektoratit, kompania u konstatua se tregtonte karburant të pashoqëruar me dokumentacion.
Por edhe pse u kap në shkelje, e cila çoi në bllokimin e saj, siç duket shoqëria ka arritur të rehabilitojë shpejt marrëdhëniet me institucionet e madje të sigurojë nga qeveria shqiptare koncesionin 30-vjeçar për një rafineri nafte në Lushnjë. Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave.
“I jepet shoqërisë aksionare ‘AM-OIL’, me seli në ish-Uzina e Plastmasit, Lushnjë, licenca e koncesionit për rafineri për kryerjen e veprimtarisë së përpunimit të naftës bruto dhe për prodhimin e nënprodukteve të saj”, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.
Vendimi nuk ka përcaktuar se çfarë produktesh do të prodhojë rafineria, por ka saktësuar se ato do të jenë të përshkruara në kartën teknologjike që lëshon Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial. Megjithatë në të bëhet e ditur se rafineria do të ketë një kapacitet përpunimi të naftës bruto prej 500 tonë/24 orë.

Bllokimi

“AM-OIL” është një shoqëri aksionere e themeluar në vitin 2009. Ajo ka një kapital prej 3.5 milionë lekësh dhe figuron me zyrë qendrore tek ish-Uzina e Plastmasit në Lushnjë. Aksioneri i vetëm i “AM-OIL” rezulton të jetë shtetasi Idris Çela.
Sipas dokumentave në QKR, kompania rezulton të ketë si aktivitet projektimin, ndërtimin dhe përdorimin e rafinerive, tubacioneve dhe depozitave për përpunimin, transportimin, depozitimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, si dhe biokarburanteve.
Në maj të vitit të kaluar, saktësisht një vit më parë, kjo shoqëri u bllokua nga Inspektorati Qendror Teknik për aktivitet të paligjshëm. Siç tregohet në vendimin zyrtar të lëshuar nga IQT, kompania është konstatuar se tregtonte karburant në mungesë dokumentacioni.
Por pavarësisht kësaj, një vit më vonë ajo duket se i ka rehabilituar marrëdhëniet me autoritetet e zbatimit të ligjit, duke arritur të fitojë koncesion për ndërtimin e një rafinerie që do të përpunojë 500 tonë në ditë naftë bruto.
Skandali vjen pak ditë pasi në media u publikua lajmi se Kompanisë së akuzuar për “korrupsion” do ti jepet nga qeveria shqiptare koncesioni i ndriçimit të qyteteve. Të dhënat e siguruara nga “BIRN” tregojnë se qeveria shqiptare i ka hapur rrugën dhënies me koncesion të ndriçimit me llamba LED të Tiranës dhe Durrësit një kompanie daneze, e cila akuzohet për korrupsion dhe prishje të barazisë në tendera në Kosovë dhe në Mal të Zi. Kompania që propozoi koncesionin, me të cilën qeveria dhe autoritetet vendore shqiptare kërkojnë të hyjnë në një partneritet afatgjatë që pritet t’i kushtojë taksapaguesve miliona euro.

Artikulli paraprakTenderi, kryebashkiakia miliardere e Roskovecit, 32 mln lekë për një shtatore
Artikulli tjetërSi minjtë para tërmetit