Skandali, Dako i Ramës i mori pronën me dokumenta biznesmenit të masakruar

Pas përplasjes në Parlament mes Ramës dhe Berishës për largimin e investitorit të huaj, Faadi Mitri, Prokuroria ka dalë me një vendim: Sekuestrim të pronës prej 45 mijë metra katrorë që u kthye në mollë sherri. Organi i akuzës deklaron se, toka është përfituar me dokumente false nga pronari Pal Selçuni.
Po kështu, Prokuroria rrëzon argumentin e Kryeministrit Rama se, vendimi i Gjykatës së Durrësit është dhënë në korrik 2016, pra, pasi qeveria i kishte dhënë lejen investitorit për resortin turistik. Sipas Prokurorisë, vendimi i Gjykatës është dhënë në mars 2016.
Një pikë tjetër e dyshimtë në këtë histori është tërheqja e Bashkisë së Durrësit dhe Avokaturës së Shtetit në fund të gjyqit. Siç na bëri të ditur dje Prokuroria, këto dy institucione kanë qenë palë në proces.
Pra, kanë kundërshtuar marrjen e kësaj prone nga Pal Selçuni. Por, siç thotë Prokuroria, në seancën e fundit gjyqësore këto palë nuk u paraqitën. Më tej, as Bashkia e Durrësit dhe as Avokatura e Shtetit nuk bënë ankimim, ndaj vendimit për kalimin e kësaj prone në favor të Pal Selçunit mori formë të prerë.
Në njoftimin për mediat, Prokuroria deklaron: “Në këtë gjykim kanë qenë si palë ndërgjyqëse Bashkia Durrës dhe Avokatura e Shtetit. Rezulton se në seancën përfundimtare kanë munguar Bashkia e Durrësit dhe Avokatura e Shtetit. Në këto kushte, ku palët e interesuara nuk kanë ngritur pretendime (për shkak të mungesës së tyre), Gjykata e Durrësit, me Vendimin Nr. 457, datë 25. 03. 2016, ka vendosur të njohë shtetasin Pal Selçuni si pronar të pronës, objekt shqyrtimi”.
Gjithashtu, rezulton se kundër këtij vendimi nuk është bërë ankim nga palët ndërgjyqëse dhe vendimi ka marrë formë të prerë më datë 19.04.2016. Në veprimet e mëtejshme hetimore, Prokuroria e Durrësit do të shqyrtojë arsyet e mungesës së palëve ndërgjyqëse dhe mungesën e ankimit mbi vendimin e njohjes së pronës në emër të shtetasit Selçuni. Pra, Prokuroria ka vendosur të hetojë edhe Bashkinë e Durrësit që drejtohet nga Vangjush Dako dhe Avokaturën e Shtetit mbi arsyet që çuan në tërheqjen e tyre nga ky gjyq.

Konflikti i parë për pronën

Prokuroria thekson se, shtetasi Pal Selçuni në vitin 2011 ka pasur konflikte fizike me disa shtetas të tjerë për pronë kufitare, ndërkohë që pavarësisht kallëzimeve të bëra nga të dyja palët, Prokuroria nuk ka nisur procedimin penal. Sipas Prokurorisë, shkak është bërë sepse “dëmet nuk kanë qenë të konsiderueshme për t’u klasifikuar si vepër penale”.

Konflikti me biznesmenin libanez

Sipas Prokurorisë, në vitin 2014, shtetasi Pal Selçuni ka bërë një padi për pushtim toke kundër shtetasit libanezo-amerikan, Fadi Mitri, administrator i kompanisë “Omnix Albania”. Edhe në atë kohë, Prokuroria e Durrësit vendosi mosfillimin e procedimit penal, për shkak se “Omnix Albania”, shpk, ka një kontratë qiraje me shtetin shqiptar për shfrytëzimin e kësaj sipërfaqeje toke.
Për të paktën këto dy raste, Prokuroria e Durrësit ka krijuar dyshime të arsyeshme se, në procesin gjyqësor civil për njohjen e pronës, paditësi Pal Selçuni ka paraqitur dokumente të falsifikuara, duke pretenduar se e ka poseduar pronën pa shqetësim për një periudhë 20-vjeçare.
“Shtetasi Pal Selçuni ka kërkuar në Gjykatën e Durrësit njohjen e pronësisë mbi këtë truall me parashkrim fitues. Në pretendimin e tij, Selçuni e ka bazuar kërkesën e tij në nenin 169 të Kodit Civil, ku parashikohet se “personi që ka poseduar qetësisht e pa ndërprerje, duke u sjellë sikur të ishte pronar për njëzetë vjet në një pronë të paluajtshme, bëhet pronar i saj”.
Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet mbi përfitimin e të drejtës së pronësisë, menjëherë pas plagosjes me mjete të forta të shtetasit Fadi Mitri, i cili nga ana e tij ka një kontratë qeraje me shtetin shqiptar për zhvillimin e pronës së njohur në emër të shtetasit Pal Selçuni. Prokuroria e Durrësit nisi këtë hetim, menjëherë, pasi Policia e Shtetit referoi në Prokurorinë e Tiranës materialin mbi kryerjen e veprës penale “Plagosje e lehtë me dashje”, në dëm të shtetasit Fadi Mitri”, thuhet në raportin e Prokurorisë.
Avokatura e Shtetit nuk e ankimoi vendimin
Në procesin gjyqësor që ky shtetas ka zhvilluar për këtë pronë, Prokuroria thekson se palë gjyqësore ka qenë Bashkia e Durrësit dhe Avokatura e Shtetit, të cilat sipas Prokurorisë në seancën përfundimtare kanë munguar. Në këto kushte, kur palët nuk kanë ngritur pretendime, Gjykata e Durrësit ka vendosur më 25 mars të këtij viti t’ia njohë si pronë shtetasit Pal Selçuni. Ndaj këtij vendimi nuk është bërë ankim dhe vendimi ka marrë formë të prerë më 19 prill 2016.

R.POLISI

Artikulli paraprakKapen 3.2 ton drogë nga Shqipëria në Pulia e Leçe
Artikulli tjetërDy interesat mafioze të qeverisë