Skandali, bizneset do paguajnë disa herë taksën e arsimit

Faturat e taksave të Bashkisë për biznesin e mesëm e të madh, që po dalin këto ditë po nxjerrin në pah absurditetet e tjera të taksimit të bizneseve nga Bashkia e Tiranës. Këtë herë bëhet fjalë për taksën e përkohshme të arsimit, që përveçse është antikushtetuese, (pasi me Kushtetutë arsimi është falas), bizneset që punojnë me NIPT-e sekondare do të duhet ta paguajnë disa herë atë.
Fatura në foto i përket një biznesi të madh që ka tre NIPT-e sekondare, por vepron si një subjekt i vetëm. Ky subjekt duhet të paguajë tre herë taksën e përkohshme për infrastrukturën arsimore, në total 81 mijë lekë në vit (për biznesin e mesëm njësi me shumë e prodhimi, taksa e arsimit është  27 mijë lekë në vit). Ky është një taksim krejtësisht absurd dhe në shkelje të vetë vendimit të Bashkisë, që përcakton se “Taksës së përkohshme për infrastrukturën arsimore i nënshtrohen të gjitha familjet, personat fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj, që banojnë dhe ushtrojnë veprimtari ekonomike brenda territorit të Bashkisë së Tiranës”.
Pra, pavarësisht se biznesi nga tatimet konsiderohet si një subjekt i vetëm juridisk apo fizik, ai po detyrohet të paguajë disa herë taksën e përkohshme për infrastrukturën arsimore. (Të ashtuquajturat NIPT-et sekondare sipas ligjit të TVSH-së duhen për  “Për ata persona të tatueshëm që si pjesë të veprimtarisë së vet ekonomike, kryejnë shitje me shumicë dhe shitje me pakicë, vendi i veprimtarisë të secilës shitje duhet të jetë i ndarë, dhe çdo vend veprimtarie duhet të pajiset me çertifikatë NIPT-i me numra të ndryshëm serialë”).
Të gjitha bizneseve, që veprojnë me NIPT-e sekondare po u vijnë faturat, ku specifikohet se duhet të paguajnë taksën e arsimit për çdo NIPT. Faturat nuk kanë dalë ende për të gjithë subjektet dhe sidomos për rrjetet e tregtisë, apo supermarketeve pritet që kjo taksë, për vetë palogjikshmërinë e saj, të ngjall shumë reagime. Në aksionin e fundit, tatimorët u kanë kërkuar shumë bizneseve që të pajiseshin me NIPT-e sekondare edhe për zyra që mund ishin ngjitur me njëra-tjetrën.
Në total, biznesi në fjalë me tre NIPT-e sekondare duhet të paguajë 495 mijë lekë taksa bashkie në vit: 414 mijë lekë tarifë pastrimi për tre njësitë (për dy njësi nga 170 mijë lekë dhe për një 74 mijë lekë) dhe 81 mijë lekë për arsimin. Në krahasim me një vit më parë, tarifat e pastrimit janë dyfishuar, ndërsa e arsimit është taksë e re. Në total biznesit i janë rritur taksat me 139%.

Bashkia planifikon të mbledhë 5 milionë euro nga taksa e arsimit
Janë rreth 5 milionë euro (650 milionë lekë) që familjet e Tiranës dhe bizneset do të paguajnë për llogari të Bashkisë për taksën e përkohshme për infrastrukturën arsimore në vitin 2016.
Shifra bëhet e ditur në projektbuxhetin e vitit 2016 të Bashkisë Tiranë, ku nga 650 milionë lekë që planifikohen të mblidhen, 320 milionë lekë do i paguajnë familjarët dhe 330 milionë lekë subjektet tregtare. Në vitin 2017, planifikohen të mblidhen 690 milionë lekë dhe në 2018-ën rreth 720 milionë lekë. Në total, për periudhën 2016-2018 pritet të derdhen në arkën e Bashkisë rreth 2 miliardë lekë, apo rreth 15 milionë euro, të ndara pothuajse përgjysmë nga familjarët dhe bizneset.
Sipas relacionit të Bashkisë, taksës së përkohshme për infrastrukturën arsimore i nënshtrohen të gjitha familjet, personat fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj, që banojnë dhe ushtrojnë veprimtari ekonomike brenda territorit të Bashkisë së Tiranës.
“Të ardhurat nga kjo taksë e përkohshme do të përdoren me qëllimin për të cilën është vendosur, për rikonstruksionin e objekteve arsimore, shkolla e kopshte si dhe të infrastrukturës arsimore të Bashikisë së Tiranës, e cila e ka të domosdoshme ndërtimin e shkollave e kopshteve të reja dhe ndërhyrjet për rikonstruksionin e atyre ekzistuese”, thuhet në relacionin e Bashkisë.
Vendosja e taksës së përkohshme për 7 vjet për arsimin ka ngjallur shumë debate, pasi cenon parimin kushtetues që arsimi fillor dhe i mesëm është falas. Taksa do të jetë 1800 lekë në vit për familjet dhe do të mblidhet në faturën e ujit, ndërsa për bizneset varion deri në 4 mijë lekë 37 mijë lekë në vit për VIP-at, sipas tabelës më poshtë.

Artikulli paraprakRaporti Global i Financës: Shqiptarët më të varfërit në rajon, s’kanë fuqi blerëse
Artikulli tjetërKE kundër reformës së re territoriale: Ka krijuar konfuzion