Skandal në testimin për gradën nënkomisar, favorizohen 86 oficerë, nga 0 u jepen 76 pikë

Pas daljes së rezultateve për testimin e sigurisë për gradën nënkomisar, efektivë të policisë që kishin konkuruar vunë re anomali në përzgjedhjen e fituesve. Sipas disa prej konkurentëve, rezultatet janë të dyshimta dhe janë manipuluar pas apelimit të një grupi prej 86 efektivësh të favorizuar haptazi.
Tabelat e publikuara nga ABC News tregojnë rezultatet e testimit për akademinë e sigurisë për gradën nënkomisar. Në rastin e këtij efektivi, në testin me shkrim për gradën nënkomisar është vlerësuar me 0 pikë në mënyrë elektronike, ose ndryshe nga pajisja e quajtur skantron.
Për arsye të paqarta pas apelimit dhe pas rivlerësimit të tezës së tij me dorë, ai menjëherë merr 76 pikë. Këto pikë i japin të drejtë këtij efektivi të futet në fazën e dytë të testit, atij me gojë.
Ky rast i korrigjimit të rezultatit elektronik është përsëritur me 86 efektivë. Pasi apeluan rezultatin, atyre u janë shtuar pikë nga rivlerësimi i tezës me dorë.
86 efektivëve që e kishin marrë nën 70 pikë, u janë shtuar pikë pas apelimit të rezultatit.
Shumë të tjerëve nuk iu është lejuar të apelojnë rezultatin dhe testi i tyre nuk është rivlerësuar me shkrim.
ABC News u interesua pranë Akademisë së Sigurisë për arsyen e rivlerësimit të testit me shkrim. Sipas akademisë, motivi është prishja e pajisjes elektronike, të quajtur “Skantron” dhe për këtë arsye është parë e nevojshme rivlerësimi me dorë i disa testeve.
Ajo që mbetet e paqartë është fakti se, përse nuk u rivlerësuan të gjitha testet me dorë nëse skantroni ka shfaqur probleme në korrigjimin e testeve.
Në testim me shkrim për gradën nënkomisar, morën pjesë 800 efektivë, ku 370 efektivë morën mbi 70 pikë. Këtyre 370 efektivëve ju shtuan edhe 86 të tjerë, të cilëve ju shtuan pikë nga rivlerësimi me dorë i tezës.
456 efektivët që kaluan iu nënshtuan testit me gojë ku fituan 150, aq sa ishte edhe kuota e përcaktuar më herët për këtë kurs. Kanë fituar provimin me gojë e rrjedhimisht edhe të drejtën e studimeve në Akademinë e Sigurisë edhe personat që nga vlerësimi elektronik i testimit me shkrim kanë marrë nën 70 pikë.
Ndërsa, mes personave që nuk fituan janë edhe ato që në testimin me shkrim morën mbi 70 pikë që është minimalja e pranueshme.

Artikulli paraprakMister proçedura si u mor në dorëzim landfilli i Sharrës nga kompania “3R”
Artikulli tjetër“Kathimerini”: Jetë luksoze për Eskobarin shqiptar, argëtohet me anëtarë të PS