Skandal: I kërkuari për vdekjen e Arditit në inaugurimet e qeverisë

Një muaj e gjysmë pasi është shpallur në kërkim për vdekjen e Ardit Gjoklajt në landfillin e Sharrës, kreu i PS, Peqin Edurim Teqja  jo vetëm që është i paprekshëm nga policia, por vijon i qetë aktivitetin e tij politik, duke u shfaqur edhe nëpër inaugurime të qeverisë. Më datën 24 shtator, kryetari i Ramës në Peqin, partneri i Erjon Veliajt në biznes, i kërkuar nga drejtësia si përgjegjës për vdekjen e një 17-vjeçari të pafajshëm, shfaqet mes deputetëve, Evis Kushi, Aqif Rakipi dhe Anastas Angjeli.
Kryetari i Grupit Parlamentar demokrat, Edi Paloka denoncoi dje rastin në fjalë, ndërsa shfaqi para medias videon dhe foton që faktonin praninë skandaloze të Teqes në këtë aktivitet publik, ndërkohë që Prokuroria ka lëshuar urdhër për kërkimin e tij.
“Në këtë video e në këto foto, ju mund të shihni kryetarin socialist të Edi Ramës në Peqin, Edurim Teqja, duke marrë pjesë në një fillim punimesh, në datën 24 shtator, një muaj e gjysmë, pasi është shpallur në kërkim për vdekjen e Ardit Gjoklajt në landfillin e Sharrës. Del dhe në televizion ky i kërkuar nga drejtësia, në një kronikë lajmesh në media lokale. Po pse njeriu i Edi Ramës, partneri i Erjon Veliajt është mbi ligjin?
Pse e sfidon ai hapur urdhrin e kërkimit?
Pse nuk është në burg, duke u hetuar për krimin e Sharrës, por shëtit i lirë dhe merr pjesë në inaugurime, del në ekran, dhe tallet me çdo shqiptar që kërkon drejtësi për Arditin, që kërkon barazi para ligjit? Përgjigja është e thjeshtë. Sepse ka mbrojtjen e Edi Ramës”, tha kryetari i grupit demokrat.
Paloka theksoi se ky rast është dëshmi se si Rama ka ndërtuar një shtet ku sundon krimi, i cili falë Ramës ka marrë mbështetje të fuqishme shtetërore.
“Është Edi Rama që e ndalon ligjin të funksionojë për njeriun e tij, për kryetarin e tij në Peqin. Është Edi Rama që e ndalon ligjin të funksionojë për partnerin në biznes të Erjon Veliajt.
Është Edi Rama që ka ndërtuar këtë shtet kriminal, që nuk është në krah të 17-vjeçarit të pafajshëm, që nuk është në krah të qytetarëve, por është në krah të shfrytëzuesve të të miturve, në krah të banditëve, në krah të oligarkëve të korruptuar, në krah të trafikantëve e vrasësve.
Këtë shtet me të cilin mburret Edi Rama, që është në fakt sundim i krimit, shqiptarët e kanë mbi krye.
Është në dorën e shqiptarëve ta lejojnë këtë padrejtësi mbytëse, apo ta ndalin. Koha nuk pret më. Pika e vlimit po afron”, theksoi Paloka gjatë deklaratës për shtyp.
Ndonëse është shpallur në kërkim prej gati një muaji e gjysmë nga Prokuroria, policia vazhdon të mos e arrestojë kreun e PS në Peqin, duke refuzuar zbatimin e urdhrit të dhënë nga Prokuroria. Teqja nuk mund të arrestohet, sepse ai është kryetari i PS në Peqin dhe në të njëjtën kohë edhe ortaku i Veliajt. Kur krimi është veshur me pushtet, shteti e ka të vështirë që zbatojë ligjet për shkak se pushteti është mbi shtetin në Shqipëri.
Në të njëjtën kohë, Teqja rezulton një njeri me probleme me ligjin në Itali. Ai është dëbuar nga Italia. Sikurse po ndodh në PS gjatë këtyre viteve të fundit, çdo bandit, hajdut dhe kriminel që ka pasur problem me ligjin në vende të ndryshme të BE është kandidati i preferuar i Ramës për të drejtuar PS në zona të ndryshme të vendit. Kjo është edhe një tjetër dëshmi se PS po funksionon si një organizatë e mirëfilltë kriminale.

Teqja, i dënuar në Itali

Edurim Teqja, administratori i kompanisë “3R”, që merret me menaxhimin e landfillit të Sharrës, ku para disa ditësh u gjet i vrarë 17-vjeçari Ardit Gjoklaj, ka qenë i dënuar në Itali për vjedhje. Ndërsa në Itali, ai është dëbuar, në Shqipëri është shpërblyer dhe graduar me punë drejtuese në ndërmarrje shtetërore. Teqja, kreu i PS Peqin është në kërkim prej një muaji e gjysmë. Me licencë ekstra nga Veliaj për landfillin e Sharrës, ai akuzohet për vdekjen e 17-vjeçarit, Ardit Gjoklaj. Kompania “3R” që drejtohet nga Teqja me qendër në Peqin është përzgjedhur nga Veliaj për të menaxhuar landfillin e Sharrës. Dokumentet zyrtare tregojnë se vitin e kaluar të ardhurat e kompanisë “3R” u rritën me mbi 3.3 herë krahasuar me vitin 2014. Më konkretisht, nga 15.8 milionë lekë xhiro që realizoi në vitin 2014, një vit më vonë të ardhurat e kompanisë kërcyen në 52.5 milionë lekë. Për të njëjtën kohë, fitimi neto i saj u pesëfishua. Por zgjerimi i vrullshëm i “3R” SHPK ka vazhduar.
Në shkurt të këtij viti, ajo ka hapur një adresë dytësore në landfillin e Sharrës, ndërsa në maj ka marrë dhe lejen mjedisore për një stacion transferimi për mbetjet jo të rrezikshme me kapacitet 840 ton në muaj në landfillin e Sharrës. Ishte vetë Veliaj, që përzgjodhi kompaninë “3R” për menaxhimin e mbeturinave në landfillin e Sharrës. Menjëherë pas nisjes së punës nga kjo kompani në landfill, Bashkia nisi një aksion ndëshkimesh ndaj grumbulluesve individualë të mbetjeve në kryeqytet, shumica e të cilëve vijnë nga komuniteti rom për të favorizuar firmën e përzgjedhur nga Veliaj. Të dielën në landfillin e Sharrës u gjet i vdekur 17-vjeçari, Ardit Gjoklaj, i cili ishte punonjës sezonal aty. Për këtë ngjarje tragjike u arrestuan katër persona të kompanisë “3R”, ndërsa pronari i saj, Edurim Teqja u shpall në kërkim.

Arben Shahini

Artikulli paraprakLufta e Tretë Botërore ka nisur!
Artikulli tjetërBankat të shqetësuara për situatën makro, shtrëngojnë standardet e kredisë