Skadon afati i Iranit, çfarë do të vendosë Trump?

Pas debateve të javëve të fundit mbi marrëveshjen atomike me Iranin, ka ardhur koha e vendimit për presidentin amerikan Donald, Trump. Këtë të martë pritet fjala e presidentit për të ardhmen e marrëveshjes me Iranin.
A do të hedhin poshtë SHBA marrëveshjen me Iranin duke rrezikuar kështu përplasje politike në arenën ndërkombëtare? Presidenti Trump pritet në orët e mbrëmjes të së martës të bëjë të ditur vendimin e tij, u shpreh ai në twitter. Deri të shtunën presidenti Trump kishte kohë për t’u shprehur për të ardhmen e Iranit. Më 12 maj përfundonte afati ligjor brenda të cilit duhej vendosur, nëse rivendosen apo jo sanksionet kundër Iranit, të zbutura mbi bazën e marrëveshjes atomike.
Mendohet, se Trump mund të rivendosë masat ndëshkuese, pa e prishur marrëveshjen e vitit 2015. Por faktikisht një rivendosje e sanksioneve do t’i jepte një goditje të rëndë marrëveshjes. Irani në këmbim të shfuqizimit të masave ndëshkuese premtoi të hiqte dorë nga pasurimi i uraniumit. Me këtë Republika Islamike nuk është në gjendje të ndërtojë bombën atmoike.
“Marrëveshja më e keqe e të gjitha kohërave”

Trump e ka kritikuar që në fillim marrëveshjen e arritur nën paraardhësin e tij, Barack Obama. Ai e ka cilësuar atë si “marrëveshjen më të keqe të të gjitha kohërave”. Kështu shihet si shumë i shkurtër afati i disa kufizimeve të vendosura deri në vitin 2025. Marrëveshja nuk përcakton hollësi për programin e raketave balistike të Iranit dhe rolin e Teheranit si faktor destabilizues në rajonin e Lindjes së Mesme.
Gjermania dhe Franca e kanë paralajmëruar Trump disa herë të mos e shfuqizojë marrëveshjen atomike. “Ne mendojmë se kjo do të sjellë shkallëzimin e situatës”, tha ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas pas takimit me homologun francez, Jean-Yves Le Drian në Berlin. Me këtë marrëveshje bota është më e sigurtë, se pa të.
Edhe ministri i Jashtëm britanik, Boris Johnson u përpoq të bindë Donald Trump. Madje me një mënyrë shumë të veçantë, duke përmendur dhënien e çmimit Nobel për Paqen. “Nëse ai arrin të vendosë rregull me Korenë e Veriut dhe të mbajë marrëveshjen atomike me Iranin, atëherë nuk e kuptoj, pse ai duhet të jetë një kandidat më pak i përshtatshëm se nobelisti Barack Obama, që e mori çmimin para se të bënte diçka”, tha Johnson, që ndodhet në SHBA për të biseduar me përfaqësues të qeverisë amerikane. Një takim me Donald Trump nuk është planifikuar.

Artikulli paraprakBayern do të “sakrifikojë” dy yje për të pushtuar Europën
Artikulli tjetërRama-Tahiri, lojë tragjike me fatet e shqiptarëve, duhet të ngrihemi me indinjatë në protesta