Situatë dramatike, 36 vatra zjarri gjatë 24 orëve të fundit

36 vatra zjarri janë regjistruar vetëm gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin. Flakët po përhapen me shpejtësi, duke shkrumbuar qindra hektarë me pyje, ullishte e kullota. Autoritetet pranojnë se zjarret kanë përfshirë të gjithë vendin, por nuk po veprohet për shuarjen e flakëve pasi nuk ka mjete. Situata paraqitet mjaft kritike në Fier, Gjirokastër, Vlorë, Durrës, Elbasan, Gramsh, Berat, Tepelenë, Dibër dhe Shkodër.
Emergjencat Civile bëjnë të ditur se, zjarret kanë ndodhur për shkak të temperaturave të larta, por ka pasur raste kur dyshohet se zjarrvënia është e qëllimshme si në rastin e fundit në Tepelenë.
Specialistët e Emergjencave Civile vijojnë të monitorojnë situatën nga afër në të gjithë vendin.
Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129, apo në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile në numrin ‎06941 10 198.
QARKU GJIROKASTËR
Në kurorën e gjelbërr të qytetit të Tepelenës, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Për shkak të përmasave të mëdha të zjarrit për shuarjen e flakëve u angazhuan zjarrfikëse nga Tepelena, Përmeti dhe Gjirokastra.
Për shkak të erës, flakët rrezikuan edhe disa banesa që ndodheshin pranë si dhe spitalin e qytetit. Në ndihmë të forcave zjarrfikëse kanë ndërhyrë edhe 20 efektivë të ushtrisë. Gjatë orëve të para të mëngjesit është ndërhyrë edhe nga ajri me anë të helikopterit. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 7 ha me shkurre dhe u shpëtua kurora e qytetit të Tepelenës. Nga zjarri nuk pati njerëz të lënduar.
QARKU SHKODËR
Në fshatin Melgush, Vau-Dejës, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Për shkak të sipërfaqes së madhe  në ndihmë të zjarrfikësve kanë shkuar edhe 30 forca ushtarake për shuarjen e flakëve. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 1 ha me shkurre dhe u shpëtuan disa rrënjë ulliri.
Në lagjen “Draçin”, Shkodër, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 1 dynym me shkurre. Zjarri u riaktivizua në orën 06:00 të mëngjesit të sotëm dhe në vendngjarje kanë shkuar zjarrfikëset për shuarjen e zjarrit.
Në kurorën me pisha të qytetit të Pukës, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 6 dynym me shkurre.
QARKU FIER
Në fshatin Dushk Peqin, Lushnjë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullinj. Për shkak të terrenit të thyer, zjarrfikëset kanë përdorur mjete rrethanore, për të shuar zjarrin. Si pasojë u dogj një sipërfaqe rreth 8 ha shkurre, blir, dafina dhe 150 rrënjë ulliri.
QARKU DIBËR
Në fshatin Çerenec i Poshtëm, Bulqizë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe dushk i ulët. Për shkak të tërrenit të thyer malor, zjarrfikëset kanë përdorur mjete rrethanore për shuarjen e zjarrit. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 3 dynym me shkurre dhe dushk i ulët.
Në fshatin Vajkal, Bulqizë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pisha të ulëta. Zjarrfikëset kanë punuar me mjete rrethanore për shuarjen e zjarrit. Si pasojë u dogj një sipërfaqe rreth 2 dynym me pisha të ulëta.
QARKU ELBASAN
Zjarri në fshatin Ermenj, Gramsh u riaktivizua përsëri ditën djeshme. Si pasojë e flakëve u dogj një sipërfaqe rreth 1.5 dynym me shkurre dhe përshkroi disa pisha të larta.
Në fshatin Çekin, Gramsh, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore me shkurre dhe pisha të larta. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 3 dynym me shkurre dhe përshkroi disa pisha të larta.
Në Bradashesh, Elbasan, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 2 dynym me shkurre.
Në lagjen “Xhami”, Peqin, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 2 ha me shkurre.
-Në fshatin Dumberas, Gramsh, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore me shkurre dhe pisha. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 5 dynym me shkurre dhe pisha dhe u shpëtuan disa rrënjë ulliri.
QARKU BERAT
Në fshatin Dardhë Berat, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve situata u vu nën kontroll dhe zjarri u shua plotësisht. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 1 ha me shkurre dhe pisha.
QARKU DURRËS
Në rrugën nacionale Plepa-Ndroq-Tiranë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve flakët janë shuar plotësisht. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 5 dynym me shkurre.
QARKU VLORË
Në fshatin Lefterhor Delvinë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 1 ha me shkurre.

Banorët ndërhyjnë me mjete rrethanore për shuarjen e zjarreve

Dy vatra të reja zjarri u shfaqen pasdrekën e së hënës në qytetin e Shkodrës, njëra në kodrat e Tepes dhe tjetra në fshatin Bardhaj. Në këtë të fundit, zjarri ka qenë i përmasave më të mëdha dhe djegia rrezikoi disa shtëpi banimi. Banorët ndërhynë me mjete rrethanore për shuarjen e flakëve që dyshohen të kenë ardhur nga pakujdesia e ndonjë kalimtari. Ato thonë se shërbimi zjarrfikës ndërhyri me vonesë, pasi nëse do të kishte arritur në kohë, sipërfaqja e djegur do të kishte qenë më e vogël.
Rreth 30 minuta pas ngjarjes shërbimi zjarrfikës arriti të shuajë flakët dhe të shmangë dëmet në banesa, ndërsa në ndihmë i erdhi edhe një mjet i dytë. Mësohet se me të marrë njoftimin nga banorët, salla qendrore ka koordinuar ndërhyrjen, pasi në ato momente mjetet thuhet se ndodheshin në lagjen Tepe, ku edhe atje zjarri i rënë në kodër po u afrohej banesave.
Nga këto 2 vatra janë djegur në total rreth 5 dynym. Ditët e fundit vatrat e zjarreve kanë qenë të shumta në Shkodër dhe dëmet janë të konsiderueshme kryesisht në sipërfaqen e gjelbërt. Menaxhimi i situatës po bëhet më i vështirë, pasi me shtimin e rasteve, mjetet dhe forcat e ndërhyrjes janë të pakta dhe reparti i Shkodrës duhet të mbulojë edhe Bashkinë e Vau Dejës.
Një masiv pyjor me pishë të zezë u përfshi nga flakët mëngjesin e kësaj të hëne në fshatin Patin në Bashkinë e Klosit. Dëmi ishte i konsiderueshëm, pasi flakët e ndihmuara edhe nga era, dogjën rreth 15 hektarë me pishë të zezë.
Banorët e zonës përveç ndërhyrjes së shërbimit zjarrfikës dhe Drejtorinë e Shërbimit Pyjor në Bashkinë Klos kanë kërkuar edhe ndërhyrjen nga ajri për shkak të terrenit të vështirë. Ndërkohë për të shuar flakët, u përfshinë specialistët e shërbimit pyjor të Bashkisë Klos, banorë të zonës dhe efektivët e shërbimit zjarrfikës të Bashkisë Mat.

Artikulli paraprakSkuadra e Gjicit ndalohet në Austri për trukim ndeshjesh
Artikulli tjetërShqipëria në flakë prej 1 jave, qeveria asnjë masë