Sistemi i tatimit mbi fitimin po nxit evazionin fiskal

Ndarja e tatimit mbi fitimin në sistemin tatimor, ku bizneset deri në 5 milionë lekë kanë tatim zero ka nxitur evazionin, sipas një materiali të prezantuar nga Shoqata e Ndërtuesve në takimin e organizuar nga Axhenda Kombëtare e Biznesit në bashkëpunim me Qendrën shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER) për Informalitetin.
Që nga viti 2016 janë në fuqi tri norma të tatimit të thjeshtëzuar mbi fitimin, 0% për bizneset me xhiro deri në 5 milionë lekë; 5% për xhiron nga 5 deri në 8 milionë lekë dhe mbi këtë fashë tatimi është 15%.
“Biznesi përpiqet të qëndrojë në atë fashë të xhiros që është më me leverdi, atë të tatimit 0%, pra poshtë 5 milionë lekë”, tha Ilir Hebovija nga Shoqata e Ndërtuesve. “Kriteri i vetëm që bën kategorizim është xhiroja dhe përdoren mënyra që të krijohen informalitet. Kjo vë në pikëpyetje mjaftueshmërinë e kriterit, për më tepër që norma e kthimit ndryshon dukshëm nisur nga lloji i veprimtarisë së biznesit”.
Edhe më herët, bizneset e mëdha janë ankuar se përshkallëzimi i tatim fitimit ka nxitur informalitetin, pasi bizneset e vogla nuk janë më të interesuara që të marrin fatura, në mënyrë që të mos e kalojnë pragun ku fillojnë e paguajnë tatim.
Rekomandimi i Forumit Kombëtar të Biznesit është që administrata tatimore të vendosë tek bizneset me xhiro nga 2 në 8 milionë lekë vetëm një taksë të thjeshtëzuar prej 5%. Këtë rekomandim e bazon në të dhënat e administratës tatimore, sipas së cilës rreth 91% e bizneseve kanë xhiro poshtë 2 milionë lekë; 6% e tyre janë në intervalin 2-5 milionë lekë dhe 3% në 5-8 milionë lekë.
Në këtë mënyrë, rekomandon Forumi, biznesi i vogël përqendrohet në më pak se 2 milionë lekë. “Ky rekomandim pritet të rrisë në mënyrë direkte të ardhurat në buxhetin e shtetit me rreth 1.5 miliardë lekë, por edhe të frenojë përpjekjen për të fshehur të ardhurat dhe konkurrencën e pandershme që lind për këtë shkak”.
Në të njëjtën linjë duhet të ulet dhe pragu i pagimit të TVSH-së nga 5 në 2 milionë lekë. Nga ana tjetër, organet financiare duhet të marrin në konsideratë llojet speciale të aktiviteteve ekonomike si punët artizanale apo të llojeve të ngjashme, të cilat pavarësisht nivelit të xhiros marrin materialin bruto nga natyra, pa pasur mundësinë për të kredituar TVSH-në për blerjet e mundshme.
Ndërsa Esmeralda Ballesha, nga Forumi Kombëtar i Biznesi tha se forumi rekomandon Ministrinë e Financave në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë që të marrë në konsideratë zbatimin e reduktimit të TVSH-së në sektorin e bujqësisë nga 20 në 10%, si një mjet që do të nxiste bujqësinë dhe do të tërhiqte investitorët e huaj në këtë sektor. “Qeveria duhet të japë garanci për ndjekjen në vijimësi të praktikave të mira të qeverisjes së financave publike të vendeve të BE-së dhe në nxitjen e prodhimit bujqësor, si dhe në mbrojtjen e bizneseve agropërpunuese dhe të vetë fermerëve nga ndryshimet e shpeshta në sistemin fiskal të vendit”, tha ajo.

Artikulli paraprakQeveria aprovon vizitën e Vuçiç në Kosovë
Artikulli tjetërSenati amerikan hap rrugën e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO