Sindikata e minatorëve paralajmëron protesta

Rrëzimi në Komisione i propozimit të LSI-së për statusin e minatorëve është pritur me kritika nga këta të fundit, të cilët thonë, se do të nisin protestat. Kreu i Sindikatës së Minatorëve, Fiqiri Xibri thotë, se projektligji u rrëzua me katër pretendime që nuk qëndrojnë. Ai i kërkoi deputetit Spahiu të këmbëngulë për miratimin e statusit. Një ditë, pasi Komisioni i Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë rrëzoi propozimin e LSI-së për statusin e minatorit, përfaqësues të sindikatave kanë paralajmëruar protesta kundër qeverisë. Fiqiri Xibri, kryetar i Sindikatës së Minatorëve: Ne sigurisht që do tentojmë të organizohemi sa më shpejt, për të dalë në protesta, sepse është një qëndrim skandaloz i mbajtur nga Partia Socialiste dhe qeveria. Fiqiri Xibri, kryetar i Sindikatës së Minatorëve, bën të ditur, se mazhoranca rrëzoi propozimin me katër pretendime, që sipas tij nuk qëndrojnë. Fiqiri Xibri, kryetar i Sindikatës së Minatorëve: Janë katër argumenta, të cilat janë ngritur nga qeveria, që ka një kosto dhe nuk duan të përballen, ka ndeshje me Kushtetutën dhe Kodin e Punës, që nuk është e vërtetë, krijohen vështirësi, pasi ka akte të tjera ligjore për të drejtat e minatorëve dhe krijohen vështirësi në zbatimin praktik, por që nuk është e vërtetë, dhe i shton punë Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe kaq. Nga ana tjetër, ai i bën apel deputetit Përparim Spahiu që të mos tërhiqet nga propozimi dhe ta dërgojë atë për votim në Kuvend. Fiqiri Xibri, kryetar i Sindikatës së Minatorëve: Ne shpresojmë që ai të mos tërhiqet, madje i kërkojmë publikisht Përparim Spahiut të mos tërhiqet dhe ta çojë për votim, pasi ky vendim është një turp i Partisë Socialiste dhe Qeverisë nëse nuk e miratojnë, turp që do i mbetet përjetë. Këtë të hënë, deputetët e shumicës dhe të opozitës diskutuan projektligjin për statusin e minatorëve të propozuar nga LSI, ku me shumicë votash të mazhorancës ai u rrëzua. Deputetët e opozitës deklaruan, se votimi kundër këtij statusi është kundra interesave të minatorëve dhe ish-minatorëve që e presin atë prej vitesh. Projektligji mbi statusin e minatorit synon të rrisë pagën minimale për këtë kategori, uljen e viteve të daljes në pension dhe rritjen e mbështetjes sociale për minatorët dhe ish-minatorët. Në industrinë e minierave në Shqipëri deri në vitet ‘90 kanë qenë të punësuar mbi 40 mijë persona, ndërsa deri tani në galeritë e minierave në vend kanë humbur jetën 468 minatorë.

Artikulli paraprakPas hoteleve, përgjysmohen taksat edhe për ndërtimet për zyra
Artikulli tjetërTë fundit në rajon, spitali i papërballueshëm për shqiptarët