Pas hoteleve, përgjysmohen taksat edhe për ndërtimet për zyra

Ndërtimet e reja që do të kenë si qëllim hapësira për zyra dhe jo për banim do të paguajnë gjysmën e taksës së infrastrukturës. Kjo do të thotë që përqindja që do të aplikohet është 4 për qind e çmimit të shitjes për metër katror. Vendimi pritet që të diskutohet këtë të mërkurë në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak. Në argumentin e dhënë nga ana e Bashkisë së Tiranës për këtë lehtësi qëndron në thelb balancimi i sipërfaqeve të dispononueshme për shërbime në raport me banesat.
“Me anë të këtij akti synohet që pas plotësimit të ndërtimeve të reja me një sipërfaqe zyrash prej 30 mijë kilometra kator ky vendim pushon së ekzistuari dhe nuk ka efekte ligjore dhe taksimi të ndërtimeve të reja edhe për qëllime zyrash në këto nën njësi do të jetë i njëjtë me atë për qëllime banimi 8 për qind të çmimit për shitje për metër katror, ashtu siç parashikohet në vendimin bazë nr.59 datë 30.12.2015 i Këshillit Bashkiak “Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës”.
Politika që synon shtyrjen graduale të zhvillimit drejt shtimit të zyrave është ulja e taksës së ndikimit në infrastrukturë për këtë nënkategori të përdorimit të shërbimeve në territorin e përcaktuar në Aneksin bashkëlidhur vendimit dhe taksimi i këtyre sipërfaqeve sipas shkallës së taksës së pasurisë së paluajtshme për veprimtari ekonomike, e cila megjithëse sjell një impakt momental në buxhetin e Bashkisë është një e ardhur, e cila nga viti në vit kompenson dhe tejkalon këtë vlerë, duke siguruar një buxhet të qëndrueshëm në institucionin tonë”, thuhet në relacion.
Zonat ku pritet të aplikohet ky diferencim në taksë janë në total dy e para në Bulevardin e Tiranës dhe e dyta me një shtrirje më të gjerë ku përfshihet edhe “rruga e Elbasanit.
Taksa e ndikimit në infrastrukturë është një pjesë e rëndësishme në zërin e të ardhurave të pushtetit vendor. Në 9-mujorin e 2017-ës totali i të ardhurave nga kjo taksë ishte 4.4 miliardë lekë ku 71.4 për qind u regjistruan në buxhetin e Bashkisë së Tiranës.

 

Artikulli paraprakPse Rama fsheh faljen e 12 miljeve detare Greqisë?
Artikulli tjetërSindikata e minatorëve paralajmëron protesta