Simeone te Interi, te Atletico as që e mendojnë diçka të tillë

Ëndrra e tifozëve të Interit është të shohin një ditë Diego Simeonen në stolin e skuadrës zikaltër. Në fakt edhe vetë tekniku argjentinas e dëshiron diçka të tillë, por për momentin ai nuk ka ndërmend të largohet nga Atletico e Madridit. Në një intervistë për mediat italiane, El Cholo deklaroi se në të ardhmen do të ulet në bankinën e Interit, pasi zikaltërit vazhdojnë të mbeten në zemrën e tij pas përvojës që pati në Milano si futbollist. 45-vjeçari nga Buenos Airesi ndodhet prej 5 vitesh në drejtimin e Los Colchoneros dhe gjatë kësaj periudhe, Diego Simeone falë grintës që e karakterizon ka arritur ta shndërrojë Atleticon në një skuadër të frikshme edhe për dy gjigantët e futbollit spanjoll siç janë Reali i Madridit dhe Barcelona.
Falë punës së tij me formacionin bardhekuq, El Cholo tashmë konsiderohet si nga nga trajnerët më të mirë në botë dhe me të drejtë drejtuesit e Interit shikojnë te argjentinasi njeriun ideal për stolin. Gjasat janë që Simeone të qëndrojë deri më 2017-tën te Atletico për të marrë më pas drejtimin e 18 herë kampionëve të Italisë, edhe pse në shtëpinë e Los Colchoneros as që e mendojnë diçka të tillë. Drejtori sportiv i klubit bardhekuq, Jose Luis Perez Caminero në një intervistë u shpreh se zërat që kanë dalë në media për një largim të mundshëm të Simeones janë thjesht thashetheme. “Nuk e mendojmë lamtumirën e argjentinasit, pasi jemi të bindur që ai nuk ka ndërmend të largohet nga Altetico as në të ardhmen”, shtoi në përfundim Caminero.

Artikulli paraprakBarcelona në kërkim të Coutinho
Artikulli tjetërStevan Jovetiç drejt largimit nga Interi