Si u zbulua në Itali klani shqiptar i kokainës prej 2 milionë eurosh

Dhjetë persona u arrestuan të mërkurën nga policia italiane, furnizuesi, dy familjet dhe punëtorët për shitje. “Corriere” shkruan se trafiku i drogës në këtë zonë është intensiv dhe shqiptarët janë mbizotërues ndryshe nga se ndodh në Milano. Grupet shqiptare shpesh herë konfliktohen me njëri-tjetrin për kontrollin e trafikut të drogës nga Ballkani.
Kështu, më 10 nëntor të vitit 2016, u vranë Alban dhe Agron Lleshaj, 37 dhe 31 vjeç, të cilët u masakruan me dhjetëra plumba në makinën e tyre. 5 shqiptarë janë arrestuar nga policia majin e kaluar. Gazeta shkruan se ekuilibrat janë të brishtë, grupet luftojnë për kontrollin e territorit dhe shpesh përfundon me vrasje. Një 31-vjeçar shqiptar u vra janarin e kaluar, ndërsa vrasësi u arrestua në fund të marsit.
Dy ditë më parë, u ndalua Emiljano Biqmeti, 33 vjeç, për vrasjen e një djali, të moshës 24-vjeçare mbrëmjen e 15 shtatorit. Vrasja ndodhi në Cermenate, provincën e Comos, krahinës më veriore të territorit zonë e kthyer në grindje të reja shqiptare.
Ata janë trafikantë të përpiktë. Mbajnë shënim hyrjet dhe daljet si dhe llogaritë shkruhen çdo ditë. Në muajin prill u arrestua një trafikant, i cili më pak se një muaj ka lëvizuar kokainë me vlerë 630 mijë euro. Çdo gjë e shkruar në një fletore. Dhe një tjetër “libër” është kontrolluar gjatë një aksioni nga policia në Legnano.
Dorian Daja, 37 vjeç, në shtëpinë e tij në Via Belluno në Canegrate ka kontrolluar lëvizjet e kokainës për 2.374 milionë euro në tetë muaj. Daja ishte grosist i kokainës, duke e lëvizur atë në Como, Milano, Arezzo, Prato, shkruan gazeta italiane “Corriere”.
Ai është furnizuesi i dy familjeve shqiptare, të cilat e shpërndanin më pas në tregun me pakicë, ku bazë ishin baret në Villa Cortese dhe qendra sociale të San Vittore Olona. Në një pjesë të Lombardisë, kuintalët e kokainës dhe heroinës lëvizin çdo muaj, ndërsa trafiku është në duart e “kartelit shqiptar”.
Gazeta shkruan se në këtë zonë, krimi shqiptar është themeluar prej vitesh për shkak të kanaleve të bollshme të furnizimit; kokaina nga Holanda, ndërsa heroina dhe marijuana nga Ballkani.
Konsumatorët janë gjithmonë të uritur për lëndën narkotike. Provë për këtë janë qindra orë regjistrime nga kamerat e fshehta të policisë në Legnano në barin dhe klubin e përdorur si bazë të drogës, ku kishte mbi 40 shitje në ditë. Kur vinin konsumatorët në kafe, shitësi i jepte qesen nën tavolinë.
Historia e një djali të ndaluar nga policia pas blerjes përcakton qartë aktivitetin e përditshëm: “Me të hyrë në bar iu afrova njërit prej djemve. Ai menjëherë mendoi arsyen e vizitës. Ai më dha gjysmë gram kokainë dhe unë pagova 45 euro. Pastaj piva kafe, pagova dhe dola. Unë nuk e kam numrin e telefonit të atij personi, por e kam prezantuar atë tek një mik. E dija se do ta gjeja gjithnjë”, tha dëshmitari.

Artikulli paraprakKapen në Greqi 211 kg drogë nga Shqipëria
Artikulli tjetërRama, arrestime masive në LSI, në pranga 5 punonjës të AKU