Si rrezikohet jeta e kalimtarëve në akset Fier-Vlorë dhe Lushnjë-Fier

Qindra qytetarë që udhëtojnë në Vlorë rrezikojnë jetën çdo ditë. Rruga Fier-Vlorë ka probleme të rënda me sigurinë rrugore. Në të dy akset e autostradës së “Pavarësisë”, nyjet lidhëse në dy urat e nënkalimeve krijojnë gropa dhe barriera të forta, të cilat janë burim aksidenti për çdo mjet që kalon.
Prej vitesh, situata është lënë në këtë gjendje, ndërsa Banka Botërore dhe qeveria shqiptare miratuan një fond prej 128 milionë eurosh për mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve në të gjithë vendin. Tenderin me vlerë 14 milion euro për mirëmbajtjen e akseve të jugut e fitoi bashkimi i kompanive  “Elikatechnical Commerce” dhe “Salillari”, të cilat kanë si pjesë të kontratës edhe rregullimin e barrierave në këto segmente.
Menaxheri i projektit për mirëmbajtjen e rrugëve, Elton Nasto tha se, “kompanitë e kanë nisur zbatimin e kontratës në mes të shkurtit, si afat kanë 6 muaj që të bëjnë rehabilitimin, por 2 muaj ka zgjatur vendosja e kantierit dhe dy muaj të tjerë është vendosja e sinjalistikës. Tashmë janë brenda afatit për të bërë rregullimin barrierave në këtë aks”.
Prej 4 muajsh e gjysmë firma ende nuk ka rregulluar këto deformime të rrugës, ndërsa afati që i mbetet është 1 muaj e 10 ditë. A do t’i mbarojë dot brenda afatit dhe në mes të sezonit turistik? Deri tani në këtë aks janë vendosur vetëm disa tabela, të cilat paralajmërojnë disa metra më parë automjetet që duhet të ulin shpejtësinë nga 110 km/h në 20.
Situata është e tillë edhe në një tjetër nyje të rëndësishme që lidh Veriun e vendit me Jugun e Shqipërisë. Barrierat në rrugë për makinat që kalojnë me 90 km/h janë edhe në segmetin Fier-Lushnjë pranë nënkalimit të Kolonjës. Mungesa e sigurisë në rrugë edhe në këtë aks është bërë shkak për dhjetëra aksidente.

Artikulli paraprakAnijet greke derdhin mbetjet në det, ndotin sërish Ksamilin
Artikulli tjetërI gjithë vendi në flakë, 10 vatra zjarri në pyje vetëm dje