Si Prokuroria dhe regjimi po tentojnë të manipulojnë vrasjen, kërkojnë ta paraqesin si “vrasje për vetëmbrojtje”

Sipas burimeve gazetareske grupi hetimor ka marrë dëshminë e policit vrasës dhe një version i rremë i kësaj ngjarje po kërkon të manipulojë këtë krim shtetëror. Po synohet që vrasja të justifikohet si “vrasje për vetëmbrojtje” dhe në dosje thuhet se para se të ekzekutohet 25-vjeçari ka pasur një përleshje mes policit dhe viktimës.

Burime nga grupi hetimor thanë dje se është saktësuar e gjithë dinamika se si ka ndodhur ngjarja ku mbeti i vrarë 25-vjeçari Klodian Rasha. Sipas raportit paraprak të Prokurorisë së Tiranës, efektivët e patrullës së Policisë, teksa po kontrollonin një automjet tip “Chevrolet”, në afërsi të bar “Xh…”, kanë konstatuar një person rreth 30 metër larg automjetit që po kontrollohej, duke qëndruar i mbështetur në një pemë.

Efektivi i Policisë ka deklaruar se e ka thirrur personin e panjohur, duke iu drejtuar: “O djali, ndalo pak!”. Por ai është larguar menjëherë, duke kaluar mes për mes rrugën “Dritan Hoxha”.

Në momentin që ai ka kaluar në rrugën kryesore, efektivi i dytë që ndodhej duke kontrolluar automjetin “Chevrolet” është vënë në ndjekje të tij. Ndjekja ka vazhduar për disa metra nga mbrapa ndërtesave që ndodhen në anë të rrugës kryesore. Në raport, referuar versionit të Policisë, thuhet se në anën tjetër të rrugës, në vendin e quajtur rruga “At Zef Valentino”, pasi ka ndodhur vrasja, nga kontrolli i Policisë është gjetur një armë zjarri, pistoletë “Mini Blovv”.

Por vendi ku është gjetur arma, me vendin ku ishin punonjësit e Policisë, është në një largësi të konsiderueshme dhe për shkak të ndriçimit të dobët, është e vështirë të shihet arma. Pistoleta është gjetur në anën tjetër të rrugës, në një kthesë.

Sipas dëshmisë që citohet në raport, ka pasur një ndjekje për disa metra, madje edhe një përleshje fizike mes viktimës dhe efektivit të Policisë. Madje ai pretendon se është rrëzuar dhe ka qëlluar me armë fillimisht drejt gjymtyrëve të poshtme të Klodian Rashës.

Sipas prokurorit të çështjes, pranë dyqanit të pjesëve të këmbimit, që ka kamera sigurie, por që deri tani ende nuk është bërë e mundur këqyrja e tyre, është qëlluar nga ana e punonjësit të Policisë dhe është fiksuar një gëzhojë aty para.

Por edhe pas të shtënave, Klodian Rasha ka vazhduar të vrapojë për t’u futur në rrugicën në krah të dyqanit, por është qëlluar sërish nga pas, në pjesën e shpinës. Në këtë kohë ai është rrëzuar në tokë, duke mbetur i vdekur në vend.

Artikulli paraprakDjali i ish-kryeministrit: Do dal edhe sot në protestë për vrasjen e Klodian Rashës
Artikulli tjetërBerisha: Të paraqesësh vrasjen si vdekje tragjike është njëlloj si të vrasesh për së dyti viktimën