Si policia mban nën kontroll pistën e avionëve në Manzë

Zyrtarët e lartë të Policisë së Durrësit mbajnë nën kontroll zonat nga ku trafikohet kanabisi drejt Italisë. Denoncimi është bërë nga një punonjës policie, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha, ku shprehet se zona e Ishmit dhe Gjiri i Lalzit mbahen nën vëzhgim të plotë nga disa oficerë policie me urdhër të drejtorit të Policisë Durrës, Çullhaj. “Polici dixhital denoncon: Implikimin e drejtuesve të Policisë së Qarkut të Durrësit në trafikun e drogës! Sb”, shkruan Berisha në një postim në Facebook, duke publikuar të plotë mesazhin e punonjësit të policisë, i cili kërkon që të ruhet anonimati për shkak se e heqin nga puna.
“Zoti Berisha, ju përgëzoj, pasi vetëm ju jeni zëri i qytetarit në këtë situatë kriminale që është krijuar ku të gjithë bëjnë veshin e shurdhër. Desha t’ju vë në dijeni që në zonën e Ishmit dhe të Gjirit të Lalzit ka disa kohë që e mbajnë nën vëzhgim të plotë disa oficerë policie me urdhër të drejtorit të Policisë Durrës zotit Çullhaj: Ata janë Ermir Shehaj me detyrë shefi i Krimeve Durrës, Melsi Koçi me detyrë shefi i Rendit në Policinë e Durrësit, Arbër Zemani me detyrë shef i Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë Qarku Durrës, përveç këtyre edhe oficerë nga Tirana që nuk i njohim. Këta nuk kanë lejuar asnjeri të afrohet në atë zonë dhe as punonjësit e policisë së postës Manëz të afrohen pranë zonës ku u zbulua pista ku ngeci avioni. Të gjithë policët e postës së Manzës e dinë, por asnjëri nuk flet nga frika se mund të transferohen apo dhe të përjashtohen nga detyra në mënyrë të menjëhershme.
Të gjithë punonjësit e postës së Policisë Manëz e dinë se çfarë bëhet në ato zona ku dhe skafet lëvizin çdo natë. Ermir Shehaj, shefi i krimeve është i lidhur me të gjithë kriminelët e zonës së Plazhit të Durrësit me të cilët ka dhe fitimin e tij në punët e tyre kriminale. Para disa kohësh, patrullat ndalojnë një makinë të blinduar dhe personi, i cili njihet si person me të shkuar kriminale, pasi ka kryer 20 vjet burg për vrasje, ka qenë i armatosur, ndërkohë komandanti i patrullave, Arjan Qali me urdhër të Ermir Shehajt e ka liruar personin bashkë me armën dhe e ka lënë të vazhdojë i qetë! Eshtë i tmerrshëm presioni i eprorëve që po bëjnë këto ditë ndaj ne punojnësve që askush të mos guxojë të flasë! Ju lutem publikojeni dhe anonim ju lutem se çfarë nuk pritet nga këta kriminelë!”, përfundon mesazhi i punonjësit të Policisë nga Durrësi.

Pista e avionit në Ishëm

Në mesin e muajit shtator, një avion me drogë ngeci në Ishëm. Ngarkesa që mbante në bord avioni kishte 2 ton drogë dhe ky ka qenë shkaku që avioni nuk ka mundur të ngrihej. Avionë të tillë mbajnë deri në 1.5 tonë ngarkesë, ndërsa trafikantët e kanë ngarkuar atë me 2 tonë, duke mos arritur që avioni të ngrihej. Avioni i pilotit italian, Guidi, nuk ka qenë i pari që ka bërë transportin e drogës drejt Italisë. Ai ka qenë avioni i tretë i ngarkuar me kanabis. Dy avionët e tjerë kanë fluturuar para tij dhe nuk janë rrëzuar.
Italiani Guido Guidi ka ulur avionin e tij në Ishëm vetëm për të marrë drogën dhe mjeti i tij fluturues nuk ka pasur asnjë defekt dhe në zonën e Ishmit në Durrës nuk ka pasur asnjë turbulencë ajrore, që mund të sillte rrëzimin e tij. Burimet nga organi i akuzës bëjnë të ditur se, pas kryerjes së hetimeve ka rezultuar se avioni është ulur qëllimisht në Ishëm në pistën e përgatitur posaçërisht.

R.POLISI

Artikulli paraprakProkurori me djalin zëvendësministër persekuton protestuesin
Artikulli tjetërNjë histori rrënqethëse për të birin e Kristaqit