Si po lirohen pasuritë e të “fortëve”/ Dosja Bajri kalon në Shkodër, SPAK: S’është kompetencë e jona

Gjykata e Posaçme vendosi të dërgojë dosjen “Bajri” në Prokororinë e Shkodrës, pasi konstatoi se SPAK nuk është kompetent. Për të dyshuarit ka rënë akuza e grupit të strukturuar kriminal.

Për të akuzuarit Safet Bajri, Ilir Bajri, Behar Bajri, Astmer Bilali, Ismet Idrizi, Emrah Plaku, Enver Bajri ka rënë akuza e grupit të strukturuar e grupit kriminal dhe do të hetohen tashmë në Prokurorinë e Shkodrës.

Policia zhvilloi një operacion të bujshëm në 22 shtator të 2018, ku 11 persona u arrestuan në kuadër të operacionit ‘OAZ’, ndër të cilët edhe Safet dhe Enver Bajri.

Fillimisht ata akuzoheshin për një sërë veprash penale si “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, në bashkëpunim, “Vrasje me dashje”, e kryer në bashkëpunim, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, “Organizim i llotarive të palejuara”, “Pastrim i produkteve të veprës penale” të kryer në bashkëpunim, “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë”, kryer në bashkëpunim, “Përkrahje e autorit të krimit”, ‘Moskallëzim krimi”, “Prodhim e shitje e lëndëve narkotike”, të gjitha këto të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Grupi akuzohej për dy vrasje, njëra në 7 shkurt 2001, ku u vra shtetasi A.T., dhe ngjarje e datës 20 qershor 2002, ku u vra shtetasja F.H., 15 vjeçe. Po ashtu akuzoheh edhe për një kanosje ndaj disa shtetasve për të dhënë shumë parash, por duket se të gjitha këto akuza tashmë do të hetohen nga prokuroria e Shkodrës.

Pak kohë më parë grupit Bajri i skadoi dhe afati i paraburgimit, dhe duke qenë se nuk u konkluduan hetimet, ata kërkuan lirinë, por prokuroria shtoi disa akuza të reja, duke bërë që të zgjatej koha e paraburgimit.

Artikulli paraprakPasojat e frikshme të koronavirusit në ekonominë kineze
Artikulli tjetërAksident i rëndë/ Makina del nga rruga dhe kthehet përmbys, dy të plagosur