Si po kthehet media në një vegël të propagandës së Erionit

“Nuk ka gjëra të sigurta në këtë jetë, përveç taksave dhe vdekjes”, ka thënë Benxhamin Frenklin. Nëse do jetonte sot, Frenklin do shtonte edhe daljen Erion Veliaj në TV si diçka të sigurt. Nuk ka ditë që kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj të mos dalë në çdo portal lajmesh me llërët e përveshur, duke inauguruar apo inspektuar punimet diku nëpër Tiranë. Qeveria, deputetë dhe shumë kryebashkiakë kanë shkuar me pushime këto kohë, por i vetmi që duket sikur punon në këtë vend është Erion Veliaj.
Ai nuk mungon çdo ditë në media, duke treguar ‘bëmën’ e rradhës që ka bërë duke u shfaqur në një kronikë të mirëkuruar. Kjo mani për të dalë çdo ditë në media, shpeshherë e ka bërë që Veliaj dhe stafi i tij të shpikin çdo lloj forme vetëm që kjo të ndodhë. Ditën e sotme, media i bën jehonë vënies së disa mbrojtëseve anash rrugës te rruga e ‘Elbasanit’, një pune të zakonshme të një bashkie. Po ashtu edhe pak ditë më parë, u reklamua në media ndërrimi i disa stolave apo edhe krasitja e shkurreve. Në asnjë vend të botës, gjëra të tilla nuk cilësohen lajme.
Vetëm për t’u shfaqur në media si punëtori më i madh në Shqipëri, Veliaj ka kaluar në ekstrem, duke bërë lajm çdo punë të rëndomtë që ai bën. Sigurisht që stafi i tij i PR-it, ku punojnë më shumë 60 persona, duhet ta justifikojë rrogën, qoftë edhe me lajme të tilla qesharake. Biles, edhe kur ai është jashtë vendit për disa ditë, ashtu siç tregoi sistemi TIMS, kronikat e Veliajt shfaqeshin çdo ditë në ekranet e TV-ve tona, duke na krijuar imazhin e rremë që ky njeri as pushime nuk bën.
Ajo që është e çuditshme në gjithë këtë histori, është jehona që i jep media Veliajt. Asnjë zyrtar tjetër i shtetit nuk merr kaq shumë vëmendje sa kryebashkiaku i Tiranës, as vetë Kryeministri Rama. Duket sikur media është dashuruar me ish-MJAFT-istin e dikurshëm që tani drejton Bashkinë më të madhe në vend. Televizionet furnizohen nga kronikat dhe tekstet e gatshme të stafit të PR-it të Veliaj dhe i transmetojnë fanatikisht ashtu siç vijnë, duke e zhbërë rolin e gazetarit e duke u kthyer në një vegël propagande. Normalisht që drejtuesit e televizioneve kanë interesat e tyre, ku disa prej tyre fitojnë leje ndërtimi e disa të tjerë marrin kiosa në gjithë Tiranën.
Çdo veprim i Veliaj është një lajm për median në vend, qoftë kjo edhe frymëmarrja e tij, por çuditërisht nuk është lajm se Tirana po betonizohet me ndërtesa shumëkatëshe të miratuara nga vetë Veliaj.
Për median tonë nuk është lajm fakti se, plehrat mbushin kryeqytetin dhe se diferencimi i tyre ishte një mashtrim i madh, sepse kazanët e diferencuar hidhen në të njëjtin kamion. Për median, nuk është lajm fakti që shkollat janë pa sistem ngrohjeje dhe se prindërit paguajnë para nga xhepi për të blerë mjete në shkolla e çerdhe. Gjithashtu, për median nuk është lajm puna e të miturve në në landfille, apo qoftë edhe vrasja e tyre, fakt që është lënë në harresë. Rritja e çimit të ujit dhe cilësia e tij po ashtu nuk është lajm për median tonë, por ama mjafton që Veliaj të pijë ujë Boville dhe menjëherë bëhet lajm.
Kushtet në autobuzat urbanë dhe trafiku nuk përbëjnë lajm, por sigurisht që hipja e Veliajt në njërin prej tyre shndërrohet në lajm që raportohet nga TV kombëtare në edicione lajmesh. Kudo ku kryebashkiaku shkel, gjërat shndërrohen në parajsë. Shohim vetëm njerëz të lumtur dhe pamje përrallorë në materialet filmike që jepen në media, aq sa edhe vetë ata që jetojnë çdo ditë në zona të caktuara të Tiranës, dyshojnë veten.
Nga ana tjetër, qytetarët e Tiranës, larg kamerave HD dhe fotove të edituara përballen me një realitet ndryshe që nuk afrohet aspak me atë të reklamuarin nga Veliaj dhe vazhdojnë jetën e tyre në një qytet që po uzurpohet çdo ditë e më shumë nga betoni dhe të jesh një hapësirë publike të gjelbërt është kthyer në një mision të pamundur. Ndërkohë media duket sikur ka bërë një aleancë të fshehtë me Veliajn, një aleancë që është kundër qytetarëve në këtë rast, duke krijuar me anë të propagandës mediatike imazhin e rremë e një kryebashkiaku-superman.

Lapsi.al

Artikulli paraprakManjani: Holanda të vendosë vizë vetëm për ambasadoren
Artikulli tjetërAhmetaj me biznesmenin e Ramës, a po shiten postet ministrore