Si po e shet Rama Shqipërinë, një muaj para mbarimit të mandatit të tij

Një muaj e gjysmë para përfundimit të mandatit, qeveria dhe mazhoranca po merr vendime abuzive në lidhje me koncesionet apo ndërtimet që do i kushtojnë shtrenjtë qeverisë që vjen, e cila do të jetë e detyruar që t’i shfuqizojë. Bëhet fjalë më shumë për ndarje pazaresh, apo detyrime të prapambetura që qeveria aktuale po i miraton me shpejtësi, duke dhënë imazhin se parandjen një humbje të sigurt në zgjedhjet e ardhshme.  Pa asnjë lloj kriteri, dhe pa asnjë lloj studimi, pasuria kombëtare po kalon në duar të klientëve të saj, duke bërë që vendi të monopolizohet nga vetëm një grusht i caktuar njerëzish afër Edi Ramës. Për shembull. Qeveria ka marrë një vendim, i cili zgjat me 15 vjet një nga koncesionet më të mëdha në vend, atë të industrisë së bakrit. Me propozim të Ministrisë së Energjisë, Këshilli i Ministrave miratoi në mënyrë të beftë një projektligj, i cili e lë thuajse të gjithë industrinë vendase të kromit në duart e privatëve edhe për 30 vjet të tjera nga tani. Projektligji, i cili i është dërguar Parlamentit amendon marrëveshjen ekzistuese të lidhur në vitin 2001 nga ish-qeveria socialiste e Fatos Nanos, duke i dhënë kompanisë private “Nesco Metal” të drejtën të shfrytëzojë 3 minierat më të mëdha të bakrit në vend, atë të Munellës, Lak Roshit dhe Karmës deri në vitin 2046. Veç minierave, kompania ka me koncesion edhe fabrikën e pasurimit të bakrit në Fushë-Arrës dhe atë në Mjedë. Kjo është kontrata e dytë në industrinë minerare, që qeveria i zgjat afatin. Pak muaj më parë, po me propozim të Damian Gjiknurit, qeveria zgjati me 10 vjet afatin e koncesionit edhe për minierën e kromit të Bulqizës. Të dy këto koncesione janë dhënë nga ish-qeveria socialiste e Fatos Nanos dhe u zgjatën nga qeveria socialiste e Edi Ramës. Qeveria e justifikon zgjatjen e kontratës koncesionare me një argument të çuditshëm, atë se kompania ka përmbushur kushtet e marrëveshjes. “Koncesionari në këto 16 vite veprimtari jo vetëm ka plotësuar të gjitha detyrimet e tij kontraktuale, por edhe ka investuar mbi parashikimet e marrëveshjes. Kjo ka sjellë edhe nevojën e ndërhyrjes së tanishme në parashikimet e marrëveshjes koncesionare”, thuhet në relacionin shoqërues të projektligjit. Pra, arsyetimi absurd është që meqë e ka shfrytëzuar për 16 vjet, por duhet t’i jepet dhe 30 vjet të tjera.

Copëtimi i Tiranës

Por jo vetëm kaq. Qeveria po në emergjencë e sipër dërgoi në Parlament dhe një tjetër projektligj absurd në lidhje me ndërtimin e një kulle 350 metra të lartë në Tiranë, nga një kompani arabe. Leja u miratua nën kujdesin e Ramës në KKT, por kjo nuk ka të bëjë vetëm me lejimin e ndërtimit të saj. Kompanisë do i jepet falas dhe një territor prej 25 mijë metrash katrorë hapësira publike. Një pjesë e saj është shpronësuar me paratë e shtetit, “për interesa publike”, ndërsa tani i jepen privatit për ndërtim. Por favoret ndaj kompanisë nuk mbarojnë me kaq. Me anë të projektligjit që i është dërguar Kuvendit, kompania “Al Habtoor investment LLC”, e regjistruar në Emiratet e Bashkuara Arabe, me seli në Dubai, për 15 vjet do të përjashtohet nga çdo taksë doganore, apo taksë tjetër mbi kapitalin, tatim mbi fitimin e të tjera si këto. Në fakt, kompania spo bën gjë tjetër vetëm se po kryen një ndërtim në Tiranë, investimi i të cilës kap vlerën e 250 milionë dollarë, por nuk është ndonjë investim jetik për vendin që t’i bëhen të gjitha këto përjashtime. Flitet se pas kompanisë në fjalë qëndrojnë klientë të Edi Ramës, që e kanë parë ndërtimin e saj si një mënyrë të mirë fitimi. Kompania nuk shton as vende pune, dhe investimin e bën për interesa të saj, ndërkohë që ka investime si fjala vjen TAP, që ka miliarda dollarë investim dhe hapjen e mijëra vendeve të punës, që nuk i janë bërë këto tolerime. Skandalit të faljes së taksave, i shtohet dhe copëtimi i Tiranës me kullat në çdo cep të saj, vendime këto që u morën po me shpejtësi dhe pa asnjë konsultim me grupet e interesit, nga ana e Edi Ramës. Ndërtimi i mbrapa hotel “Tiranës”, shënon një skandal më vete pasi hapësira e dhënë aty është shpronësuar nga fondet e buxhetit të shtit, dhe po i jepet një kompanie për ndërtim. Një skandal i padëgjuar më parë, për mënyrën se si shpërdorohen fondet dhe si abuzohet me pronën në këtë vend. Në të njëjtën linjë shkon dhe ndërtimi i kullës 133 metra të lartë në rrugën e “Elbasanit”, dhe kjo e dhënë në mënyrë urgjente nga Edi Rama, një ndërtim që gjatë kohës kur ishte në opozitë e kish kundërshtuar me forcë. Dhe ta mendosh se atëherë bëhej fjalë vetëm për një ndërtim prej 9 katesh, dhe jo të një kulle 133 metra siç po ndërton sot ai!

Artikulli paraprakLaboratorët e drogës, si është kthyer kanabisi në industri?
Artikulli tjetërDetaje mbi trafikimin në Itali të 1.5 ton drogë