Laboratorët e drogës, si është kthyer kanabisi në industri?

Gjatë fundjavës tre laboratorë modernë të kultivimit e paketimit të kanabisi janë zbuluar në Tiranë, Fier e Skrapar: Më 15 prill u zbulua në një pallat në Fier një laborator droge. Në 6 dhoma me sipërfaqe prej 220 metra katrorë, u gjetën të kultivuara 2784 bimë kanabis dhe 2820 kubikë me fidanë kanabisi. Po ashtu, u gjetën dhe 167 bimë në proces tharjeje.
Më 14 prill – pesë kilometra larg qendrës së Tiranës, në një prej ish-tuneleve të ish-Uzinës së Autotraktorëve u zbulua një laborator droge. Brenda tunelit, të izoluar dhe të pajisur me llamba të fuqishme elektrike dhe me gjithë infrastrukturën e nevojshme, u gjet një sasi e konsiderueshme kubikësh të mbjellë me kanabis. Më 12 prill – u zbulua në Skrapar një laborator modern për përpunimin e kanabisit me rreth 2000 vazo të mbjella me lëndë narkotike. Pak ditë më parë, në një magazinë aty pranë u gjetën 1,2 tonë kanabis i tharë gati për t’u hedhur në treg.
Duket se zbulimi i këtyre tri laboratorëve kultivimi dhe trafikimi i kanabisit është kthyer në një industri të vërtetë në vend. Grupet e narkotrafikantëve investojnë shuma parash për të pajisur ambiente të mëdha me llamba të fuqishme elektrike, me pajisjet e nevojshme për mirëmbajtjen, tharjen dhe paketimin e kanabisit dhe me gjithë fuqinë punëtore të nevojshme.
Kjo industri me fitime marramendëse nuk mund të funksionojë dhe të zhvillohet pa tolerimin e heshtjen në rastin më të mirë, e bashkëpunimin e institucioneve shtetërore në rastin më të keq. Gjatë kësaj fundjave 18 punonjës, mes tyre dhe një shef policie, u arrestuan nën akuzën për bashkëpunim në trafikun e drogës. Kjo tregon se bandat e trafikut të drogës kanë kapur institucionet shtetërore dhe se për të luftuar kanabisin duhen luftuar dhe lidhjet e policisë me të.
Kryeministri Rama dhe ish-ministri i Brendshëm Tahiri vazhdimisht e kanë mohuar fenomenin e “kanabizimit” të vendit. Por aksionet e fundit ku u zbuluan laboratorë gjigantë duket se hedhin poshtë pretendimet e zotit Rama e zotit Tahiri pretendimet se “po bëjnë shtet” e se “vendi nuk është i kanabizuar”. Zbulimi i njëpasnjëshëm i laboratorëve të kanabisit përforcon denoncimet e vazhdueshme të opozitës dhe raporteve të ndërkombëtarëve.

Artikulli paraprakAsnjë tërheqje, qeveri teknike, çmontim i krimit
Artikulli tjetërSi po e shet Rama Shqipërinë, një muaj para mbarimit të mandatit të tij