Si mashtron qeveria me rritjen ekonomike

Një ndryshim kontabël në mënyrën se si deklarohet xhiro e agjencive të turizmit ka dhënë një ndikim të ndjeshëm në rritjen e prodhimit të brendshëm bruto për vitin 2015.
Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2015 ekonomia shqiptare shënoi një rritje në terma realë (në volum) prej +2,59% krahasuar me vitin 2014, pas një rritje prej +1,83% në vitin 2014 krahasuar me vitin 2013.
Sipas PBB-së me metodën e prodhimit, kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë degët e ekonomisë “Ndërtimi” me 1.23 pikë përqindje, “Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative” me 0,67 pikë përqind “Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia” me 0,33 pikë përqindje, “Arte, argëtim dhe shërbimet e tjera” me 0,16 pikë përqindje, “Aktivitete financiare dhe sigurimi” me 0,13 pikë përqindje, “Informacioni dhe komunikacione 0,13 pikë përqindje, dhe “Aktivitete të pasurive të paluajtshme” me 0,07 pikë përqindje. “Tregti, transporti, akomodimi e shërbimi ushqimor” është grupi i aktiviteteve që ka kontribuar negativisht në rritjen ekonomike me-0,09 pikë përqindje. Taksat neto mbi produktet kontribuan respektivisht me -0,23 pikë përqindje.
Por, pikërisht, kontributi i zërit të dytë, “Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative”, me 0.67%, apo në gati një të katërtën e rritjes, rezulton të ketë ardhur nga ndryshimet në Ligjin 92/2014 të TVSH-së, sipas të cilit të ardhurat përfaqësojnë vlerën totale të shitjeve të biletave e shërbimeve të ngjashme, në ndryshim nga periudhat paraardhëse, ku të ardhurat përfaqësonin komisionet e përfituara nga shitja e biletave dhe shërbimeve. Kjo ka sjellë një shumëfishim të xhiros së agjencive të udhëtimit, që në fakt nuk është real, duke bërë që disa kompani të kërcejnë automatikisht në listën e 200 VIP-ave. Për shembull, Globus Travel, më e madhja e sektorit, në vitin 2015, ka parë një rritje të ndjeshme të xhiros, nga 51 milionë lekë në 2.2 miliardë lekë, sipas të dhënave nga bilanci. E njëjta tendencë është konstatuar dhe për operatorin tjetër turistik, Albtours D, që ka parë rritje të lartë të të ardhurave nga 156 milionë lekë në 1.8 miliardë lekë, pikërisht për shkak të ndryshimit të formës së raportimit të të ardhurave. Albanian Experience është një tjetër operator udhëtimesh dhe turistik me rritje nga 641 milionë lekë në 1.4 miliardë lekë.
Edhe indeksi i shifrës së afarizmit më 2015-n tregoi një rritje të ndjeshme të agjencive turistike, që lidhej pikërisht me këtë ndryshim në mënyrën e deklarimit të xhiros, ndërsa vetë agjencitë deklaronin rritje minimale të aktivitetit. Për shembull, për Globus Travel, ky ndryshim në raportim, i ka shtuar automatikisht kompanisë një xhiro prej 2.1 miliardë lekësh, ndërsa komisionet nga shitja e biletave ishin rreth 62 milionë lekë (nga 51 milionë lekë vitin e mëparshëm), sipas bilancit, duke i bërë praktikisht të pakrahasueshëm dy vitet.
Sipas të dhënave nga INSTAT, zëri “Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative”, zinte 5.7% të prodhimit të brendshëm bruto më 2015-n, nga 5% që ishte kjo peshë një vit më parë, duke shënuar rritjen e dytë më të lartë në peshë, pas ndërtimit që u zgjerua me 1 pikë përqindjeje.
Në këtë zë përfshihen: Aktivitete profesionale, shkencore dhe teknike; Shërbime administrative dhe mbështetëse; Aktivitete juridike dhe të kontabilitetit; aktivitete të përgjegjsave të zyrës; aktivitete konsultimi të menaxhimit; Aktivitete arkitekture dhe inxhinjerike; testime teknike dhe analiza; Kërkim dhe zhvillim shkencor; Publiciteti dhe kërkimet e tregut; Aktivitete të tjera profesionale, shkencore dhe teknike; aktivitetet e veterinaries; Aktivitete marrje dhënie me qira; Aktivitete të punësimit; Agjenci udhëtimi, operator turistik dhe të tjera aktivitete të shërbimit të rezervimit; Aktivitetet e sigurimit dhe hetimit; shërbimet për ndërtesat dhe aktivitetet të tjera të mirëmbajtjes; administrimit të zyrave; dhe aktivitetete të tjera mbështetëse të biznesit.
Por, ndërsa rritja e ndërtimit më 2015-n, ka disa faktorë shpjegues si ndërtimi i 5-6 ujësjellësve të mëdhenj, rrugët që po shtrohen në kuadër të projektit të gazsjellësit TAP dhe punimet e infrastrukturës për HEC-et e Devollit, si dhe kthimi i detyrimeve të prapambetura nga qeveria, që është faturuar më 2015-n, përmirësimi i ndjeshëm i zërit “Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative”, duket se lidhet thjesht me mënyrën e faturimit të agjencive turistike. Dhe pa kontributin e këtij zëri, rritja më 2015-n do të luhatej në rreth 2%.

“Monitor”

Artikulli paraprak15 ngjarjet që ndryshuan skenarin ndërkombëtar 2016
Artikulli tjetërProjektet e Procesit të Berlinit për Shqipërinë