Si mashtroi Tahiri për vizitën në Gjermani

Dalin në dritë fakte të reja për mashtrimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri për vizitën e tij në Gjermani. Fillimisht në media u tha se, Tahiri u largua drejt Gjermanisë për të vizituar babain e tij, i cili kishte shkuar për të bërë një ndërhyrje kirurgjikale. Por e vërteta është krejt ndryshe. Ish-kryeministri Berisha, duke iu referuar oficerit dixhital, thekson se gjatë datave 17-20 nëntor, kohë kur Tahiri ndodhej në Gjermani, rezulton se babai i tij Bashkim Tahiri, sipas sistemit TIMS nuk ndodhej në këtë shtet. Në një postim në Facebook Berisha shkruan se, Saimir Trafiku ka mashtruar drejtësinë dhe Parlamentin!
“Oficeri dixhital denoncon mashtrimin kriminal të Saimir Trafikut për motivin e largimit të tij në Gjermani në kundërshtim dhe thyerje flagrante të Kushtetutës dhe vendimit të Parlamentit. Sipas tij, bazuar në të dhënat e sistemit TIMS, Saimir Trafiku ka qenë në Gjermani nga data 17 deri më datën 20 nëntor dhe, po sipas sistemit TIMS, Bashkim Tahiri në këto data nuk ka qenë fare në Gjermani, por vetëm në Shqipëri. Edhe njëherë bëj thirrje t’i hiqet menjëherë mandati këtij trafikanti gangster. Lexoni mesazhin e oficerit dixhital!”, shkruan Berisha.
“Përshëndetje Doktor. Sipas sistemit TIMS, Saimir Tahiri ka qenë në Gjermani nga data 17 deri 20 nëntor. Por në këtë kohë babai i tij, Bashkimi ka qenë në Shqipëri e jo në Gjermani siç deklaron ai”, shkruan oficeri i policisë.
Një investigim i “Top Channel” për motivet e udhëtimit të Saimir Tahirit në Gjermani rrëzon versionin se, ish-ministri udhëtoi për të qenë pranë babait. Ky motiv u dha nga burime pranë ish- ministrit. Por nga të dhënat që siguroi “Top Channel” kjo alibi nuk qëndron. Koha dhe vendi kur udhëtoi Bashkim Tahiri, nuk korrespondojnë me udhëtimin e të birit. “Disa burime sugjeruan të premten se, vizita mund të kishte karakter familjar dhe zoti Tahiri ndodhej në Gjermani pranë një të afërmi të tij të operuar. Por, të paktën sipas të dhënave të biletës që disponon “Top Channel”, ky i afërm i deputetit Tahiri kishte rezervuar një udhëtim vajtje-ardhje drejt Mynihut në fund tetorit-fillim nëntorit. Burimet për “Top Channel” konfirmojnë se në këtë udhëtim të premten e datës 17 nëntor drejt Gjermanisë, deputeti Tahiri jo vetëm ka pasur për destinacion Hamburgun dhe jo Mynihun, ku u operua familjari i tij, por ka qenë i shoqëruar nga një ish-vartës në Ministrinë e Brendshme”, raportoi “Top Channel”.
Shoqërimi i Tahirit nga një ish-vartës në Ministrinë e Brendshme e bën akoma më të dyshimtë udhëtimin drejt Gjermanisë dhe ngre pikëpyetje për qëllimin e vizitës. Që pas arrestimit të Orest Sotës me 863 mijë euro dhe dy patentat e Tahirit, ish-ministri ka heshtur, duke shtuar dyshimet për akuzat e rënda që i bëhen për përfshirje në trafikun e drogës me bandën e Habilajve.
Parlamenti votoi që Tahiri të mos dalë nga Shqipëria. Në dokumentin e miratuar në 25 tetor, shpjegohet se Kuvendi ka dhënë autorizim Prokurorisë për kontrollin e banesës, por edhe për mos lejimin e daljes jashtë shtetit. “Kuvendi miraton dhënien e autorizimit për kontrollin personal dhe të banesës për deputetin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Saimir Tahiri. Dhënien e autorizimit për ndalimin e daljes jashtë shtetit, detyrimin për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore, ndalimin dhe detyrimin për të qëndruar në një vend të caktuar, si masë shtrënguese të heqjes së lirisë në kuptim të shkronjave “a”, “b” dhe “c”, të nenit 232, të Kodit të Procedurës Penale”, thuhet në vendim.

Artikulli paraprakAjo çfarë e inkriminon Kryeministrin
Artikulli tjetërProkuroria: Eurot në makinën e Sotës janë të Tahirit, nga aktiviteti kriminal