Si funksionojnë shërbimet sekrete kineze

Marco Giaconi

Në regjimin komunist kinez inteligjenca përdoret në radhë të parë si aset i luftës psikologjike. Por, parasëgjithash, Kina komuniste i përdor shërbimet e saj për të përkufizuar paradigmën e përdorimit të forcave të saj të brendshme dhe shpejtësinë e kriteret e projeksionit të saj të ardhshëm. Nëse në krizën e Bashkimit Sovjetik KGB-ja dhe sidomos “Drejtoria e Parë Qëndrore” e saj kanë vendosur që ta sakrifikojnë partinë për të shpëtuar një pjesë të sistemit dhe ta transferojnë Luftën e Ftohtë në planin e konfrontimit gjeoekonomik, shërbimi sekret kinez ka mbështetur gjithmonë lidhjen midis partisë, forcave të armatosura, sistemin ekonomik.
Në terma organizativë, agjencia parësore e inteligjencës së brendshme kineze është vetë Ministria për Sigurinë e Shtetit, MSS, një sigël që të kujton shumë atë të KGB-së, që është një “komitet” për sigirinë e shtetit dhe, ja vlen të kujtohet mirë, është pjesë e aparatit burokratik të Partisë Komuniste sovjetike, nuk është një agjenci shtetërore në të cilën Partia Komuniste ushtron hegjemoninë e saj në drejtim të realizimit të socializmit. MSS-ja është reformuar më 1993, në kulm të përkufizimit të “Katër Modernizimeve” në brendësi të shoqërisë dhe të ekonomisë kineze, mbi gërmadhat e Ministrisë së Sigurimit Publik (MPS) që akoma sot ruan pushtete në sektorin e kundërspiunazhit dhe në kontrollin e burokracisë rajonale të shtetit e të partisë.
Çdo ministri e Pekinit që zhvillon aktivitete rutinë jashtë vendit ka një seksion të sajin të inteligjencës së brendshme, shumë ministri kanë edhe një seksion të tyrin të veçantë për “çështjet me Tajvanin” apo edhe me çështje që kanë të bëjnë me Makaon dhe Hong Kongun. Duhet pasur parasysh se, “kapitali në rrezik” i parë që mundësoi daljen e “Katër Modernizimeve” vinte jo nga brenda, krejtësisht e privuar nga resurset pas fazës vetëshkatërruese të Hopit të Madh Përpara dhe të Revolucionit të Madh Kulturor e Proletar, as nga tregu akoma i mbyllur global financiar, por nga “ura e lulëzuar”, komuniteti i pamatë dhe shpesh i pasur i kinezëve të emigruar në të gjithë Azinë e Paqësorit dhe deri në Shtetet e Bashkuara. Qe ky rrjet që pati mundësi të investojë, në kushte të favorshme, në atdhe dhe mbi të gjitha – zgjedhja nuk qe e rastësishme – në zonat bregdetare të Jugut, si zona autonome e Shenzenit, afër me Hong Kongun, ku kapitalet vinin me të gjitha mënyrat, ligjore e jo ligjore, dhe ku, në vizionin e Ten Hsiao Pinit, pasuria e re do të qetësonte afshet e mbetura e Gardistëve të Kuq, që e kishin qendrën e tyre organizative në Shanghai.
Ministria e Punëve të Jashtme e Pekinit është e ndarë në 6 departamente, të ndara sipas zonave gjeografike: Çështjet Afrikane, Amerikane e Oqeanike, Çështjet Aziatike, Sovjetike (sot natyrisht Ruse) dhe të Lindjes Europiane, Zona e Azisë Perëndimore dhe e Afrikës Veriore, Çështjet Europiane Perëndimore. Të gjitha strukturat e inteligjencës kineze janë aktive njëkohësisht si jashtë vendit, ashtu edhe në atdhe, logjika dominuese europiane dhe e Shteteve të Bashkuara në diferencimin midis shërbimeve të “jashtme” dhe aparateve të sigurisë të “brendshme” është krjtësisht e panjohur për strukturën e shërbimeve kineze. Nëse kemi të bëjmë me një vend si Kina, që i duhet t’ia imponojë modelin dhe nevojat e saj të gjithë botës, për të proceduar siç duhet në rritjen e saj hegjemoniste në Azi, atëhere ku gjendet dallimi i vërtetë midis të jashtmes dhe të brendshmes? Vetëm në Shtetet e Bashkuara, Shërbimi i Inteligjencës Kineze ka hedhur në lojë 1500 midis diplomatëve nën koperturë dhe përfaqësues tregtarë, 70 struktura zyrtarë të Republikës Popullore dhe pjesën më të madhe të drejtuesve të komuniteteve të mëdha kineze të pranishme në territorin amerikan.
Tradicionalisht, shërbimet kineze (por kjo ndodh edhe në struktura të tjera, si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim) i drejtojnë operacionet e tyre ndaj vendeve – shënjestër nga një bazë e ndodhur në një vend të “tretë” dhe aty ka një organizëm të Partisë Komuniste Kineze, të mbiquajtur në anglisht Political Legal Leading Group, i cili merr njoftime nga MSS-ja për të zhvilluar një punë shtypjeje kundër disidencës politike dhe aktivitete të tjera kundërspiunazhi që kanë karakteristika kryesisht politike e “antiparti”, ndërsa MSS-ja, siç ndodhte për KGB-në në fazën finale e Luftës së Ftohtë, përqendrohet sidomos në aktivitetet e spiunazhit ekonomik dhe në transferimin e paligjshëm apo thuajse të paligjshëm të teknologjive e të materialeve të evoluara.
Në metodologjinë e mbledhjes së të dhënave të ndjeshme të dobishme për qeverinë e Pekinit verifikohet një veçanti që të kujton taktikën e guerriljes të adoptuar nga Mao Ce Duni gjatë Marshimit të Madh: “vala njerëzore” ose sistemi “me mozaik”. Një trashëgimi kjo, edhe ideologjike, që për më tepër u përshtatet shumë mirë veprimeve masive tipike të kibernoluftës, që menaxhohet drejtpërsëdrejti nga SAD-i, “Departimenti i Çështjeve Sociale”, shërbimi i parë i vërtetë i inteligjencës së Partisë Komuniste Kineze, i drejtuar në fillimet e tij nga tashmë i famshmi Kan Shen, nxënës i drejtpërdrejtë i shërbimeve të para sovjetike të organizuar nga Feliks Xhexhinskij.
Objektivi i parë i inteligjencës kineze ishte ai i monitorimit të pakicave etnike dhe, sidomos, i kufijve, për të shmangur si një “dhëmb” strategjik për penetrimin e “djajve perëndimorë”, ashtu edhe për të kontrolluar etni tradicionalisht pak të interesuar për ideologjinë komuniste. Në mesin e viteve ’50, aktivitetet e jashtme të SAD-it u morën përsipër nga CID-ja, Central Investigation Department, dukshëm për të shmangur një përqendrim pushtetesh, në një shtet totalitar, në strukturën e vetme të shërbimit, që mund të bëhej arbitër i debatit të brendshëm në Partinë Komuniste dhe, në këtë mënyrë, të caktonte elitën e pushtetit.
Një problematikë e ngjashme me atë që Stalini do ta zgjidhë shumë më thjesht, duke eliminuar Lavrenti Berian, që realisht po menaxhonte një tranzicion të pushtetit sovjetik, që në shumë aspekte do të përcaktonte Glaznostin dhe Perestrojkën e ardhshme. Kriza finale e SAD – CID vjen me Revolucionin e Madh Kulturor e Proletar: struktura e SAD – CID anullohet krejtësisht, për t’u rishfaqur më pas, në lumenjtë karstikë të sistemit komunist kinez, me ardhjen në pushtet të Ten Hsiao Pinit, që e detyroi inteligjencën kineze të përdorë më pak diplomatë dhe shumë më tepër gazetarë e biznesmenë në misionet jashtë vendit, shenjë veç të tjerash se, Teni nuk e kishte “futur” në linjën e tij politike Ministrinë e Jashtme. Kriteri i liderit të “Katër Modernizimeve” ishte ai i traditës zen të inkorporuar në urtësinë strategjike tradicionale kineze, nga 36 Stratagjemat tek vepra e Sun Tzu: Fshih Dritën, Ushqe Errësirën, kriteri për të “mbuluar” aktivitetet e Kinës deri në arritjen e barazisë strategjike e gjeofinanciare me Shtetet e Bashkuara në radhë të parë dhe me të gjithë Perëndimin në një fazë të mëtejshme.
Siç e kemi parë, Ministria e Sigurisë së Shtetit themelohet më 1983 nga një shkrirje, e drejtuar nga “fraksioni” i Ten Hsiao Pinit në Komisionin Qendror Ushtarak, me elementë të ardhur nga CID-ja e vjetër dhe nga njerëz e struktura operuese në sistemin tashmë të vjetër të MPS-së. Dokumentat e prodhuara nga struktura shkojnë drejtpërsëdrejti në duart e Sekretarit të Partisë Komuniste kineze, në ato të eksponentëve kryesorë të Këshillit të Shtetit, në dhomat e Komisionit Qendror Politik dhe në ato të drejtuesve të përzgjedhur të Partisë Komuniste kineze që kurojnë disa prej çështjeve të trajtuara nga raporte të veçanta të inteligjencës.
Informacionet ushtarake shkojnë drejtpërsëdrejti tek Komisioni Qendror Ushtarak dhe nuk prekin organet e tjera të partisë e të shtetit. Shenjë e dukshme e veçantisë së pushtetit të Komisionit Qendror Ushtarak.

Marrë nga libri “Të vrasësh me një shpatë të marrë hua” i autorit Marco Giaconi

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakMacron, qëndrim të ashpër për emigracionin
Artikulli tjetërKush ka frikë nga drejtësia e pavarur …Opozita apo Rama?