Si Çeçua në SPAK

Nga Namir Lapardhaja 

Me radhë, të gjithë si Çeçua, pa dallim, në dyert e drejtësisë, për padrejtësitë 30-vjeçare, për zullumet, shkeljet, hajdutëritë, kusaritë, për arrogancën, jetën e luksit, për paturpësitë, fëlliqësitë, për nëpërkëmbjen e ligjit, talljen me shtetin, ngazëllimi me pushtetin.

Me radhë, të gjithë si Çeçua, me fytyra të vranëta, çehre të hequra, damarë të ballit të fryrë, gjuhë të ashpër, gurmaz të thatë, ecje të pasigurt, mimikë të ngrirë, duar që s’të binden, këmbë që s’të lëvizin, ngrëç që s’të lëshon.

Me radhë, të gjithë si Çeçua, sepse arroganca juaj nuk njihte kufij, prepotenca juaj nuk respektonte asnjë limit, shfrenimi juaj nuk njihte asnjë modesti.

Me radhë, të gjithë si Çeçua, sepse, ndërsa ju pasuroheshit, njerëzit varfëroheshin, ndërsa ju kapardiseshit, njerëzit shkeleshin, ndërsa ju abuzonit me ligjin, njerëzit zvarriteshin dyerve të gjykatave, ndërsa ju llogarisnit përqindjet e tenderave, njerëzit llogarisnin vaktin e ngrënies, ndërsa ju numëronit tualetet dhe WC-të, njerëzve u shëmbnin çatinë mbi kokë.

Me radhë, të gjithë si Çeçua, sepse, në vend që të ushtronit pushtet, e trajtuat shtetin si trashëgimi familjare, në vend që të ishit të përulur, u treguat arrogantë, në vend që të ishit shërbëtorë, u treguat skllavopronarë, në vend që të sakrifikonit për shtetin, u kapët me thonjë pas pushtetit, pa e menduar që kjo ditë do vinte një ditë.

Artikulli paraprakPD, deputetja Eralda Tase Bano: Buxheti i qeverisë për vitin 2024, është i mjerimit, i shkatërrimit dhe i denigrimit të plotë arsimit të lartë
Artikulli tjetërTenderi i rrugës Kardhiq-Delvinë, sot seanca gjyqësore për ish-drejtoreshën e ARRSH-së, Sonila Qato