Shukriu fshihej në Tiranë kur u arrestua nga Prokuroria

Ish-kreu i Bashkisë Dibër, Shukri Xhelili është arrestuar pasditen e djeshme me akuzën për “Korrupsion pasiv” në formën e kërkimit të favoreve seksuale. Gjykata ka vendosur të pranojë kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe ka vendosur dje masën e sigurisë “arrest me burg” për kryetarin e Bashkisë Dibër deri para pak ditësh. Xhelilit i janë vënë prangat si i dyshuar për veprën penale të “Korrupsionit pasiv” në formën e kërkimit të favoreve seksuale prej shtetases A.A, në këmbim të emërimit në një vend pune në strukturat e varësisë së Bashkisë Dibër. Bëhet e ditur se vendimi i Gjykatës është ekzekutuar nga ana e forcave të Policisë së Shtetit.
Kryetari i Bashkisë së Dibrës fshihej në Tiranë që pas publikimit të skandalit seksual në media. Ai menjëherë pas lirimit nga Policia e Dibrës është vendosur në kryeqytet. Ndërkohë, arrestimi i tij është bërë dje rreth orës 19 e 45 pas lëshimit të urdhër arrestit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Kapja dhe ndalimi i tij u bë në Tiranë nga Strukturat e Drejtorisë për Krimin Ekonomik e Financiar në Policinë e Shtetit, bën të ditur Policia e Shtetit.
Xhelili u përfshi në një skandal seksual pas publikimit të video-përgjimit nga një 20-vjeçare me iniciale A. A., të cilës i kishte kërkuar marrëdhënie seksuale në këmbim të një vendi pune. Mbi ish-kreun e Bashkisë së Dibrës rëndojnë tri akuza, të cilat mund të ndëshkojnë Shukri Xhelilin deri në 18 vjet burg. Akuza e parë është ajo për marrëdhënie seksuale, duke shpërdoruar detyrën, akuza tjetër është ajo e shpërdorimit të detyrës, ndërsa akuza e tretë ndaj ish Kryebashkiakut të Peshkopisë është ajo e korrupsionit pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike.
Para pak ditësh, Tv “Ora News” publikoi një videoskandal ku kreu i Bashkisë së Peshkopisë i kërkonte seks një vajze 20-vjeçare në këmbim të një vendi pune në Bashki. Pretendimi i saj ishte se Kryetari i kësaj bashkie i kishte premtuar se do t’i gjente një punë në administratën e Bashkisë, nëse vajza pranonte të kryente marrëdhënie seksuale me të. Denoncuesja nëpërmjet telefonit, kishte lënë takim në zyrën e kryetarit për t’i kërkuar një vend pune, teksa ai, sipas saj, i kishte kërkuar favore seksuale.
I zgjedhuri socialist i zgjedhjeve lokale të vitit 2013 është “kapur mat”, ndërsa premton vende pune për vajzat e reja, duke kërkuar favore seksuale. Shukri Xhelili është kapur në shtratin e një hoteli privat në Tiranë, ku shfaqet në video madje dhe me mbathje të grisura.
Pas publikimit të video-skandalit seksual që kishte në qendër ish-kreun e Bashkisë Peshkopi, Shukri Xhelilin, i cili premtonte punë dhe rritje rroge kundrejt favoreve seksuale, protagonistja e kësaj historie është kërcënuar nga njerëzit e tij. 20-vjeçarja është shprehur se nuk është penduar për realizimin e videos, ndërsa kërkon të largohet nga Shqipëria, pasi ndihet e rrezikuar.
20-vjeçarja me iniciale A. A. rrëfen se videon e ka bërë, pasi ndihej nën presionin e kryetarit të Bashkisë dhe se pas kësaj çështje nuk ka arsye politike apo premtime për para. Edhe nëna e saj është shprehur se kanë marrë kërcënime dhe nuk del dot nga shtëpia.

R.POLISI

Artikulli paraprakDEA amerikane përjashtoi Tahirin nga hetimi për baronin e drogës, Balilaj
Artikulli tjetërMziu në Turqi me ftesë të Unionit të Bashkive në Samitin Ndërkombëtar për Integrimin Social