Shtypi gjerman komenton zhvillimet në Ballkan

Mitrovica e ndarë dhe shpresat për një të ardhme mbi rrënoja. Mali i Zi i përçarë dhe akuzat për puç që acarojnë Rusinë. Shtypi gjerman i kushton vëmendje Ballkanit.
Në një reportazh të gazetës gjermane “Berliner Zeitung” për Mitrovicën e ndarë vihet fokusi tek serbët e fundit që jetojnë në pjesën jugore të qytetit të ndarë. Prifti serb, Nenad Stojanoviç beson në të ardhmen, megjithëse “Mitrovica si asnjë qytet tjetër në Kosovë është simbol i ndarjes mes shqiptarëve dhe serbëve”. Bashkë me familjen Nenad qëndron në pjesën shqiptare, bashkë me serbët e fundit që jetojnë aty. “Ata janë dëshmitarë të historisë së vështirë të këtij qyteti, por me këmbënguljen e tyre edhe një sinjal se është e mundur një e ardhme mbi rrënoja”, shkruan gazeta gjermane.
Kisha ortodokse megjithëse në gjendje jo të mirë, sidomos pas trazirave të marsit 2004 në Kosovë, e përmbush mesa duket qëllimin, ardhjen e serbëve edhe në pjesën jugore të qytetit. “Pa liturgjitë e mia do të vinin shumë më pak serbë në pjesën jugore”, thotë Nenad Stojanoviç. Komuniteti është i vogël, megjithatë situata në vitet e fundit është përmirësuar. “Sot njerëzit e kanë kuptuar, se duhet të gjejnë gjuhën me njëri-tjetrin… nëse dikur përgjegjës për ruajtjen e kishës ishin ushtarët e KFOR-it, sot këtë detyrë e kryen një polic i njësisë policore të Kosovës”.
Që nga koha kur prifti Nenad Stojanoviç jeton në kishë nuk ka pasur asnjëherë incident aty. Ai do ta mbajë larg politikën nga kisha. “Dëshira e tij është katër fëmijët e tij të rriten në një Kosovë të sigurtë. Këtë qëllim ai e sheh si të dëmtuar për shkak të propagandës nga të dyja palët”, shkruan “Berliner Zeitung”. “Nga fillimi i vitit retorika mes Prishtinës dhe Beogradit është ashpërsuar”.

Gjurmë në Moskë?
Ndërsa gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung” i kushton vëmendje puçit të dyshuar në Malin e Zi dhe fajësimet drejtuar Moskës në një artikull të së mërkurës me titullin “Një puç i dyshuar dhe gjurma e Moskës”.
Mali i Zi, ndodhet në pragun e anëtarësimit në NATO. Mungon vetëm miratimi i katër vendeve anëtare, por “Rusia është kategorikisht kundër” dhe u shpreh se do të reagojë si duhet. “FAZ” pyet “nëse tek këto reagime bën pjesë edhe përpjekja për puç në Malin e Zi gjatë zgjedhjeve parlamentare në tetor 2016? Këtë e pretendojnë qeveria dhe Prokuroria e Malit të Zi. Ka prova që agjentë rusë ndodhen pas përpjekjes për puç, thotë prokurori i posaçëm, Milivoje Katniç”. Ministri i Jashtëm rus, Lavrov i hodhi poshtë menjëherë këto akuza.
“FAZ” vëren se, “dyshimet për gjurmë ruse u shtuan atëherë kur kryeministri serb, Aleksander Vuçiç u shpreh, se forcat serbe të sigurisë, kanë kapur një grup të dytë personash me të njëjtën detyrë, pas të cilëve ndodhet ‘një shtet i tretë’. Menjëherë pas kësaj udhëtoi pa paralajmërim në Serbi, Nikolay Patrushev, sekretari i Këshillit rus të Sigurisë dhe një njeri i afërt me Putinin”, shkruan “FAZ”.
Gazeta gjermane vëren se Mali i Zi është i përçarë dhe se opozita e Frontit Demokratik akuzoi së fundmi Djukanoviçin se po e fut vendin “në luftë qytetare”.

Artikulli paraprakMiratohet liberalizimi i vizave në Gjeorgji
Artikulli tjetërBota ka nevojë për Bashkimin Europian