Shtyhet gjyqi ndaj “grupit të zjarrit”, mungonin oficerët e RENEA-s

Shtyhet gjyqi ndaj 11 të pandehurve të Lazaratit, që akuzohen për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha mëngjesin e 24 qershorit të vitit 2015. Shkak për shtyrjen, u bënë mosparaqitja e efektivëve të RENEA-s, të cilët ditën e vrasjes ishin në patrullë bashkë me viktimën. Në shkresën e policisë drejtuar Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku konfirmohet mos paraqitja e 7 efektivëve të RENEA-s për shkak se ndodhen në misione të ndryshme, drejtori i Policisë Haki Çako i kërkon togave të zeza të ruajnë identitetin e efektivëve të tij.
Sipas Çakos, 7 policët e RENEA-s për shkak të pjesëmarrjes në misione të ndryshme, kërkohet që identiteti i tyre të mos publikohet. Pas leximit të kësaj shkrese, ndërhyri prokurori i çështjes, i cili i kërkoi Gjykatës që seancën e radhës pyetja e efektivëve të RENEA-s me cilësinë e dëshmitarëve të bëhet me dyer të mbyllura. Kërkesë kjo që u pranua nga Gjykata e Krimeve të Rënda, e cila caktoi javën tjetër, si datë të vazhdimit të seancës gjyqësore, për të cilën togat e zeza thanë se do të njoftojnë edhe dëshmitarët dhe drejtorin e Policisë së Shtetit, Haki Çako.
Nga ana tjetër në sallën e gjyqit ishin të pranishëm 11 të pandehurit nga Lazarati, të cilët janë arrestuar si bashkautor të vrasjes së efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha. Për arrestimin dhe identifikimin e të gjithë të pandehurve, mësohet se kanë ndihmuar dy të arrestuarit në këtë proces Klodian Selimi dhe Elson Kazma, të cilët kanë bashkëpunuar me drejtësinë, duke treguar me detaje planin e sulmit ndaj Policisë së Ahtetit. Por gjatë procesit gjyqësor, mësohet se dy të pandehurit kanë hequr dorë nga bashkëpunimi, duke mohuar deklarimet e tyre me argumentin se dëshmitë i janë marrë kundrejt dhunës psikike dhe fizike. Të 11 të pandehurit akuzohen si bashkëpunëtorë në vrasjen e efektivit të RENEA-s në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Artikulli paraprak800 kg drogë dhe armë nga Shqipëria bllokohen në Itali
Artikulli tjetërPlagosen me armë dy të rinj në Tiranë