800 kg drogë dhe armë nga Shqipëria bllokohen në Itali

Një sasi prej 800 kg marijuanë, 3 kg kokainë si dhe armë të ndryshme janë konfiskuar nga policia italiane. Droga dhe armët janë futur nga Shqipëria në Itali. Mediat italiane shkruajnë se, Guardia di Finanza ka përfunduar dje në mëngjes operacionin e koduar “Sperem” në provincat e Milanos, Comos dhe Monza Brianza.
Hetimet e prokurorit Antonio Nalesso kanë zbuluar një rrjet të trafikut të marijuanës dhe kokainë nga Shqipëria. Operacioni i madh policor i organizuar nga Guardi di Finanza ka nisur në tre qytete të mëdha italiane. Bëhet fjalë për arrestime në Milano, Komo dhe Monza Brianza, zona turistike dhe mjaft të njohura në Veriun e Italisë.
Një hetim i nisur që në marsin e vitit 2016, ka çuar në arrestimin e 7 personave, shqiptarë dhe italianë. Në këtë operacion të koduar ‘Sperem’ mësohet se janë sekuestruar 800 kilogramë marijuanë, 3 kilogramë kokainë dhe 3 armë zjarri. Sipas policisë, droga e kishte gjithmonë origjinën nga Shqipëria. Deri më tani janë bërë të ditur vetëm inicialet e të arrestuarve.
Kështu të arrestuarit janë: B.B., 36 vjeç, shqiptar, V.M., 32 vjeç, shqiptar, X.B., 42 vjeç, shqiptar dhe E.R., 30 vjeç, shqiptar. Italianët e arrestuar janë me inicialet R.B., nga Komo dhe M.S., 8 vjeç nga Monza. Në pranga është vënë edhe një malazez 27-vjeçar me inicialet B. B.
Po ditën e djeshme autoritetet italiane kanë zbuluar të tjera pako me drogë që dyshohet se janë nisur nga Shqipëria. Mediat italiane raportojnë, se në Porto San Giorgio janë gjetur disa pako me kanabis sativa me peshë totale 25 kilogramë. Pakot me lëndë narkotike janë gjetur të paketuara dhe besohet se i përkasin ngarkesës prej 700 kg kanabis që u sekuestruan në një gomone më 29 qershor të vitit 2016.
Dy ditë më parë, më 10 korrik në mes të detit u gjetën edhe dy pako me 90 kg drogë që dyshohet se janë pjesë e së njëjtës ngarkesë. Autoritetet italiane thonë se, kjo sasi e madhe droge është trafikuar nga Shqipëria vitin e kaluar, por gomonia ishte braktisur dhe pakot ishin përhapur në det.

Si u zbuluan shqiptarët e 2.5 milionë eurove drogë

Pas një operacioni të gjerë antidrogë në tre qytete të Italisë, mediat italiane kanë publikuar detaje të tjera për arrestimin e 7 personave, pesë prej të cilëve shqiptarë, të gjithë menaxherë të trafikut të marijuanës dhe kokainës.
Vendimtare për rezultatin e hetimit ishte identifikimi i dy depove të vendosura në komunat e Albavilla dhe Albese Con Cassano, brenda të cilave janë gjetur 3 kg kokainë dhe 14 kg marijuanë.
Kokaina ishte fshehur në një depo me një fund të dyfishtë e komanduar me një pult makine, e vështirë për t’u identifikuar për shkak të mënyrës unike të hapjes. Trafikantët përdorin një gjilpërë për hapjen mekanike të depos siç shihet edhe në video, ndërsa marijuana ishte vendosur brenda një frigoriferi akulloresh.
Hetimet e mëvonshme u kanë lejuar hetuesve të zbërthejnë të gjithë skemën kriminale të organizatës dhe kanë rindërtuar me detaje rrugët e ndjekura prej tyre për trafikun e drogës.
Më vonë, në qytetin e Brindisit u konfiskuan 145 kg marijuanë dhe më pas 645 kg në një shtëpi të vendosur në një fermë në provincën e Leçes. Atëherë u arrestuan dy shqiptarë dhe shtetasi malazez, menaxherë të magazinimit.
Mediat italiane shkruajnë se, nëse droga prej mbi 800 kg marijuanë e 3 kg kokainë do të shpërndahej në tregun me pakicë, ata do të përfitonin rreth 2 milionë e 500 mijë euro. Në kuadër të hetimeve, do të konfiskohen edhe 2 apartamente dhe 5 llogari rrjedhëse. Njëkohësisht, policia ka kryer kërkime të shumta në shtëpi të palëve të treta për të zbërthyer të gjithë aktivitetin kriminal.

Artikulli paraprakFormimi i Qeverisë së re të Kosovës në ngërç
Artikulli tjetërShtyhet gjyqi ndaj “grupit të zjarrit”, mungonin oficerët e RENEA-s