Shteti i Edi Ramës si domen qendror në Shqipëri

Vehap KOLA

Politologu dhe studiuesi i shkencave juridike, Carl Schmitt është i njohur për teorinë e tij të “domenit qendror”. Nëse një domen i caktuar fiton pozitë qendrore, “atëherë problemet e domeneve të tjera zgjidhen në termat e domenit qendror – ato konsiderohen probleme dytësore, zgjidhja e të cilave do të kërkohet sigurisht vetëm nëse problemet që i përkasin domenit qendror zgjidhen”. Në ilustrimin e këtij nocioni, Schmitt-i ofron shembullin e progresit teknik europian gjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë, një sferë e progresit që mund të quhet paradigmatike. Shpërthimi masiv i “progresit teknik” ndikoi të gjitha “situatat morale, politike, sociale dhe ekonomike”. Efekti i tij përmbytës i dha atij statusin e “një feje të progresit teknik, që premtonte se të gjitha problemet do të zgjidheshin përmes progresit teknologjik”. U bë “fe e mrekullive teknike, arritjeve njerëzore dhe dominimit mbi natyrën”.
Në Shqipëri, që me ardhjen në pushtet të “Rilindjes” së Edi Ramës, ligjërimi publik është përqendruar rreth asaj që vetë Rama e quan “bërje e shtetit”. Sado që kjo është në fakt një perde gënjeshtare për të mbuluar ofiçinën e stërmadhe të korrupsionit që nuk resht ditë e natë, Rama ia ka dalë që ta shndërrojë “bërjen e shtetit” dhe “luftën kundër informalitetit” – siç i quan ai aksionet dhe fushatat për arkëtimin e detyrimeve të pashlyera ndaj sektorit energjetik, prishjen e ndërtimeve të papërshtatshme (një pjesë e madhe e tyre me leje dhe të hipotekuara) dhe detyrimin e përdorimit të kasave fiskale nga biznesi i vogël – në domenin qendror të diskutimit publik dhe debatit politik në Shqipëri. Duke shtyrë përpara operacionin e dhembshëm dhe të dhunshëm të shlyerjes së detyrimeve ndaj OSHEE-së ai arriti të imponojë dy pozicione dialektike ekstreme dhe ta detyrojë opozitën, që në mos të rreshtohet pas tij, të prononcohet në mbështetje të shlyerjes së detyrimeve dhe të denoncojë rastet e tejkalimit të kufijve ligjorë (duke mos iu referuar të drejtës, por ligjit) ndaj qytetarëve veçanërisht nga policia.
Problemet e vërteta të Shqipërisë si varfëria, – pra kriza e ekonomisë, papunësia, braktisja e vendit nga rinia – krimi, – deri në majat më të larta të institucioneve më të rëndësishme, – drejtësia dhe korrupsioni janë shndërruar kështu në çështje sekondare dhe sa herë bëhen pjesë e ligjërimit publik, janë pjesë e tij vetëm si elementë periferikë të “shtetbërjes” dhe në funksion të “shtetbërjes”. Por, ato mbeten pafundësisht të pazgjidhura, sepse i gjithë veprimi i administratës publike është i përqendruar pikërisht në zbulimin e evazionistëve të vegjël dhe kundravajtjeve të lehta. Si një fe qiellore, “shtetbërja” e “Rilindjes” premton se këto operacione të dhembshme ndaj strukturës kancerogjene të zakonit tregtar apo qëndrimit ndaj shtetit do të sjellin mirëqenien dhe prehjen e përhershme në gjirin e një shteti që meriton të quhet shtet. Sepse shtet – sipas Rilindjes dhe retorit frymëzues të saj, Edi Ramës – është një nocion me ngarkesë absolutisht pozitive, një e mirë që nuk duhet humbur me çfarëdo çmimi, për të cilën është me vend të sakrifikohet gjithçka tjetër. Vetë sakrificat për hir të shtetit janë parathënës të bekimit që ai mbart. Në fund, me realizimin e misionit, bërjes së shtetit, “Rilindja” do të jetë shndërruar në një profeci të përmbushur.
Nuk është për t’u habitur nga utopianizmi i ligjërimit të Edi Ramës dhe oficerëve të tij të propagandës – e gjithë qeveria është shndërruar në një trupë propaganduese, – sepse, edhe në mos e besofshin atë që thonë, – dhe dihet që as nuk e besojnë dhe as nuk e duan – dëmi është bërë dhe po bëhet. Shqipëria është bërë një vend i zymtë. Treguesit e ekonomisë janë negativë. Shpresë nuk ka. Zbritja marramendëse në renditjen vjetore të raportit “Doing Business” të Bankës Botërore është tregues i mungesës së frikshme të besimit. Jo vetëm të huajt, por edhe shqiptarët po e lënë Shqipërinë. Pa u zgjatur shumë, – sepse këto janë fakte të stërthëna deri në detaje – është për t’u habitur me konsensusin e gjerë të partive politike për pozitën qendrore të shtetbërjes, edhe me çmimin e shkatërrimit të çdo gjëje që sot shenjon lirinë, sipërmarrjen, pronën private dhe të drejtën. Përpjekjet e shoqërisë civile tradicionale në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe kohezionit social befas kanë reshtur. Qëndrimi kritik i medias është zbehur në një nivel tragjikomik. Por nuk është zbehur puna e medias në transmetimin e drejtpërdrejtë të ligjërimit demagogjik të Ramës dhe ekipit të tij të ngushtë, si dhe në pasqyrimin sugjestionues të operacioneve për shtetbërjen.
Disa qarqe liberale e kanë parë këtë orientim drejt të ashtuquajturës “shtetbërje” si një kahje etatiste dhe kanë propozuar ulje të taksave dhe reduktim të burokracive. Por, nuk janë shqetësuar për thelbin djallëzor të nocionit rilindës të “shtetbërjes”. Pak njerëz e kanë vënë re se ligjërimi hileqar i “Rilindjes” nuk nis me respektimin e të drejtës, por me respektimin e ligjit, i cili nën pushtetin e Ramës ka qenë shumë i padrejtë. Dëshmi e mjaftueshme për këtë konstatim janë mijëra të burgosurit për kundravajtje të lehta dhe lulëzimi i qetë i korrupsionit, trafikut të drogës dhe imuniteti flagrant i kriminelëve të njohur ndaj ligjit. Kultura e ligjit është një parim diktatorial nëse ajo nuk balancohet nga kultura e drejtësisë, që ç’është e vërteta duhet të jetë frymëzim për ligjbërjen. Pothuaj të gjitha ligjet e miratuara nga shumica e majtë kanë patur si qëllim ashpërsimin e shumëfishtë të dënimit për kundërvajtësit e zakonshëm. Ndaj kësaj gëmushjeje të pashpirt kanë reaguar shpeshherë edhe vetë funksionarët e mazhorancës.
Edi Rama ka dalë sërish në fushatë për të kërkuar një mandat të dytë në qeveri për ta përmbushur njëherë e mirë misionin e bërjes së shtetit. Krejt thjesht, kjo do të thotë një thellim i pranisë së shtetit në jetët individuale dhe komunitare të shqiptarëve përmes taksave më të larta e më të larmishme, kufizimit të lirive njerëzore dhe siç e dëshmon plot kurajë një spot elektoral i Ramës, më shumë gjoba për kundravajtjet e lehta, që zakonisht kryhen nga qytetarët e thjeshtë. Asnjë fjalë për narko-pushtimin e territorit dhe fuqizimin e rrjeteve kriminale që mund të shtrëngojnë çdo hapësirë lirie dhe mund t’u marrin qytetarëve pasurinë, pronën dhe nderin, ashtu siç ua morën vajzat dhe i trafikuan rrugëve të Europës. Asnjë pipëtimë për lidhjen e shumëfishtë të shtetit me organizatat kriminale, për depërtimin e mafiozëve famozë në institucionet më të pushtetshme të shtetit apo falimentimin e sipërmarrjes private përballë sulmit grabitqar të tatimorëve të shtetit. Pra, shteti i Edi Ramës nuk është i interesuar të kryejë asnjë prej funksioneve klasike të shtetit, si mbrojtja e interesit kombëtar, mbrojtja nga krimi, ruajtja e rendit dhe garantimi i konkurrencës në treg. Misioni i shtetit të Edi Ramës është të bëhet gjithnjë e më pjesëtar në pasuritë dhe të ardhurat e shqiptarëve, në të drejtat dhe liritë e tyre, por edhe në përfytyrimin që duhet të kenë për shtetin e tij. Ashtu si progresi teknik, shteti i Edi Ramës kërkon kështu tiparet e mrekullisë, që zhduk çdo padrejtësi, jep çdo ndihmë të nevojshme për të ndërtuar një jetesë të lumtur dhe lehtëson gjithçka që individët dhe komunitetet e kanë të vështirë sot.
E mbetur pa asnjë strukturë komunitare, me familje të shpërbërë dhe pa pronë private, shoqëria shqiptare pret shpëtim vetëm nga shteti, duke e idealizuar rolin e tij dhe duke pranuar, kësisoj, tiraninë e tij. Aq i fortë është shteti i Edi Ramës, sa ai është në gjendje të përcaktojë sot domenin qendror të shqiptarëve, shumë larg nga problemet e vërteta të tyre dhe të fitojë konsensusin e detyruar të pjesës dërrmuese të teksturës sociale. Por cili është rezultati i natyrshëm i qendërzimit të domenit të shtetit me një profil religjioni? Skalitja e një individi tërësisht mosbesues në gjeniun dhe përveçmërinë personale. Ky është qytetari i denjë i çdo republike oruelliane.

Artikulli paraprakMakinë pa timon? Po, ka
Artikulli tjetërTë jesh i djathtë