Makinë pa timon? Po, ka

“Monitor”

Automobili është realisht një objekt shumë kompleks e që, në mbi një shekull nga shfaqja e prototipave të parë vazhdon të perfeksionohet, duke ruajtur e duke theksuar atraksionin te njerëzit për lirinë e lëvizjes që ofron, shpejtësinë e zhvendosjes, u bën të mundur atyre të përmbushin kënaqësinë e eksplorimit të vendeve në distanca nga më të ndryshmet. Të gjitha këto, në kushtet e mbrojtjes nga ambienti e agjentët atmosferikë, por edhe me elementet e sigurisë së lëvizjes, që është përmirësuar ndjeshëm, sidomos në dhjetëvjeçarin e fundit.
Ndonëse në pamje të jashtme e nga këndvështrimi i një drejtuesi mjeti automjeti duket sikur kontrollohet nga një timon, gazi e frenat, prapa llamarinave e mbulesave që na kap syri, fshihen sisteme mekanike, elektrike dhe elektronike të sofistikuara, për realizimin e të cilave punojnë ushtri të pamata profesionistësh, që vazhdojnë të përbëjnë industrinë më të madhe në botë për nga njerëzit e përfshirë, por edhe xhiron monetare të realizuar.
Kur dëgjon politikanët të thjeshtojnë qeverisjen me timonin, qoftë edhe simbolikisht, duket se nuk kanë gjetur krahasimin e duhur. Madje, në fakt, kur dëgjon sesi i hakërrehen njëri-tjetrit për përfitimet e nxjerra nga drejtimi i mjetit, duket se me mendjen e tyre e kanë unifikuar pozicionin e timonmbajtësit dhe të arkëtarit të parave të biletës, në një të vetëm, pra në njëfarë “shofer-faturino”.
E në këtë pozicion, ky shofer-faturino, pasi u merr paratë-taksa, shpesh duke mos iu dhënë as biletë, nuk duket se e vret mendjen se çfarë udhëtimi u ofron pasagjerëve, ku i hipën e ku i zbret, me çfarë shpejtësie, në çfarë kushtesh, a i zë makina, a i përplas apo i gremis në humnerë. Kështu që timoni e frenimi përdoren më shumë për të kthyer e për të ndaluar makinën, për të bërë qokat në interes privat të shoferit-lider apo mikut të ulur në sediljen në krah të tij, se sa për të shpënë në destinacion e në kohën e duhur pasagjerët-popull.
Në fakt, ajo që shoferët-lider komandojnë nuk është thjesht timoni, por do të ishte më e pranueshme të krahasohej me një makinë-shtet, e cila fatkeqësisht nuk vjen e gatshme si një “Mercedes Benz S-Class”, ku janë mësuar të lëvizin si pasagjerë udhëheqësit tanë. Kjo makinë është specifike për çdo vend e komb dhe udhëheqësit e vendit kanë detyrimin e ndërtimit të saj, që të garantojë udhëtim sa më të qetë e pa probleme të qytetarëve që kanë marrë përsipër të transportojnë në udhëtimin e historisë.
Kjo makinë-shtet duhet të ketë disa sisteme që po tentojmë t’i përafrojmë në mënyrë të thjeshtuar me ato të automjetit në rreshtat në vijim:
Së pari, një Kushtetutë solide e të qëndrueshme, sikurse shasia e automjetit që mbron qytetarët-pasagjerë nga faktorë të jashtëm e të brendshëm, që mund të shkaktojnë aksidente apo përplasje, ndonjëherë edhe nga ekseset e vetë drejtuesve. Dhe te kjo shasi-Kushtetutë nuk mund të ndërhyjë për ta modifikuar çdo shofer i radhës që merr drejtimin e makinës.
Një administratë shtetërore eficiente, që do t’i ngjasonte një motori efikas e rentabël, për të cilin është punuar shumë për ta sjellë në parametra të tillë që të përballojë rrugë e jetë të gjatë, por edhe me konsum sa më të optimizuar karburanti, kompleksitetit të të cilit do të bënte mirë t’i rrinte larg timonieri i turnit.
Një Parlament që, me fuqinë ligjvënëse, do të përbënte sistemin e komandës dhe drejtimit e, që nëpërmjet boshtit të timonit dhe rrotave i komunikon mjetit itinerarin e linjën për t’u ndjekur e për ta çuar në destinacion, por edhe në kohë dhe të padëmtuar popullin-pasagjer që ka në përgjegjësi.
Një gjyqësori që, në rolin e një sistemi transmisioni (e ashtuquajtura kambio) e frenimi, të vendosur mes qytetarëve-pasagjerë, që janë qenie të buta njerëzore dhe makinerisë mekanike të një mjeti me konstruksion të pandjeshëm metalik, siç është qeveria e burokracia shtetërore, për ta mbrojtur nga ekseset e kësaj makinerie, që tenton të neglizhojë interesat e qenieve njerëzore të qytetarëve-pasagjerë.
Ajo çka duam të veçojmë në këtë shkrim është fakti se, pavarësisht se mjetet deri më sot kanë pasur sisteme më pak a më shumë të sofistikuara, përsëri ato kanë pasur një varësi të qartë nga një individ (pra, një qenie subjektive me ndërgjegje, por edhe instinkte) që ndodhej në timon e që në fakt, veç timonit, ndikon edhe në shpejtimin e mjetit me pedalin e gazit, edhe në sigurinë e tij me anë të sistemit të frenimit.
Themi deri më sot, pasi tashmë në moshën e internetit dhe të zhvillimeve teknologjike mbresëlënëse, ka lindur makina që mund të lëvizë pa shofer dhe për më tepër, duke garantuar siguri më të madhe, si për pasagjerët brenda mjetit, përfshirë dhe vetë shoferin, por edhe për të gjitha palët jashtë tij, qofshin ato mjete të tjera apo këmbësore. Kush nuk ka dëgjuar tashmë për makinat pa shofer të Google apo Tesla S, makinën krejtësisht elektrike me autopilot?
Në të gjithë botën e përparuar e jo vetëm, po theksohet nevoja që të krijohet sa më parë infrastruktura dhe legjislacioni për të bërë të mundur shtrirjen e përdorimit kudo për mjete të tilla. Synimi është që në vitin 2030, njerëzve t’u ndalohet drejtimi i makinës, për më tepër kur dihet se në 95% të rasteve janë pikërisht ata shkaktarët e aksidenteve. Ndaj, sot flitet me siguri të plotë se ka lindur brezi i fëmijëve që nuk do të kenë nevojë për patentë për të drejtuar makinën.
Kur je në dijeni të sa më lart e kur dëgjon të flitet për kapjen e timonit, nuk ka si të mos të të tundojë ideja që, pas 105 vitesh shteti shqiptar, ndoshta ka ardhur koha që të mendojmë edhe ne të gjejmë një zgjidhje të tillë, që politika të mos ketë synim kapjen e timonit (për ta çuar makinën në përplasjen e radhës), por së bashku me qytetarët, të vendosin të ndërtojnë një makinë shtetërore solide, ku të gjithë elementet përbërëse të sipërpërmendura të kenë ato të shteteve të konsoliduara e që të funksionojë në autopilot, ku individi apo qeveria të mos ketë mundësi të ndërhyjë sipas qejfit, jo vetëm në shasi, motor, kambio, frena, boshte e rrota, por as në timon, gaz e frena. Ajo thjesht do të duhet të monitorojë ecurinë e mjetit dhe të sigurohet se parametrat e fiksuar për guidën janë ato për të cilat qytetarët-pasagjerë i kanë votuar dhe u kanë besuar udhëtimin në drejtimin e itinerarin e përcaktuar dhe me siguri maksimale.
Kur dëgjon rastet e shumta në Europën ku duam të shkojmë, për qeverisje me koalicion të gjerë apo për qeveri teknike besimi, me mbështetje të gjerë, në rastet kur votimet nuk prodhojnë mazhorancë të pastër e ku nuk thërret njeri për ekskluzivitet timoni, nuk ka se si të mos të shkojë ndërmend për këtë qeverisje me autopilot e pa të famshmin “timon”.

Artikulli paraprakSpoti i ri Bashës bëhet hit në internet
Artikulli tjetërShteti i Edi Ramës si domen qendror në Shqipëri