Shtatëdhjetë e dy ditë…

Prof. Dr. Fatmir Terziu 

Një detyrim moral

Prej kohësh më ka shqetësuar një detyrim moral për një krahinë që e meriton atë. Për një krahinë që për mëse katër vjet i përkushtova rininë time në fushën e edukimit të brezit të ri. Për një krahinë që auditoreve shqiptare, rrugicave dhe ecejekave të jetës të dëgjoja një emër disi me nofkë: Golloborda, por që më bënte të ndihesha krenar kur e dëgjoja atë emër.

Por, në rrjedhën e shekujve, ky pozicion i rrëndësishëm gjeografik në “Arbëri” kishte dhe këtë fat të pashkruar mbi varre, mbi atë truall, ku mjaft emra që mbetën në kujtesa e memorje u fiksuan si veprimtarë lokalë, e të tillët si Mustafa Ago Ostreni[1], Hazis Lila[2], Hasan Moglica[3], Veli Balla[4], Elez Koçi[5], Haki Sharofi[6], Vasil Mlladen Pleashku[7], Murat Qoli[8], Hysen Destani (Plaku)[9] etj, etj., bënë jehonë, emër, traditë dhe u bënë shkas që të shkruhet disi një pjesë e kësaj historie, që ende ka mbetur me gojën hapur dhe gëlltit “racione” oreksesh të ndryshme edhe në këtë kohë.

Takoja të përfolurin murator të Gollobordës, dhe më falte krenari, shikoja portretet dhe pikturat e të papërsëritshmit Nexhmedin Zajmi, “Piktor i Popullit”, dhe ndjeja emocion, apo piktorëve të tjerë si, Bajram Mata, Tahir Zeneli, Duro Ibrahimi etj, lexoja kujtimet e Hasan Shahinajt, Dail Halilajt, Ibrahim Allës, Islam Ramës, Fatmir Selimit, Velo Cfarkut, Fidan Markut, Halil Hoxhës etj., dhe ndjehesha kryelartë, komentoja poezitë e dhjetra poetëve të Gollobordës dhe bëhesha letrar ndryshe, shikoja skulpturat e Hamza Halilit, Fitim Sulës, Bashkim Sadikut dhe përhumbesha në to, shikoja filmat dhe skenaret e Esat Musliut dhe s’kisha të ngopur, pastaj shkrimet e studimet e Hilmi Sadikut, Myqerem Tafaj, Ramazan Hoxhës, Besnik Ramës, Cfetan Maznikut, Kujtim Boriçit, Mehmet Hasanit, Kristaq Trajës e mjaft e mjaft të tjerëve, më shtonin dëshirën për të studiuar edhe traditën e tyre të bukur, disa herë të lartësuar në dygjuhësinë e trevës, mes një timbri të jashtëzakonshëm të Gjuhës Shqipe dhe mes qindra e qindra talentëve të fushave të tjera padyshim nuk ka se si të ndihesh ndryshe, veçse i lumtur dhe krenar, për një zonë me kulturë të lartë që ka rrënjë të thella arbërore në kulturën Shqiptare.

Shtatëdhjetë e dy ditë…

Në vitin 1983 shkova për herë të parë të punoj mësues në Ostren të Madh. Vajtja ime natyrisht krijoi miq të rrinj në fshat e në tërë zonën, pasi nxënësit e shkollës së mesme të bashkuar “Elez Koçi” të kësaj shkolle ishin nxënës nga e gjithë zona. Ndër ta ishte dhe djali i tyre nga familja Sadja në Tuçep, një familje e njohur nga të afërmit e mi kohë më parë. Atje thuajse miqësia e vjetër fitoi një kuptim më të avancuar në lidhjen e re midis meje dhe djalit të vetëm të shtëpisë. E ndërsa ftesat ishin të herëpashershme për vizita miqësore dhe raste gëzimesh, ajo që më ka mbetur në mendje është dhe një këngë që u këndua një natë gëzimi, ku kënga që u këndua ishte në dy gjuhë njëkohësisht. Thuhej njëherë një strofë në shqip, e pastaj tjetra pasonte një tekst në gjuhën vendase, duke e përsëritur gjithnjë vargun e parë të strofave të saj. Më bëri përshtypje dhe nisa të mbaja shënimet e mia, ndërsa atë këngë më pas e dëgjova në Klenjë, në pritje të autobuzit të linjës Klenjë-Elbasan, duke u kënduar me fizarmonikë nga B. Buziu, edhe në një dasëm në Lejçan, e në një ndenjë miqësie në një lagje të Ostrenit.

Nuk dihet nga është prurë, kush e ka prurë, as prej sa kohësh ekziston kjo këngë që këndohet prej vitesh në gëzime, grumbullime të tilla, festa familjare e madje edhe në dasma. Kënga është një veçori më vete, që dallon për mënyrën se si këndohet, e cila sikurse e cituam këndohet edhe në shqip, edhe në një gjuhë sllave, të përzier, ku bien në sy fjalë të gjetura nga kërkimet tona dhe përshtatjet, në serbisht, bullgarisht dhe maqedonisht. Bëhët fjalë për këngën “Shtatëdhjetë e dy ditë” (Sedumdeset i dva dana). Këtë këngë, sipas bisedave të shumta me njerëz të moshuar në ato vite, mësova se e kanë kënduar të parët e kësaj treve, por nuk dihej saktësisht, se si e qysh kishte ardhur dhe kishte mbetur. Kështu si një këngë që në fakt përcjell një dhimbje dhe një mesazh më vete të lidhur mes dhimbjes dhe dashurisë, vetëm teksti i saj të shpie mjaft vite larg, vite që sipas tekstit dhe disa të dhënave gojore shkojnë e prekin kohën e sundimit Otoman. Ajo që bën më shumë përshtypje është dygjuhësia. Pse duhej të këndohej që hershëm edhe shqip në një zonë ku thuhet se banorët e saj flisnin gjuhën bullgare? Kjo pyetje shton mjaft arsye që të shkohet më thellë.

Dhë, më tej interesimi im vazhdoi dhe kështu shënimet e mia u zgjuan, ndërsa koha dikton ende më shumë të gjenden fakte në lidhje me dygjuhësinë e kësaj treve, për të cilën janë ndalur disa studiues dhe gjuhëtarë, ku midis të tjerave spikat edhe Gjovalin Shkurtaj. Shkurtaj këtë problem, pra të dygjuhësisë e quan ndryshe në zonën e Gollobordës, pasi ai mbështetet dhe pranon atë që disa studiues vendas e quajnë të lidhur që në ekzistencën e hershme arbërore në këtë trevë (Shkurtaj, 2009: 312). Shkurtaj, i cili bazohet në të dhënat e grumbulluara hershëm nga historiani Hilmi Sadikaj, duke u ndalur tek gjeobilingualizmi sllavo-shqip, thekson se “një situatë dygjuhësie shqip-maqedonisht a shqip-bullgarisht ka edhe Golloborda e Dibrës, porse aty sipas studiuesve vendas problemi i origjinës së saj është i ndryshëm dhe mund të kemi në origjinë popullsi arbëreshe (shqiptare), që ka marrë edhe gjuhën bullgare dhe jo element etnik bullgar të ardhur në Gollobordë” (po aty). Ndërsa problemi i dygjuhësisë mbetet një problem i vështirë për tu prerë me thikë, pasi problem të ngjashëm nuk ka vetëm kjo trevë, por dhe zona të tjera, sepse brenda territorit shqiptar, gjuha shqipe është në kontakt me 9 gjuhë të tjera: Greqisht, Arumunisht, Malazez, Boshnjak, Romë, Egjiptian, Maqedonisht, Bullgarisht dhe Serbisht, ku pesë prej tyre janë gjuhë sllave, ajo që duhet theksuar është gjithnjë një vështirësi për të gjetur fakte bindëse. Sipas studiueses Migena Balla vështirësitë për të mbledhur të dhëna të sakta janë të mëdha (Balla, 2018: 94).

Por, ndërsa dygjuhësia është një problem i njohur tashmë, dhe vështirësitë janë shtuar, ajo që duhet theksuar dhe mbetet një rëndësi e veçantë për ta argumentuar dhe sqaruar të bazuar në gjetje dhe fakte argumentuese shkencore, sikurse është kënga “Shtatëdhjetë e dy ditë”, apo dhe ndonjë tjetër, ndoshta dhe valle, sikurse është “Pajtushka”, e cila mbetet e njëjtë në të gjithë territoret ballkanase, natyrisht kërkon vëmendje më të madhe argumentuese shkencore.

Ndaj, le të ndalemi në fillim tek kuptimi i tekstit të kësaj kënge, që ashtu sikurse vallja “Pajtushka”, ka bërë bashkë mjaft kultura ballkanase, madje ka bërë që kjo këngë të shfaqet ndjeshëm në dygjuhësi. Kështu, shprehja “Shtatëdhjetë e dy ditë” ka një kuptim të vërtetë, që mes atyre që e kënduan dhe atyre që e trashëguan më tej, ndoshta është përgjithësisht një gjë e panjohur. Simbolika i referohet asaj kënge popullore “Shtatëdhjetë e dy ditë me radhë, në zemrën time u hap një plagë” (mbase emri është më i shkurtër).

Kënga, sikurse e cituam më lart, është e vjetër. Atëherë çfarë duhet të thotë kjo këngë me “Shtatëdhjetë e dy ditë”? Provoj shkurtimisht me atë që kam mbajtur shënim, me atë që ndoshta ka mbetur, si një dëshmi dhe një enigmë për rrjedhën e saj në dygjuhësi, për arsyet e saj që e sjellin deri në gëzime e dasma, kur ajo në fakt flet ndryshe me mesazhin e saj plot dashuri e dhimbje.

Gjatë sundimit, një zotëri i serës së lartë, bej ose aga, kishte të drejtën e tij të miratuar me ligjin e asaj kohe, të kishte nuse në shtëpinë e tij për shtatëdhjetë e dy ditë dhe netë, dhe jo vetëm natën e parë të martesës. Pse kështu, dhe kaq shumë? Nuk ka asnjë përgjigje plotësisht të besueshme, por është e sigurt që ai e ka ushtruar këtë të drejtë me qëllim si i cilësuar i serës së “më të fortit” duke i lidhur trashëgimtarët e tij me pasurinë e tij, po aq dhe nga lidhja e gjakut. Përkatësisht, nusja duhej të mbetej shtatzënë në 72 ditë, kjo në afërsisht tre periudha pjellore, nëse ajo ishte e aftë të lindte fëmijë, kështu që fëmija i parë i saj supozohej të ishte një fëmijë i beut ose agait, i cili ishte gjithashtu i dobishëm edhe për burrin tjetër të kësaj gruaje, sepse ky fëmijë “jolegjitim” ishte i tij. Faktikisht, sipas tekstit të këngës mësohet se, ishte dhëndri i ri, ai që “dëgjon” këngën e nuses së tij, që kishte qenë më parë në këta shtatëdhjetë e dy ditë e netë në shtratin e beut apo agait, dhe se ajo tashmë ka plagë në “zemrën” e saj, por që është gjithashtu e dobishme për të porsalindurin, sepse beu, ose agai, duhej të respektonte të drejtën e serisë së porsalindur, për të mbetur në pasuri, pra për ta përfshirë në pasurinë e tij. Kjo, sikur thuhet ishte gjithashtu edhe një garanci që ky fëmijë mund të shndërrohej në Islam, pasi kjo ishte në fund të fundit një nga kushtet që ndodhte nga shtatëdhjetë e dy ditënetëshi i një femre në shtratin e “më të fortit”, beut apo agait të atij vendi. Kjo ishte vetëm për atë fëmijë që lindte nga martesa shtatëdhjetë e dy ditë-netore me beun e again. Fëmijët e tjerë, të martesës së saj dytësore, të ligjshme gjthashtu, ishin të lirë të rriteshin nga burri i saj ligjor. Pragmatikisht, nuk ka asgjë, kur shikohet nga ajo anë. Por, kënga popullore vazhdon: “Merr pushkën dhe më vrit mua, pastaj më thuaj se s’të dua”. E gjithë kënga interpretohet kështu: “Shtatëdhjetë e dy ditë/Ka një plagë në zemrën time/Nuk është plagë nga sëmundja/Tashmë është plagë dhe pikëllimi./Merre pushkën dhe më vrit mua/pastaj më thuaj se s’të dua”.

Duket qartë se vargu i fundit është një element mjaft i rëndësishëm, një fakt që jo vetëm e përcjell mesazhin e duhur, por dhe një shkak, pse kjo këngë më së shumti ka fituar autoritetin e saj të dygjuhësisë. Ndërsa është një mesazh që përcillet për të patur vëmendje, për të patur kujdes nga kjo e drejtë abuzive, e dhënë ligjërisht dhe forcërisht të parit dhe më të fortit, natyrshëm vetësjell faktin se në atë trevë kishte banorë që flisnin shqip, por dhe gjuhë të tjera, normalisht, gjë që e bënte të dosmosdoshme të ishte në dygjuhësi. Ndryshe mund të thuhet për vallen “Pajtushka”, pasi për të vihet në funksion ndjeshmëria, trupi dhe lëvizjet e detyruara nga muzika.

Kjo këngë në dygjuhësi është dhe në Hungari, Mal të Zi, edhe në Bosnjë e Hercegovinë, edhe në Bullgari, edhe në Maqedoni edhe gjetkë, madje edhe në Serbi.

Teksti i kësaj kënge në gjuhën hungareze, sipas një përkthimi të vjetër, duket se përafron më së shumti me një tekst të kësaj kënge në gjuhën serbo-kroate, por në thelb ai ka të njëjtin mesazh si teksti i këngës që përcillet edhe në dygjuhësi: “Sedamdeset i dva dana/na mom srcu lezi rana/Nije rana od bolesti/vec od tuge i zalosti/Svaka rana srca moga/pratice me sve do groba/Uzmi pusku pa me ubi/ne daj drugoj da me ljubi[10] (Robert iz Salante, Madjarska)

Sidoqoftë dhimbjet dhe arsyet e ngjashme të kohërave, që trazuan dhe vegjetuan kulturat në Ballkan, sollën mes këngëve dhe valleve, jo vetëm mesazhet për banorët, por edhe format më të mira të komunikimit, të asaj që i bënte bashkë sa herë bëhej fjalë për një armik të përbashkët. Në këtë rast dygjuhësia e gjente gjuhën, ajo në mjaft raste mbetej një shumës i përfshirë në vrullin e saj për të mbetur njëjës në interesat e atyre që kontrollonin këtë trevë.

Shkurt duke përfunduar

Thuajse në të gjitha fshatrat e kësaj treve përveç kostumeve të ndryshme, bie në sy edhe një mori fjalësh të ndryshme. Thuajse çdo fshat ka kostumin e vet tradicional të veshjes, po ashtu dhe çdo fshat ka një mori fjalësh, të cilat dallojnë nga fshatrat e tjerë. Më së shumti, ka dhe fjalë të krijuara vetvetiu gjatë udhës jetike. Por historikisht të dy besimet fetare jetojnë në paqe e mirëkuptim me njëri-tjetrin. Në një numër fshatrash (siç është Stebleva) të dy besimet funksiononin bashkë, si një xhami dhe një kishë. Të krishterët dhe muslimanët bashkëjetojnë në mënyrë paqësore, madje edhe duke vizituar festat e njëri-tjetrit.

Shënim: Studimi im disavjeçar, “TOPONIMIA E GOLLOBORDËS: DISKURSI I DYGJUHËSISË DHE DERIVATI I ORIGJINËS është tashmë në procesin e fundit të tij të botimit, pasi ekzemplari i parë u muar nga botuesi dhe dakordësia e kontraktuar e bën që së shpejti të jetë në duart e lexuesit, ku ai do të jetë studiuesi, historiani, kërkuesi shkencor, kulturologu, etnologu, folkloristi, akademiku, profesori, studenti, njeriu i thjeshtë, i zakonshmi i jetës dhe përditësisë, po aq dhe oponenti, politikani dhe zyrtari që e pret me siguri me padurim për të “justifikuar” paratë e fondeve që jepen e merren anembanë ende për të “kafshuar” etni, kultura, tradita, kombe, me qëllimin e vjetër e të ri, me fatin e mirë e të keq të popujve që e duan lirinë, demokracinë edhe pse janë të destinuar t’i nënshtrohen disa fateve dhe fakteve të pashkruara kurë mbi një letër të bardhë.

[1] Nuk ka të dhëna të shkruara, por vetëm të dhëna gojore nga bisedat dhe rrëfenjat e të moshuarve brez pas brezi. [2] Hazis Lila, atdhetar, martir i gjuhës shqipe vrarë më 7. 06. 1915 nga serbët në Llakavicë të Steblevës pas një aktiviteti të shquar si ish – delegat i Kongresit të Manastirit të alfabetit të gjuhës shqipe. V.1908, ish – delegat i Kuvendit të Vlorës Viti 1912 si përfaqësues i krahinarisë së Gollobordës. [3] Hasan Moglica: atdhetar, martir i gjuhës shqipe, vrarë nga serbët më 17.06.1915, pas një veprimtarie të shquar duke çelur shkollë shqipe qysh në vitin 1902 në Okshtun dhe inisiator i kuvendeve krahinore për të çuar djem gollobordas në Normalen e Elbasanit të hapur në vitin 1909. Ky atdhetar ka qënë delegat i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të 10 qershorit 1878, bashkëshoqërues i patriotit të madh Abdyl Frashëri, të cilin e ka strehuar në shtëpinë e vet në Okshtun dhe së toku kanë udhëtuar nëpër Dibër drejt Prizrenit. [4] Patriot me pak të dhëna të transmetuara rreth tij. Një figurë patriotike dhe e përkushtuar në mbrejtje të identitetit. [5] Elez Sadik Koçi, atdhetar nga Ostreni i Madh, ish – delegat i Kuvendit të Vlorës v. 1912 që ka ngritur flamurin kombëtar edhe në ballkonin e shtëpisë së vet në Ostren dhe masakruar nga bullgarët më 4 mars 1916 në Fushë – Vërnicë. Sot emrin e tij e mban shkolla e Mesme e Bashkuar “ Elez Koçi” Ostren i Madh, dëshmor i Atdheut. [6] Haki Sharofi; Drejtor i Revistës “Zani i Naltë” (“Zëri i lartë”) Haki Sharofi lindi në Dibrën e Madhe, por ai e zhvilloi veprimtarinë e tij si mësues, publicist dhe përkthyes larg vendlindjes së tij [7] Vasil Mlladen Pleushku, atdhetar, martir i gjuhës shqipe vrarë nga serbët më 7.08.1915, pas një veprimtarie të gjatë nëpër Gollobordë dhe rrethinat duke shpërndarë librat shqip. [8] Murat Qoli, atdhetar i flakët nga Zabzuni me veprimtari të shquar në mbrojtje të tërësisë toksore kundra invazionit sërb të Luftës së Parë Botërore. Vrarë nga sërbët më 1917. [9] Hysen Destani (PLAKU), atdhetar i shquar nga Trebishti, komandant i çetës vullnetare prej 70 vetash në mbrojtje të trojeve shqiptare kundra invazionit serbo – bullgar në periudhën kyçe të historisë së Gollobordës së viteve 1912 – 1924. Vrarë në pabesi më 1918. [10] “Shtatëdhjetë e dy ditë/në zemrën time fle një plagë/nuk është plagë nga sëmundja/por është plagë e dhimbjes/të gjithë plagët zemra i mban/si kjo i mban një varr/merre pushkën dhe më vra mua/mos më jep tjëtër të duaj” (Robert nga Salante, Hungari).

Artikulli paraprakBarr cakton Kryeprokurorin Federal për të Hetuar “Obamagate”, si donin të largonin Trumpin
Artikulli tjetërA do të zbatohet Kodi Penal për ministren e Shëndetësisë?