Shqiptarët zhyten në kredi për bukën e përditshme

Pamundësia ekonomike po gjunjëzon çdo familje shqiptare duke i detyruar kryefamiljarët t’i drejtohen huamarrjes apo kredimarrjes. Duke qenë se huamarrja tek njerëzit e afërm apo miqtë bëhet thuajse e pamundur për shkak të krizës ekonomike që ka prekur familjet shqiptare shpresa e vetme e qytetarëve tashmë ka mbetur që ata të kthejnë sytë drejt kredimarrjes. Konkretisht, kreditë për konsum rriten me 5.7% në tremujorin e dytë të 2017.
Qytetarët shqiptarë kanë marrë më shumë kredi për konsum gjatë tri muajve të fundit. Në raportin e Bankës së Shqipërisë, kredia për individë ka shfaqur rritje me 2.1 miliardë lekë më shumë në krahasim kjo me një vit më parë. Rritje ndër të tjera ka pësuar edhe kredia e dhënë për blerjen e një banese. Kredia për biznesin vijon të jetë e ngurtë e ndikuar më së shumti nga kreditë e këqija.
Shqiptarët po marrin gjithmonë e më shumë kredi për konsum të përditshëm. Vetëm në tre muajt e fundit bankat e nivelit të dytë kanë dhënë 2.1 miliardë lekë më shumë vetëm për individët ku peshën kryesore e mban konsumi dhe më pas vjen blerja e një banese. Zgjerimi i portofolit të kredisë për individë ka reflektuar njëkohësisht rritjen e kërkesës për financim nga individët dhe lehtësimin e kushteve të kreditimit të tyre nga bankat.
Rritja e konsumit e shoqëruar me lehtësimin e kushteve financiare në ekonomi dhe forcimin e besimit të individëve, kanë mbështetur kërkesën për kredi pranë bankave. Gjithashtu në këtë trend ka ndikuar edhe performanca më cilësore e kredisë për individë. Sipas Bankës së Shqipërisë qytetarët kanë preferuar që t’i marrin kreditë në monedhën vendase duke eliminuar në këtë mënyrë edhe rreziqet e kursit të këmbimit.
Bankat e nivelit të dytë presin që standardet e kreditimit dhe kërkesa për kredi nga individët për konsum do të mbeten thuajse të pandryshuar edhe në tremujorin e tretë. Por bankat janë treguar më dorështrënguar me bizneset, ku portofoli i kredisë është tkurrur me 6 miliardë lekë në tremujorin e dytë të vitit 2017. Ky reduktim ka ardhur i ndikuar nga niveli i kredive të këqija, si dhe luhatjet e kursit të këmbimit.

Më shumë 60% e bizneseve shqiptare janë me borxhe
Më shumë se gjysma e bizneseve kanë një borxh për të paguar, i cili mund të jetë në formën e një kredie të marrë, por ka dhe mjaft raste kur firmat kanë borxhe mes njëra–tjetrës apo edhe shembuj ekstremë siç është fenomeni i fajdeve. Në një vrojtim që ka bërë Banka e Shqipërisë para pak kohësh rezulton se, 60% e ndërmarrjeve deklarojnë që të kenë një hua për të paguar, ndërsa rritja e kërkesës për të marrë borxh ka ardhur gjithnjë e në rritje vitet e fundit.
Për shoqatat e bizneseve, më shumë se marrja e një kredie shqetësues është fakti i përdorimit të kleringut, pra shkëmbimi mall me mall dhe akoma më keq funksionimi i fajdeve. Por përse bizneset drejtohen që të marrin para me fajde, ku edhe interesat që paguajnë janë sa dyfishi i atyre që japin bankat? Për sektorin fason, fajdet tashmë po përdoren gjithnjë e më shumë.
Kjo nuk është një zgjedhje që bëjnë bizneset, por një mundësi e vetme. Kompanitë private kërkojnë që në një situatë të tillë shteti duhet të ndërhyjë në treg për të nxitur kreditimin dhe jo fajdet. Rasti i Maqedonisë apo Rumanisë ku u bë një ligj, i cili ndalon bankat të blenë bono thesari mund të ndihmonte që edhe në vendin tonë situata të kthehet në favor të konsumatorit dhe të rritet kreditimi. Sot që flasim një pjesë e konsiderueshme e parave të qytetarëve që janë në banka, përdoren nga ato për të blerë bono thesari të qeverisë.

 

Rikthimi i fajdeve, shqiptarët po marrin borxh edhe jashtë bankave
Në Shqipëri është duke u rishfaqur fenomeni i fajdeve. Në një vrojtim, i cili ka mbledhur të dhëna deri në fund të qershorit, Banka e Shqipërisë raporton se bizneset dhe individët kanë filluar gjithnjë e më shumë të përdorin burime të tjera të parasë në vend të marrjes së kredive nga bankat. Në raportin e fundit të Basnkës së Shqipërisë, theksohet se bizneset dhe individët janë të priur për të marrë hua jashtë tregut bankar, madje edhe me interesa më të larta. Kjo praktikë ka rikthyer edhe një herë fajdet në vendin tonë, por duke dhënë alarmin edhe për rritjen e informalitetit të parasë.
Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, kërkesa më e ulët për kredi është perceptuar nga bankat si pasojë e përdorimit të burimeve alternative të financimit jashtë sistemit bankar. Më tej, theksohet se ka pasur një sërë faktorësh lehtësues nga bankat për standardet e kredisë për biznese në tremujorin e dytë, por pa rezultat. Lehtësimi i standardeve të kreditimit të bizneseve në tremujorin e dytë të vitit 2017 u realizua kryesisht nëpërmjet uljes së komisioneve dhe uljes së marzhit mesatar.
Ndërkohë, rritja e kërkesave për kolateral është faktor që ka vepruar në kahun shtrëngues. E njëjta gjë nuk mund të thuhet për kreditë konsumatore, të cilat edhe për 2017-ën kanë vijuar të shënojnë rritje. Bankat raportojnë rritje të kërkesës së individëve për kredi në tremujorin e dytë të vitit 2017. Zgjerimi i kërkesës për kredi nga individët është mbështetur kryesisht nga kërkesa për kredi konsumatore, ndërsa kërkesa për kredi për blerje banese shfaqet pothuajse e pandryshuar. Ekspertët e bankave presin që kërkesa në total e individëve të vijojë me rritje edhe në tremujorin e ardhshëm. Lehtësimi i mëtejshëm i standardeve të kredisë së dhënë për individët rezulton të ketë ardhur kryesisht nga rritja e konkurrencës në sektorin bankar, niveli i likuiditetit dhe mjaftueshmëria e kapitalit të bankave. Nga ana tjetër, gjendja financiare e individëve, situata në tregun e pasurive të paluajtshme dhe kreditë me probleme janë faktorë me ndikim në kahun shtrëngues mbi standardet e kredisë për individët.

Artikulli paraprakBerati, 2 dekadat problematike të drejtimit të qytetit nga e majta!
Artikulli tjetërTallja e Veliaj, stola për t’u çlodhur në vendin më të ndotur të Shqipërisë