Shqiptarët më të varfërit në Europë për të ardhurat për frymë

Shqiptarët ngelen ndër më të varfërit në Europë në renditjen e të ardhurave për frymë. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, të ardhurat për frymë të shqiptarëve, sipas parimit të barazisë së fuqisë blerëse për vitin 2016 ishin 11,928 dollarë ndërkombëtarë.
Dollari ndërkombëtar është njësi matëse për të krahasuar të ardhurat mes vendeve, duke barazuar fuqinë blerëse të monedhave. Vitin e kaluar, të ardhurat e shqiptarëve, sipas kësaj metode, u rritën me 3.7%, rritje kjo e përafërt me nivelin e rritjes ekonomike.
Me këtë shumë, Shqipëria renditet e parafundit në rajon, duke lënë pas vetëm Kosovën. Në dy vitet e fundit, Shqipëria është kaluar në këtë renditje edhe nga Bosnje-Hercegovina, ku të ardhurat për frymë kanë kaluar kufirin e 12 mijë dollarëve.
Vetëm Kosova renditet poshtë Shqipërisë, me të ardhura për frymë në afërsisht 10 mijë dollarë. Shteti me mirëqenien më të lartë në rajonin e Ballkanit Perëndimor është Mali i Zi, ku të ardhurat mesatare për frymë shkojnë në afro 17 mijë dollarë.
Vendet e rajonit sidoqoftë ngelen larg vendeve më të zhvilluara të Bashkimit Europian sipas kësaj metode krahasimi. Vendi me të ardhurat më të larta në Europë është Luksemburgu, me afro 106 mijë dollarë në vit, nivel ky nëntë herë më i lartë se Shqipëria.

Artikulli paraprakInvestitoret e huaj akuza tatimeve: Po na kontrollojnë inspektorë të paaftë
Artikulli tjetërDiskretitimi i zgjedhjeve, Banka: U hapën shumë vende pune në shtet