Diskretitimi i zgjedhjeve, Banka: U hapën shumë vende pune në shtet

Në një anketim të posaçëm për të vrojtuar gjendjen financiare të familjeve, Banka e Shqipërisë ka gjetur se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2017 papunësia ra, kryesisht prej rritjes së punësimit në shtet.
Rënia e papunësisë më parë ishte konfirmuar nga INSTAT, i cili duke publikuar rezultatet e anketës së punës raportoi se papunësia ra në 13.9% në tremujorin e dytë të vitit nga 14,2 për qind që kishte qenë në të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.
“Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2017, numri i të punësuarve në kampionin e vrojtuar ka shënuar rritje në terma vjetorë, mbështetur kryesisht nga punësimi në sektorin shtetëror”, raporton Banka në lidhje me rezultatet e vrojtimit.
Anketa e Bankës së Shqipërisë u bë në 1209 familje të përzgjedhura sipas një kampioni rastësor, ku rreth 55% e tyre jetojnë në zonat urbane dhe 45% në zonat rurale të vendit.
Punësimi në shtet në gjysmën e parë të vitit është nxitur më se shumti nga fushata e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.
Në Shqipëri, precedenti i punësimeve në prag zgjedhjesh për përfitime elektorale është një fenomen i njohur. Punësimet bëhen kryesisht në ndërmarrjet publike.
Sipas matjeve të INSTAT, ritmi vjetor i rritjes së punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i dytë i vitit 2016 në tremujorin e dytë të vitit 2017, është 3,4%. Në terma vjetorë, rritja e punësimit sipas sektorëve kryesorë të ekonomisë është: 9% në sektorin e shërbimeve dhe 2,5% në sektorin e industrisë, ndërsa në sektorin e bujqësisë pati një rënie të punësimit prej 1,7%.
Për shkak të zhvillimeve pozitive në tregun e punës, Banka e Shqipërisë pohoi se niveli i të ardhurave të familjeve dhe niveli i shpenzimeve kanë qenë në rritje gjatë periudhës, por rritja e shpenzimeve ka rezultuar më e madhe, duke sjellë ngushtim të balancës financiare (të ardhura-shpenzime) të familjeve.
Rreth 28% e familjeve deklarojnë se kanë hua për të paguar dhe kjo peshë ka rënë pak krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe krahasuar me një vit më parë.

Artikulli paraprakShqiptarët më të varfërit në Europë për të ardhurat për frymë
Artikulli tjetërRaporti: Shqipëria, vlerësimin më negativ në botë për investitorët