Shqiptarët me sytë nga Lotaria Amerikane, ja kur nisin aplikimet

Departamenti i Shtetit amerikan njofton se edhe për vitin 2018 do të jenë në dispozicion 50 mijë viza për të gjithë shtetasit në botë, ku pjesë është edhe Shqipëria. Si çdo vit, edhe këtë herë përzgjedhja do të jetë në dorë të shortit kompjuterik. Aplikimi për vizat 2018-2019 fillon në datën 3 tetor 2017 dhe data e fundit e aplikimit do të jetë 7 nëntori i po këtij viti. Aplikimet e lotarisë janë falas, ndërsa çdo individ duhet të plotësojë kushtet paraprake të vendosur nga DSHA. “Departamenti i Shtetit shpërndan vizat e lotarisë midis gjashtë rajoneve gjeografike dhe asnjë vend i vetëm nuk mund të marrë më shumë se shtatë për qind të DV-ve në dispozicion”, thuhet në njoftim. Por si bëhet aplikimi: Për Lotarinë DV-2018, vendasit e shteteve të mëposhtme nuk janë të ligjshëm për të aplikuar, pasi këto shtete kanë dërguar në total më shumë se 50,000 emigrantë në SHBA në pesë vitet e shkuara: Bangladesh, Brazil, Kanada, Kinë (të lindurit në kontinent), Kolumbi, Republika Domenikane, San Salvador, Haiti, India, Xhamaika, Meksikë, Nigeri, Pakistan, Peru, Filipine, Koreja e Jugut, Mbretëria e Bashkuar (me përjashtim të Irlandës së Veriut) territoret e varura prej saj dhe Vietnam. Personat e lindur në Hong Kong SAR, Makau SAR dhe Taivan janë të ligjshëm. Ndryshime për pranueshmërinë këtë vit: Ekuadori është i pranueshëm për DV-2018. I lindur në një nga vendet kualifikuese: Në shumicën e rasteve kjo kupton vendin (shtetin) në të cilin aplikanti ka lindur. Gjithsesi, ka edhe dy mënyra të tjera, me të cilat një person mund të kualifikohet. E para, në qoftë se një person ka lindur në një vend ku vendasit e këtij vendi janë të pazgjedhshëm për të aplikuar, por bashkëshorti(ja) e tij/i saj ka lindur në një vend ku vendasit janë të zgjedhshëm për të aplikuar, ky person mund të pretendojë vendin e lindjes së bashkëshortit(es) dhe në këtë mënyrë të dyve do t’i lëshohet viza që ata të hyjnë në SHBA njëkohësisht. E dyta, në qoftë se një person ka lindur në një vend ku vendasit e këtij vendi janë të pazgjedhshëm, por as njëri as tjetri nga prindërit e tij/saj kanë lindur ose banuar atje në kohën kur personi ka lindur, një person i tillë mund të pretendojë vendlindjen në një nga vendlindjet e prindërve të tij/saj, në qoftë se ky vend është i kualifikueshëm për programin e DV-2018. Për t’u regjistruar në lotari, ju duhet të plotësoni kërkesat e edukimit ose të eksperiencës së punës të programit të lotarisë. Edukim ose punë e kualifikueshme: Ju duhet të keni një arsim të shkollës së mesme apo ekuivalentin e tij, përkufizuar si përfundim me sukses i 12 viteve edukim të plotë zyrtar 9-vjeçar dhe i mesëm; (pra të vërtetoni me bindje që keni mbaruar 12 vjet shkollë të plotë); ose të keni 2 vjet eksperiencë pune brenda 5-viteve të kaluara në një punësim që kërkon të paktën 2 vjet trajnim ose eksperiencë për ta ushtruar. Për të përcaktuar nëse pёrvoja e punës kualifikohet për lotarinë, do të përdoret Baza e të Dhënave të Departamentin amerikan të Punës O*Net OnLine. Në qoftë se ju nuk mund të plotësoni të dyja kërkesat e mësipërme, ju nuk duhet të aplikoni në Programin e Lotarisë.

Artikulli paraprakDegradimi i rrjetit hekurudhor, 4 milionë euro humbje
Artikulli tjetërProtestojnë kundër Tërmet Peçit, policia merr zvarrë tregtarët në Ujin e Ftohtë