Shqipëria rrezikon, pezullim i Shengenit nëse shkelen rregullat

Komisioni i Lirive Civile, Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme të Parlamentit Evropian u shpreh pro pezullimit të lëvizjes së lirë në zonën Shengen për qytetarët ekstrakomunitarë, në rrethana të veçanta të shkeljeve të rregullave të lëvizjes së lirë. Deputetët e këtij Komisioni janë shprehur në favor të mekanizmit të pezullimit si një masë emergjente e Bashkimit Europian, në rastet kur shtetasit e disa vendeve ekstrakomunitare abuzojnë me lëvizjen e lirë. Ky mekanizëm pezullimi do të zbatohet për të gjitha vendet ekstrakomunitare, të cilat kanë marrëveshje të lëvizjes së lirë në zonën Shengen me BE-në, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Me këtë mekanizëm pezullimi do të jetë më e lehtë për shtetet anëtare të Bashkimit Europian, që të njoftojnë Komisionin Evropian kur ka abuzime nga shtetas të një vendi ekstrakomunitar, gjë që mund të çojë në rivendosjen e vizave për shtetasit e këtij vendi për një afat fillestar prej gjashtë muajsh. Parlamenti Europian i ka dhënë dritën jeshile raportuesit Agustín Díaz de Mera për të filluar negocimin me ministrat e shteteve anëtare të BE-së lidhur me përfshirjen e këtij mekanizmi në legjislacionin europian. Ky vjen pak ditë pasi Beligjika vendosi ta shpallë Shqipërinë si një vend jo më të sigurtë. Vendimi është një shuplakë e fortë për qeverinë, dhe është një paralajmërim i keq për rikthimin në rend të ditës të Europës të heqjes së vizave për shqiptarët. Një nga kriteret kryesore që Shqipëria plotësoi në heqjen e vizave ishte pikërisht klasifikimi si një vend i sigurtë. Tani që kryeqyteti i Evropës, Brukseli zyrtar e ka shpallur Shqipërinë si një vend jo të sigurtë, rreziqet rriten më shumë për lëvizjen e lirë.

Emigracioni në Itali, shqiptarët të dytët pas marokenëve

U prezantua në Romë Raporti i 25-të mbi situatën e emigracionit në Itali hartuar nga Karitas Italia e Fondacioni Migrantes. Sipas këtij Raporti, i cili i referohet të dhënave statistikore për vitin 2015, emigrantët shqiptarë konfirmohen si komuniteti i dytë ekstrakomunitar më i madh në numër i pranishëm në territorin italian. Deri në fund të vitit 2015 në Itali jetojnë 5.014.437 emigrantë të rregullt e emigrantët shqiptarë renditen në vend të dytë për nga numri duke përbërë 12.7% të tyre, Në vend të parë gjenden emigrantët me origjinë nga Maroku që përbëjnë 13.2% të numrit të përgjithshëm. Gjithashtu emigrantët shqiptarë renditen po në vend të dytë për sa i përket numrit të emigrantëve që përgjatë vitit 2015 kanë mundur të marrin nënshtetësinë italiane. Ndër 129.887 nënshtetësi italiane dhënë emigrantëve të cilët kanë përmbushur kërkesat kohore e administrative për marrjen e saj, 16,4% janë emigrantë shqiptarë. Shumica e nënshtetasve të rinj italianë i përkasin emigrantëve të brezit të dytë, pra fëmijëve të emigrantëve që sapo kanë mbushur moshën madhore 18 vjeç. Sipas Raportit të Karitas Italia rreth 50% e emigrantëve në Itali kanë një kontratë të rregullt e të përhershme pune, por rreth 41.7% e emigrantëve punonjës paguhen rreth 30% më pak se sa një punëtor italian. Hartuesit e studiuesit e këtij Raporti kanë theksuar faktin se ndryshe nga opinioni i përgjithshëm që ekziston në Itali se vendi po pushtohet nga emigrantët, ky Raport me anë të shifrave tregon se situata e emigracionit në Itali është mjaft e qëndrueshme. Viti 2015 ka shënuar vetëm 11 mijë emigrantë të rinj më shumë se një vit më parë, por pa harruar se Italia renditet në vendin e 11 në botë për nga numri i emigrantëve të pranishëm në vend. Për sa i përket krimeve të kryera nga emigrantët e numrit të të burgosurve, Raporti Karitas Italia konfirmon se ndër 52.164 të burgosur në burgjet italiane, 17.340 prej tyre janë emigrantë. Të burgosurit me kombësi shqiptare janë rreth 2.423 persona, duke u renditur në vend të 3 për nga numri pas të burgosurve me kombësi marokene e rumune.

Artikulli paraprakBE: Kujdes me borxhin dhe papunësinë
Artikulli tjetërImporti i plehrave apo ndalimi i tyre, premtim i mbajtur nga Rama?