Shqipëria, në grupin e vendeve të varfra në botë

Shqipëria është një ndër tre vendet më të varfra të Evropës, së bashku me Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, në vitin 2016 të ardhurat për frymë të shqiptarëve ishin 4203 dollarë për person. Shqipëria renditet e 106-ta nga 190 vende të botës, pra në 40 për qindshin e vendeve më të varfra të botës. Të ardhurat për frymë të shqiptarëve janë sa një e teta e atyre të qytetarëve të Bashkimit Evropian, të cilët kanë mesatarisht 32 192 dollarë për frymë në vit. Krahasuar me vitin 2015, të ardhurat për frymë të Shqipërisë janë rritur me 260 dollarë për person, por krahasuar me vitet 2014, 2013, 2012, 2011 të ardhurat e shqiptarëve janë ulur ndjeshëm. Dhjetë vite më parë, në vitin 2006, Shqipëria renditej në po të njëjtin pozicion, e 106-ta në botë, me 2975 dollarë të ardhura për frymë. Në rajonin e Ballkanit, Sllovenia ka të ardhurat më të larta duke u renditur e 38-ta në botë me 21 mijë dollarë për frymë, më pas Kroacia e 61-ta në botë me 12 095 dollarë. Të ardhurat për frymë të shqiptarëve në vitin 2016 ishin rreth 4200 dollarë për frymë, sipas statistikave të fundit të publikuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Me këtë nivel, Shqipëria renditet e 106-a në botë, nga 190 shtete, për të cilat raportohen të dhënat e prodhimit të brendshëm nominal (të parregulluar me inflacionin) për frymë. Shqipëria, jo vetëm që është në njëqindëshen e dytë, por ajo klasifikohet më negativisht në raport me shtetet e tjera të Europës, por edhe me rajonin dhe për më tepër nuk ka shënuar asnjë progres në dhjetë vitet e fundit. Më mirë nga rajon paraqitet Sllovenia, me 21 mijë dollarë për frymë (vendi 38), Kroacia me 12 mijë dollarë (vendi 61), Rumania me 9,500 dollarë (vendi 67), Bullgaria 7,400 dollarë (vendi 79), Mali i Zi rreth 6,600 dollarë (84), Serbia rreth 5,400 USD (vendi 92), Maqedonia rreth 5,700 USD (93) dhe Bosnjë dhe Hercegovina me 4,300 USD, në vendin e 2015. Shqipëria vjen menjëherë pas Bosnjës (të dhënat për Kosovën mungojnë). Shqipëria nuk rezulton të ketë bërë asnjë përparim në dekadën e fundit, teksa të njëjtat të dhëna të FMN-së për vitin 2005 tregojnë se ne renditeshim edhe 11 vite më parë, po në pozicionin e 106, duke treguar që vendi ka ngecur në të ashtuquajturin proces të konvergjencës (rritjen me ritme të shpejta se vendet e zhvilluara në mënyrë që të kapim gradualisht mesataren e të ardhurave të BE-së). Ky proces fillimisht mendohej se do të kërkonte të paktën 30 vite, por teksa ne dukshëm kemi ngecur, do të duhet të presim shumë më tepër. Në vitin 2016, të ardhurat për frymë të Shqipërisë (4203 USD) ishin sa gjysma e mesatares së Europës Lindore (8836 USD) dhe 13% të atyre të Bashkimit Europian (32243 USD). Edhe Serbia është përkeqësuar nga vendi i 90 në atë të 92. Bosnja gjithashtu ka zbritur në pozicionin e 105 (me tri vende). Mali i Zi ka një përmirësim të lehtë, nga vendi i 87 më 2005 në atë të 84 më 2016. Edhe Maqedonia është ngjitur në vendin e 93, nga i 98 që kishte qenë 11 vjet më parë. Interesante është që shtetet që kanë hyrë në Bashkimin Europian, si Kroacia dhe Sllovenia kanë parë një përkeqësim në renditje 10 vitet e fundit. Më e fortë rënia është për Kroacinë, nga vendi i 51 ka zbritur në atë të 61. Bullgaria dhe Rumania kanë pasur përmirësim, ku më i dukshëm ka qenë për Rumaninë, me gati 10 pozicione.

Në botë kryeson Luksemburgu

Shteti me të ardhurat për frymë më të larta në botë është Luksemburgu, me 103 mijë dollarë për frymë për vitin 2016 (këtu ndikon dhe numri i lartë i të huajve që punojnë në këtë vend), e ndjekur nga Zvicra me 79 mijë dollarë dhe Norvegjia me 70 mijë dollarë. Lista e 10 vendeve më të pasura vijon me Macao SAR, Irlanda, Katari, Islanda, Shtetet e Bashkuara, Danimarka, Singapori. Ndërsa vendet më të varfra në botë janë Nigeria, Mozambiku, Madagaskar, Burundi, Sudani etj., ku të ardhurat për frymë luhateshin nga 200 deri në 400 dollarë për frymë për 2016-n.

Artikulli paraprakRritje e re e çmimit të naftës, taksa e re antikushtetuese
Artikulli tjetërBashkimi demokristian dhe “Kaubojsi” me opozitën: Betejë për zgjedhje të lira