Shqipëria, ndër 10 vendet e para në botë, për kreditë e larta me probleme

Shqipëria renditet ndër 10 shtetet e para në botë që kanë kredi më të larta të pakthyera në afat, në raport me totalin e huasë që është dhënë në vend, nga 120 shtete për të cilat raportohet ky tregues nga Banka Botërore. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, që i përkasin vitit 2015, me 18.2% të kredive që janë problematike, Shqipëria renditet e nënta pas San Marinos, Qipros, Greqisë, Sierra Leone, Ukrainë, Serbi, Djibouti, Taxhikistan. Edhe në fund të vitit 2016 Shqipëria vijoi të kishte të njëjtin nivel të NPL-ve në 18.2%, që arriti të ulej vetëm në muajt e fundit të vitit, si rrjedhojë e fshirjes së huave që kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen në banka, teksa në kusht treguesi ishte rritur sërish në 21.4%. Megjithatë në mars, treguesi zbriti në 17.3%, por kjo sërish nuk e largon Shqipërinë nga dhjetëshja. Më shumë se rënia reale ka qenë fshirja e kredive me probleme (që kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen), ajo që ka dhënë ndikimin më të lartë në uljen e këtij treguesi. Ndryshe nga Shqipëria, vendet e rajonit e kanë ulur ndjeshëm treguesin e NPL-ve më 2016-n, sidomos Serbia dhe Mali i Zi, që dikur kishin hua problematike më të larta sesa Shqipëria. Sipas të dhënave të fundit të Komisionit Europian, Mali i Zi kishte në fund të vitit 2016 hua të pakthyera në afat sa 10.3% e totalit. Shteti fqinj, pak vite më parë e kishte këtë tregues në mbi 22%, por pas një strategjie të ndërmarrë nga banka qendrore e Malit të Zi, ku i jepej përparësi ristrukturimit të korporatave, ai është ulur me shpejtësi. Edhe Serbia, që më 2015-n ishte në listën e 10 më të këqijave në botë, më 2016-n e ka çuar treguesin e NPL-ve në 17%, duke dalë nga dhjetëshja një vit më vonë. Maqedonia, Kosova i kanë kreditë me probleme në nivel njëshifror, kurse Bosnja 12.3%. Edhe raporti i fundit rajonal i Fondit Monetar Ndërkombëtar e rendit Shqipërinë të dytën në Europën Qendrore Lindore dhe Juglindore, për nivelin e lartë të NPL-ve, ku na e kalon vetëm Ukraina, që e ka këtë tregues gati 30%. Ndërsa mesatarja e Europës Qendrore, Lindore e Juglindore është rreth 5-6%. Në Shqipëri, në total, në fillim të vitit 2017 ishin rreth 99 miliardë lekë apo rreth 720 milionë euro, për të cilat bizneset apo individët i kanë vonuar pagesat e kësteve në banka për më shumë se tre muaj (periudha kur një hua fillon e klasifikohet si e keqe). Kjo shumë ka mbetur pothuajse e pandryshuar nga janari i një viti më parë, çka tregon se pavarësisht fshirjes, hua të tjera problematike i janë shtuar sistemit përgjatë 2016-s. Më e madhja prej tyre është Kurum, që shpalli falimentin në shkurt 2016 dhe që sipas gjykatës, ka një kredi në bankat shqiptare prej 42 milionë euro, përfshirë dhe interesat. Banka e Shqipërisë prej mëse dy vitesh ka hartuar një plan për uljen e kredive me probleme, ku në fokus është ristrukturimi apo falimenti i 35 korporata më të mëdha, që kanë rreth 60% të kredive me probleme. Por, ky plan nuk është zbatuar plotësisht për shkak të vonesave në ligjin e ri të falimentit, që përfundimisht pritet të hyjë në fuqi në maj të këtij viti.

Artikulli paraprakNdikimi i kanabisit tek niveli i euros
Artikulli tjetërBilanci qesharak i investimeve, vetëm 19.3 km rrugë më 2016-ën