Shqipëria, me çmimin e naftës si në Danimarkë e Monaco

Qytetarët ankohen për cilësinë e dobët të karburantit dhe abuzimet që bëhen nga distributorët mbi sasinë reale të litrave që realisht marrin drejtuesit e automjeteve. Ndërkohë ditët e fundit çmimi i karburantëve me pakicë në Shqipëri, ka shënuar rritje.
Ditët e fundit në vendin tonë është vërejtur një rritje e çmimit të karburantëve. Ndryshe nga sa ndodh në vendet e tjera të botës ku çmimi ka shënuar ulje ose nuk ka ndryshuar.
Drejtuesit e automjeteve ankohen se paguajnë edhe më shumë se çmimi real që ofrohet nga distributorët, për shkak të cilësisë së dobët dhe ndonjëherë abuzimit mbi sasinë e litrave që marrin.
Kjo situatë është krijuar edhe për shkak të mungesës së kontrolleve të karburantëve. Rreth 2 vjet më parë Ministria e Ekonomisë krijoi një task forcë, për të kontrolluar cilësinë e karburantëve, sasinë reale që u ofrohej qytetarëve dhe për të luftuar informalitetin.
Aktualisht kjo task force nuk po ushtron funksionin për të cilin u krijua. Kjo situatë bën që qytetarët shqiptarë të konsumojnë karburant jo cilësor dhe shpesh ta paguajnë atë edhe më shtrenjtë se çmimi që u ofrohet nga distributorët. Shqipëria renditet ndër vendet me çmimin e karburantit më të shtrenjtë në botë. Qytetarët shqiptarë paguajnë një çmim të përafërt me vendet më të zhvilluara si Zvicra, Anglia, Litenshtejni, Danimarka, Monaco dhe Sanmarino.

Artikulli paraprakInteresat e kredive për biznes rriten ndjeshëm në shtator
Artikulli tjetërDraft plan i ri për të trajtuar cilësinë e ajrit