Topalli: Shqipëria është në udhëkryq të rrezikshëm

Deputetja demokrate, Jozefina Topalli ka sjell në vmendje dje situatën kritike në të cilën është katandisur vendi ndërsa bëri thirrje për protesta në mbarë vendin.
Në një prononcim për mediat, Topalli tha se vendi ndodhet sot në një udhëkryq të rrezikshëm.
“Siç e ndoqët edhe nga raportimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme ne kemi një alarm tjetër për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Tashmë shqiptarët që emigrojnë dhe kërkojnë azil, nuk janë vetëm të dytët në Gjermani, pas Sirisë që është në luftë prej pesë vjetësh dhe që ka humbur në këtë luftë rreth 350 mijë qytetarë të saj, por ne jemi edhe të parët në Holandë. Kjo është një thirrje që duhet të alarmojë Kryeministrin, qeverinë, çdo ministri. Kjo nuk është një çështje e imazhit, siç po flitej që do të përcillej nga MPJ.
Imazhi është i përkeqësuar për shkak të realitetit në Shqipëri dhe zhvillimeve të fundit në Shqipëri, qoftë këto edhe të orëve të fundit tregojnë se, Shqipëria është në një udhëkryq të rrezikshëm.
Ajo rrezikon të rrokulliset në qoftë se nuk do të ketë një ndryshim rrënjësor në zhvillimet politike në Shqipëri. Informacioni i fundit që vjen nga Holanda është vetëm shprehje e një realiteti që bërtet këtu në Shqipëri, për zbrazjen në Shqipëri, për një arsye shumë të thjeshtë, që qytetarët kanë humbur shpresën dhe perspektivën në vendin e tyre” tha deputetja demokrate.
Topalli th se Shqipëria nuk është një vend për t’u braktisur e as një vend për t’u humbur.
“Ne nuk kemi tepër asnjë shqiptar, por sigurisht arsyeja është tek qeveria, e cila është e kompromentuar me krimin dhe ku korrupsioni ka arritur nivelet më alarmante.
Ashtu siç thuhet dhe në Raportin e fundit të Departamentit të Shtetit, ku korrupsioni ka kapur të gjitha degët e qeverisë. Ndërkohë që varfëria është 4-fishuar, ndërsa mjerimi, varfëria ekstreme është 3-fishuar. Më keq nuk ka qenë asnjëherë në këto 25 vitet e fundit. Një situatë e tillë, në shifrat e papunësisë, mund të ketë qenë, vetëm në periudhën kur ndryshoi sistemi, në vitin 1991-1992. Ndaj dhe ka vetëm një zgjidhje që opozita të dalë në ballë dhe t’i prijë qytetarëve për të dorëzuar këtë qeveri dhe për të krijuar një realitet tjetër.
Duke larguar të korruptuarit. Duke larguar krimin nga politika dhe pozicionet kyçe që kanë në administratë dhe duke pasur një vizion të qartë, për të ndihmuar qytetarët që ato të zhvillojnë jetën e tyre, projektet e tyre, të ardhmen e tyre dhe të rrisin fëmijët e tyre në vendin e tyre” u shpreh Topalli.
E pyetur në lidhje protestat dhe se a ka kërkuar protesta në mbledhjen e grupit demokrat, Topalli tha:  “Ja kam kërkuar dhe do të vazhdoj t’ja kërkoj vazhdimisht. Unë nuk di se ka një moment më të vështirë për Shqipërinë se sa kjo që po jetojmë sot. Zhvillimet e fundit me kërcënimet që i janë bërë kandidatëve për Rektor ka qenë një tronditje dhe një ngritje e frikës dhe alarmit në ato nivele dhe situata që nuk janë imagjinuar kurrë gjatë këtyre 25 viteve.
Çfarë do të presim. Në qoftë se krimi vendos dhe në universitete, ashtu siç krimi është ulur në Parlament, apo vendosur në zyrat e policisë, apo në zyra të larta të tjera të shtetit, ky vend ka marrë fund.
Dhe rrokullisja e asaj është e pashmangshme. Për të shpëtuar nga kjo rrokullisje, për të mos shkuar në zgrip të greminës, ku në fakt po vrapojmë duhet një zgjidhje e menjëhershme. Rruga është kombinimi i protestave. Kombinimi i protestave në çdo qytet me betejën parlamentare për çështje kaq madhore.
Çështja e krimit dhe lidhja e krimit me politikën, median, biznesin është alarm më i madh. Realitet i cili nuk ekziston në asnjë vend të Evropës”.

Artikulli paraprakManipulohen zgjedhjet universitare në Durrës, FRESSH presion studentëve
Artikulli tjetërBiznesi po fik motorët, ulet shfrytëzimi i kapaciteteve