Shqipëria e rrezikuar nga borxhi i lartë

Shqipëria duket se do të jetë një nga vendet që të do të vuajë më së shumti pasojat e pasigurive politike në rang global e sidomos në BE.
Banka Botërore në një raport të posaçëm për projeksionet globale të 2017, “Investime të dobëta dhe kohë të pasigurta” thotë se, disa vende në zhvillim e kanë rritur rezistencën e tyre ndaj goditjeve të jashtme në vitet e fundit, por dobësitë në rajon janë të shumta.
Banka Botërore lajmëron se disa vende përballen me nevojat thelbësore të financimeve më të mëdha. Shqipëria, Gjeorgjia, Republika e Kirgistanit dhe Turqia do të pësojnë deficite të llogarisë rrjedhëse, të cilat financohen shpesh nga flukse portofoli të paqëndrueshme.
BB raporton se Shqipëria, Bjellorusia, Kroacia, Hungaria, Mali i Zi, Polonia dhe Ukraina rrezikohen nga nivele të larta të borxhit sovran, teksa Kroacia, Gjeorgjia, Kazakistani dhe Turqia kanë stoqe të larta të borxhit privat në monedhë të huaj.
Pasiguria politike është rritur ndjeshëm pas zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara dhe vendimit të Mbretërisë së Bashkuar për të lënë Bashkimin Evropian.
Rajoni i Ballkanit sidomos ka lidhje të forta me Bashkimin Evropian. Pasiguria e rritur në ekonomitë e avancuara në Evropë apo diku tjetër, mund të ketë ndikim domethënës në tregtinë, bilancet e jashtme dhe perspektivat rajonale të rritjes.
Nëse ky rrezik materializohet, hapësira për politikat kundërciklike mund të jetë e kufizuar për shumë vende si Shqipëria, Bjellorusia, Kroacia, Hungaria, Mali i Zi, Rusia, Serbia, Ukraina, njofton Banka Botërore.
Vetëm pak ekonomi rajonale mund të kenë akses të financojnë investimet në infrastrukturë me borxh nga tregjet e jashtme, ndërsa sistemet e dobëta bankare të brendshme dhe tregjet e pazhvilluara të kapitalit do të kufizojë aftësinë e qeverive të marrë hua në vend.

Artikulli paraprakKompanitë e huaja nxjerrin jashtë Shqipërisë fitimet
Artikulli tjetër8 njerëz e kanë pasurinë të barabartë me gjysmën më të varfër të botës