Shqipëria e fundit në Ballkan për pensionet

Erion Veliaj e ka trumpetuar si një prej arritjeve të tij më të mëdha ligjin e ri të pensioneve. Ky ligji u miratua kur ai ishte Ministër i Mirëqënies Sociale. I gjithë drafti u përgatit dhe u mbrojt në parlament nga dikasteri i tij. Korrikun e vitit 2014, përpara deputetëve të Komisionit Parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Veliaj dha disa argumenta në mbrojtje të projet/ligjit që u miratua më vonë me votat e mazhorancës. Ai tha, veç të tjerash, se skema e mëparshme “karakterizohej nga element të theksuar padrejtëise, pasi disa grupe kontributesh përfitojnë pensione shumë të larta dhe kontribuojnë shumë më pak se të tjerët” dhe se “skema e pensioneve vuan nga një deficit i lartë që e bën financiarisht të papërballueshme në vitet që po vijnë”. A i ka rregulluar ligji i ri këto probleme apo ka dështuar në adresimin e tyre? Naim Hasa, një ekspert i kësaj fushe dhe administrator i një prej shoqërive që operojnë në tregun e pensioneve vullnetare, duke folur për revistën Monitor shprehet se Shqipëria renditet e fundit në rajon përsa i përket vlerës mesatare të pensionit. Kjo vlerë përllogaritet në rreth 98 euro, ndërsa në Maqedoni ajo është 191 euro dhe në Bosnje rreht 179 Euro. “Ligji i ri nuk u ka dhënë zgjidhje një sërë problemesh që kanë të bëjnë me deficitin e lartë (rreth 1.7 % të PBB), shkallës së ulët të mbulimit apo faktit se gjenerohen kryesisht probleme minimale (65 % të numrit total”, shkruan Monitor, teksa thekson se “Shqipëria ka diferenca të mëdha sa i përket sistemit të pensioneve, si në vlerë mesatare ashtu edhe në shkallën e mbulimit”. E fundit, renditet edhe sa i përket shkallës së mbulimit që tregon vartësinë kontribues-përfitues e që është 1.2  me  1. Revista Monitor thekson se “probleme ka edhe me ritmet e rritjes së vlerës së pensionit ( mesatarisht 7-8%) çdo vit dhe numrit të kontribuesve ( 2-3%).” Nga viti 2005 deri në vitin 2013 deficiti mes të ardhurave nga kontributet dhe përfitimet është rritur me 160%. Ekspertët thonë se deficit vë në rrezik qëndrueshmërinë financiare të pensioneve dhe se këtij problemi, ligji i ri nuk i ka dhënë zgjidhje.

Skema për sistemin privat të detyruar në skemën e pensionit
Shqipëria po diskuton mundësinë për futjen e sistemit privat të detyruar në skemën e pensionit, për ta bazuar atë në tre kolona. Instituti i Sigurimeve Shoqërore, në mbledhjen e fundit të Këshillit Administrativ hodhi idenë e realizimit të një studimi që do të mund të hidhte dritë mbi mundësitë për të zbatuar sistemin e kursimit individual (privat), që mbështetet në konributet që paguan edhe vlerën e shtuar nga investimi i tyre. Kjo do të thotë që një pjesë e kontributit të sigurimeve shoqërore që në total sot llogaritet në 21.6% të mund të shkojë për këtë skemë. Vlera mund të jetë në rreth 3% sipas ndarjes rreth 1.6% të paguhet nga punëdhënësi dhe 1.4% për punëmarrësin. Këto mbeten ende hipoteza, megjithatë burime pranë Këshillit Administrativ thonë se, po shikohen mundësitë që në Shqipëri sistemi i pensioneve të bazohet në tri kolona (i detyruar shtetëror, i detyruar privat dhe vullnetar privat). Aktualisht vetëm në Shqipëri, Bosnje dhe Serbi, zbatohet sistemi shtetëror dhe ai vullnetar.
Ekspertët i bënë të ditura këto gjatë një trajnimi që Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare zhvilloi me përfaqësues të mediave për funksionimin e sistemit të pensioneve vullnetare. Sipas specialistëve të AMF-së, Këshilli i Ministrave ka aktualisht në dorë draftin e ri të amendimeve që pritet t’i bëhen projektligjit “Për fondet e pensioneve vullnetare” i miratuar në vitin 2009.
Ndryshimet (miratimi i të cilave është i vonuar) do të qartësojnë më shumë incentivat fiskale që kanë të bëjnë me taksimin e kontributit të paguar në sigurimet e pensioneve vullnetare. Shoqëritë që operojnë në këtë treg, që llogaritet në rreth 6 milionë euro, shprehen se ka pasur paqartësi në zbatimin e lehtësive fiskale. Sipas tyre, ka qenë një lapsus ajo që ka ndodhur deri tani me tatimin e përfitimeve. Me ndryshimet ligjore do të sanksionohet që të tatohet vetëm kontributi i derdhur dhe jo pjesa e përfitimit.
Ligji aktual njeh gjithashtu një vlerë tavan për lehtësitë fiskale që është 250,000 lekë dhe 25% të ardhura vjetore. Sipas shoqërive që operojnë në këtë segment është e nevojshme që të rishikohet ky nivel. Ndryshimet do të zbatohen edhe për një sërë elementësh të tjerë që do të synojnë nxitjen e zhvillimit të këtij tregu që konsiderohet modest, në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Për ekspertët e Bankës Botërore që udhëhoqën këtë trajnim shprehen se vendet e rajonit po konsolidojnë sistemet e pensioneve, duke qenë se janë përballë sfidës së plakjes së popullsisë. Gjithnjë e më shumë thonë ekspertët e Bankës Botërore, po ngushtohet hendeku gjinor sa i përket pensioneve. Ndërsa drejtuesi e e shoqërive shqiptare te pensioneve private vullnetare thonë se këto skema kanë një sërë avantazhesh, si: zbatojnë moshën më të hershme për daljen në pension, ofrojnë përfitime më të mëdha, pasi të kthehet edhe investimi i bërë në masën 2-5 herë më i lartë se kontributi i derdhur; nga ana tjetër ky kontribut është i trashëgueshëm. Në lidhje me sistemin aktual të pensioneve në Shqipëri, ata rendisin disa probleme si: deficitin e lartë të financimit që llogaritet në mbi 1.67% të PBB-së; shkallën e lartë të kontribues/përfitues në raportin 1.2-1; shkallën e ulët të zëvendësimit (pension –pagë) 32-35% kundrejt 75% që është norma ligjore; mosfunksionimi për një kohë të gjatë të sistemit privat të pensioneve; sistemi gjeneron kryesisht pensione minimale (65% e numrit total).

Artikulli paraprakFMN zbardh borxhet e reja, huatë e prapambetura të bashkive sa 0.6% e PBB-së
Artikulli tjetër“Foreign Policy News”: Ministrat e Ramës, pastrim parash dhe trafik droge