“Shqipëria e fortë”!

Trajneri i Spanjës, Julen Lopetegui i trembet jo pak Shqipërisë. Të dielën më 9 tetor kuqezinjtë e Gianni de Biasit do të përballen më përfaqësuesen La Roja në Shkodër për eliminatoret e Botërorit Rusi 2018. Pak ditë përpara kësaj sfide në një intervistë për gazetën katalanase “El Mundo Deportivo” trajneri i Spanjës thuri elozhe për kombëtaren shqiptare.
Fillimisht 1 herë kampionët e Botës do të sfidojnë Italinë në Torino, por ish-trajneri i Portës në intervistën e tij i kushtoi një vëmendje të veçantë edhe Shqipërisë. “Na presin dy ndeshje të rëndësishme. Nuk mund ta fsheh dot vështirësinë që paraqesin këto dy sfida për ne, sepse kalendari ka përcaktuar që t’i luajmë në transfertë. Për më tepër që do të kemi përballë dy skuadra shumë të mira. Për Italinë është e kotë të flas pasi e njohin të gjithë, por dua të them se Shqipëria është një ekip që po i bën shumë mirë gjërat. Ata morën pjesë në Europianin e fundit me meritë sepse lanë pas disa skuadra të forta në grupin e tyre kualifikues. Ishin të aftë të fitonin në Portugali dhe e vendosën shumë në vështirësi përfaqësusen luzitane në ndeshjen që u zhvillua në Shqipëri. I dimë të gjitha vështirësitë që na presin. Do të jenë dy ndeshje të rëndësishme dhe njëkohësisht shumë të forta”, deklaroi Julen Lopetegui për “El Mundo Deportivon”.
Spanja që do të prezantohet të enjten në “Juventus Stadium” për ndeshjen kundër Italisë, nuk do të ngjajë aspak me atë që pritet të zbresë në fushën e stadiumit “Loro Boriçi” të dielën në mbrëmje. Sipas të përditshmes “Marca” që analizon momentin e skuadrës La Roja dhe skemën që do të përdorë Lopetegui në këto dy sfida, ekipi iberik do të shfaqë dy fytyra në ndeshjet më të rëndësishme të fazës së parë. Për të kaluar skuadrën e Venturas, Lopetegui do ta bazojë lojën e tij nga krahët me dyshen Carvajal-Jordi Alba, ndërsa në sulm, balotazhi Morata-Diego Costa mbetet i hapur. Në këtë mënyrë, Spanja mund të forcojë krahët për të përfituar edhe nga pikat e dobëta të Italisë. Një tjetër risi mund të jetë rikthimi i Iniestas në mesfushë me ngjeshjen e skuadrës në këtë repart ku pritet të luajnë 5 lojtarë.
Ndryshe nga Italia, Spanja në Shqipëri mund të preferojë të zgjedhë Thiago Alcantaran në mesfushë, ndërsa në mbrojtje, Sergio Ramos e Pique janë dy emrat më të sigurt pasi në krah Lopetegui do të kërkojë gjithashtu zgjidhje të reja. Përsa i përket sulmit, në Shkodër, me shumë mundësi, iberikët do të kërkojnë të sulmojnë më shumë dhe ta mbyllin ndeshjen sa më shpejt prandaj ndryshe nga 4-5-1 i Italisë, 3 ditë më pas Lopetegui mund të prezantojë modulin 4-4-2 me dy qendërsulmues.

Artikulli paraprakZbulohet formacioni, ja si do luajë Shqipëria
Artikulli tjetërLazio përgatit rinovimin e Strakoshës