Shqipëria, me drogat më të lira dhe përdoruesit më të lartë në rajon

Ligji ekonomik i ofertës dhe kërkesës na dikton se kur në treg rritet oferta, çmimi për mallin (edhe pse i jashtëligjshëm) bie. Nga të dhënat që Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimet ka grumbulluar prej vendeve anëtare rezulton se, Shqipëria ka çmimet më të ulëta në rajon për sa i përket hashashit dhe kokainës, ndërsa ka prevalencën më të lartë të përdoruesve gjatë jetës.
Për pjesën më të madhe të ekspertëve kjo vjen për disa arsye në Shqipëri. Së pari, konsiderohemi vend origjine për kanabisin dhe vend transit për kokainën. Pjesa më e madhe e drogës synon që të kalojë në Europë, por një sasi mbetet në vend, duke rritur kështu ofertën dhe duke ulur çmimin.
Së dyti, fuqia blerëse në Shqipëri është e ulët dhe përdoruesit nuk kanë mundësi që të blejnë drogë të shtrenjtë. Ky faktor sipas ekspertëve ka sjellë edhe cilësinë shumë të dobët që qarkullon në vend.
Krahasuar me rajonin, Shqipëri ka prevalencën më të lartë të përdorimit gjatë jetës të kanabisit dhe të kokainës, veçanërisht për këtë të fundit prevalenca është dhe më e lartë në botë.
Sipas të dhënave të UNODC, ku mund të gjenden të dhënat e krahasueshme për të gjithë vendet e rajonit për çdo individ që ka provuar së paku një herë gjatë jetës kokainë.
Nga të dhënat e krahasueshme për vendet e rajonit për sa i përket kanabisit, renditemi të dytët pas Kroacisë për përdorimin gjatë jetës.
Ndërkohë, çmimet e ulëta rrezikojnë që ta kthejnë Shqipërinë në një destinacion për drogat e lira. Sipas raportit botëror për përdorimin e drogave, çmimet në tregun e zi të substancave ilegale janë shumë më të ulëta se mesatarja e rajonit, veçanërisht për kokainën.
Sipas të dhënave të grumbulluara nga UNODC, çmimi për një gramë kokainë në Shqipëri kushton mesatarisht 80 dollarë, ndërkohë që mesatarja e rajonit përllogaritet rreth 100 dollarë.
Edhe kanabisi kushton më lirë se në çdo vend tjetër të rajonit, përdoruesit mund të disponojnë një gramë marijuanë për vetëm 5 dollarë, ndërkohë që e njëjta sasi blihet në Malin e Zi për 26 dollarë.
Shqipëria rezulton të jetë vendi që gjeneron fitimet më të mëdha në botë nga trafiku i drogës në raport me GDP-në, në masën 2.6%. Kjo shifër është publikuar në raportin më të fundit të OKB-së për drogën. Dokumenti thekson se fitimi në raport me GDP-në në Shqipëri dhe vende të tjera, si për shembull në Bullgari e Iran është më i lartë në krahasim me shtetet e tjera të zhvilluara, si për shembull Italia, Gjermania, Anglia e Franca që janë tregjet kryesore të konsumit të drogave në Europë.
Nëse merret parasysh se Produkti i Brendshëm Bruto i Shqipërisë është rreth 13 miliardë dollarë, referuar shifrave të Ministrisë së Financave, atëherë fitimi nga trafiku i drogës që hyn në Shqipëri përllogaritet në 340 milionë dollarë. Kjo përllogaritet të jetë shuma vjetore e valutës që hyn në Shqipëri çdo vit dhe që pastrohet përmes mekanizmave të ndryshme.

Artikulli paraprakBasha: Tre kushtet për reformën zgjedhore, problemi është Rama
Artikulli tjetërRama kërkon ulje taksash për më të pasurit e më të pasurve