Shqipëria dhe skenari grek i borxhit publik

Ilir KADUKU

Gjeniu Ajnshtajn dikur ka thënë: “Marrëzia është të bësh gjithmonë të njëjtën gjë dhe të presësh rezultate të ndryshme”.. Çdo shqiptar i ndershëm duhet të kuptojë, se jemi të gjithpërfshirë në luftën për ekzistencë midis Kombit real dhe Anti – Kombit të përfaqësuar nga korrupsioni shtetëror i klikës në pushtet. Në shumë prononcime mediatike jam munduar të pasqyroj majat e ajsbergut të sëmundjes endemike që ka mbërthyer shoqërinë shqiptare: korrupsionin galopant. Në këto hulumtime mediatike, jam betuar për vazhdimin pa kompromis të luftës ndaj korrupsionit shtetëror, qoftë ky edhe me pamje “elegante” dhe “shkencore”. Shpesh herë në media, i nxitur nga përgjegjësia qytetare, kam shtruar një pyetje: a është Shqipëria e shqiptarëve apo e … ? Nxitem në trajtimin e kësaj pyetje, bazuar në politikën antikombëtare të “dyerve të shqyera” aplikuar me mjaft virtuozitet në periudhën e tranzicionit shqiptar. Në “traktet” inkandeshente të Ministrisë së Financave, evidentohet si “arritje” e sistemit financiar, lufta për uljen e borxhit publik. Pyetja ime shtrohet në rrafshin teorik: nëse është efikase pozicionimi i sistemit financiar shqiptar në ekuivalencë me atë të Greqisë së viteve të fundit, apo me sistemin klasik të Qipros? Ka ardhur momenti që të konkludohet nëse një politikë e tillë diskriminuese e tipit të “Kalit të Trojes” në financa, i shërben fuqizimit të ekonomisë kombëtare dhe konkurrimit efikas në tregun ndërkombëtar. Mendimi personal është se aplikimi në Shqipëri i politikës së “dyerve të shqyera”, do të ketë si pasojë pamundësinë e mbështetjes së zhvillimeve ekonomike në perspektivë nga sistemi financiar dhe bankar. Eshtë e pamoralshme të ideosh një sistem financiar nisur nga idea e mashtrimeve me anë të mekanizmave diabolike. Nuk po zgjatem mbi këtë temë të cilën e kam trajtuar në disa artikuj të ndryshëm. Eshtë fjala për diabolikën e përdorur në funksionimin e mekanizmave bankare, si: GDP, borxh publik, inflacion, norma interesi, marrëveshja REPO, Bono Thesari, borxh publik, për “luftën” heroike të lekut ndaj dollarit dhe euros, etj. E rëndësishme është të kuptohet se pozicionimi në këto raporte diskriminuese, ka lidhje me politikën e perspektivës të Shqipërisë tonë.
Objekt i komentit është: a është e ndërgjegjshme, transparente dhe e pavarur në trajtimin e borxhit publik, Ministria e Financave si autoriteti ekskluziv i politikës financiare në Shqipëri? Bëhet fjalë për një teori të mirëfilltë politiko-ekonomike: për ndërhyrjen e politikës në ekonomi. Shqiptarët ndodhen aktualisht para një situate të tillë: një bandë kriminale që është në krye të vendit është veshur me pushtet për hatër të mëkateve dhe përballë tyre intelektualët, idealistët, profesionistët, të pafajshmit dhe shqiptarët e mirë. Edhe pse ngadonjëherë kemi nevojë të flasim që ta shprehim atë që gjendet brenda nesh, shumë shpejt heshtim nga fakti se e kemi një parandjenjë se ata që na dëgjojnë nuk do të na kuptojnë. Shqiptarët nuk po u besojnë veshëve dhe syve se çfarë dëgjuan dhe panë nga shfaqjet e fushatës 2013 dhe po përjetojnë nga veprat dhe praktikat në fund të 2016. Pikërisht për këtë rast, përballë padronizimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve nga mëkatarët Rama – Meta na vjen në mendje dhe na ndihmon fjala e një shkrimtari të madh, Viktor Hygo, kur thoshte se, “kur diktatura është fakt, revolucioni është detyrë”. Ndoshta ka ardhur ora e së vërtetës për popullin viktimë të padronizimit.
Problemi i përballimit të borxhit publik është një prej tematikave aktuale me të debatuara, e cila ndryshe nga tematika të karakterit të përgjithshëm politik, ekonomik e social kërkon një përgjigje të menjëhershme brenda një kohe relativisht të shkurtër. “Borxhi, kur orientohet apo menaxhohet nga objektiva të qartë ekonomikë, socialë e politikë, është një instrument kyç makroekonomik, por të gjithë jemi dëshmitarë të një konteksti shumë të ndryshëm të borxhit publik … atë që zgjeron në vend që të ngushtojë pabarazinë sociale”. Me këto fjalë do ta hapte Konferencën e 10-të të UNCTAD (nëntor 2016) mbi “Menaxhimin e Borxhit Publik”,  z. Majkëll D. Higgins, President i Republikës së Irlandës. Duke sjellë eksperiencën e dhimbshme, por të suksesshme të Irlandës në kapërcimin e krizës në menaxhimin e borxhit të saj publik, Higgins do të katalizonte një debat të gjerë mes pjesëmarrësve, kur u shpreh se: “Brenda një modeli të ngushtë ekonomik, ku vetë shteti perceptohet si problematik dhe ku rritja e qëndrueshme ekonomike po bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u mbarëvajtur, borxhi kthehet në një mekanizëm që maskon politikat e dështuara fiskale dhe strukturore, duke realizuar të ashtuquajturin kapitalizëm pa demokraci”. Të vetmet kufizime janë përcaktuar nga Traktati i Maastricht-it dhe nga Pakti i Stabilitetit, të cilat “detyrojnë” qeveritë e shteteve europiane të ruajnë një nivel të caktuar të borxhit publik (deri në masën 60% të GDP-së).
Po Shqipëria? Niveli i borxhit publik shqiptar aktualisht luhatet tek 73.4 % i GDP-së. Atëherë pse vallë duhet të preokupohemi? A jemi brenda standardeve dhe limiteve të përcaktuara nga ekonomistët dhe partnerët ndërkombëtarë! A mund të rritet borxhi i Shqipërisë deri në masën 100% të GDP-së pa shkaktuar falimentimin (default) të shtetit tonë?! Shqipëria ka nivelin e borxhit më të lartë në Ballkan dhe ekspertët e FMN-së rekomandojnë që vendet në zhvillim të ruajnë një nivel borxhi nën masën 40% të GDP-së, duke konsideruar që niveli i stoku-t të borxhit është vetëm një prej problemeve! Parametrat e tjerë thelbësorë të kësaj analize janë: rritja ekonomike, norma e interesit mbi borxhin publik, defiçiti i buxhetit, kursi i këmbimit valutor, etj. Rritja e nivelit të borxhit publik dhe përkeqësimi i parametrave të cituara më lart mund të alternojë ekuilibrin e financave publike dhe të degjenerojë në atë që quhet: kriza e borxhit publik. Për krizat e borxhit ekziston një literaturë e gjerë ekonomike, por mbi të gjitha ekzistojnë precedentë dhe fakte të disa prej krizave dhe falimentimeve më të bujshme të historisë (rasti ekstrem ai i Argjentinës në 2001, por dhe rasti aktual i Greqisë)!
Për të evituar situata të tilla dramatike, që në rastin e Shqipërisë do të kishte efekte të paimagjinueshme, thelbësor mbetet roli i menaxhimit të financave publike. Ekonomia e brishtë shqiptare mbahet mbi ekuilibra të dobëta dhe fati i asaj është i lidhur fort me vendet që e rrethojnë. Kriza ekonomike dhe financiare që ka mbërthyer Italinë dhe Greqinë nuk mund të mos kondicionojë shëndetin e ekonomisë sonë. Parashikimet e rritjes ekonomike të kryera nga FMN-ja dhe nga autoritetet shqiptare janë kontradiktore. Qeveria shqiptare parashikon një rritje ekonomike që është pothuajse dyfishi i parashikimive të FMN-së. Personalisht shpresoj që, parashikimet e autoriteteve tona janë plotësisht të parealizueshme, sepse problemi i optimizmit (kredibilitetit) të institucioneve dhe i informacioneve që ato publikojnë mbeten akoma handikapi i një propagande sterile, e cila nuk e ndihmon aspak pozicionin e Shqipërisë. Më tepër rritje ekonomike (gjë e cila mbetet totalisht e paperceptueshme për portofolin e pjesës më të madhe të shqiptarëve) do të thotë më tepër prodhim, më shumë investime, më shumë punësim dhe natyrisht më shumë të ardhura për Arkën e Shtetit. Rritja e të ardhurave të Buxhetit të Shtetit duhet të shërbejë për uljen e nivelit të borxhit, por kjo gjë është e pamundur aktualisht (dhe do vazhdojë të mbetet e tillë), sepse qeveria shqiptare shpenzon më tepër sesa arrin të mbledhë nëpërmjet taksave dhe tatimeve. Sensi i patriotizmit i çdo qytetari shqiptar do të pranonte padyshim koston e borxhit publik në qoftë se me këto të fundit do të ishin realizuar projekte strategjike që do të mbeteshin në funksion të zhvillimit dhe të rritjes ekonomike në të ardhmen. Por, kur Kontrolli i Lartë i Shtetit çertifikon “avullimin” e miliona eurove nga të ashtuquajtura “koncesione”, çdonjëri prej nesh duhet të dalë para pasqyrës dhe të pyesë veten, nëse është e mundur që patriotizmi të ketë një kosto kaq të lartë dhe në interes të kujt? Për të qartësuar këto mekanizma perverse, analiza duhet të fokusohet tek politikat fiskale të qeverisë, keqadministrimin e të ardhurave, cilësinë dhe efiçencën e shpenzimeve publike, korrupsionin etj. Por, për të mos u thelluar më tepër në labirintet e errëta të keqqeverisjes dhe shpërdorimeve publike, preferoj të vazhdoj me problemet e borxhit tonë. Por në qoftë se manovra e rifinancimit vazhdon për një kohë të gjatë, kjo mund të shkaktojë atë që në gjuhën e financës quhet “Skema e Ponzit”, fenomen që ne shqiptarët e njohim (fatkeqësisht) më mirë me termin “Skemë Piramidale”. Vetëm se në këtë rast skemën piramidale nuk e krijojnë dhe menaxhojnë individë matrapazë, por institucionet publike.
Kriza e borxhit grek e ka origjinën e vet tek tendenca e qeverive të mëparshme për të shpenzuar përtej mundësive të veta me objektivin, për të krijuar një konsensus sa më të gjerë social (dhe sidomos elektoral), duke shtuar iluzionin e një mirëqenieje kolektive të suportuar nga roli i institucioneve publike. Mund të citoj një rast të vetëm: numri i nëpunësve publikë është rritur nga 320 000 në 1981 në 780 000 në 2013 (pra mbi 200%), ndërsa numri i popullsisë në të njëjtën periudhë është rritur me 16%. Kjo e shumëzuar me inefiçencën e administratës publike, me evazionin fiskal, me deficitin e sistemit të pensioneve, korrupsionin, etj., janë aktorët kryesorë të “tragjedisë greke”. Dhe padyshim që arkitekturës abstrakte të fqinjit grek, sektori publik shqiptar nuk i ka lënë asgjë mangut. Por paradokset greke mund t’i shohim dhe në shtëpinë tonë: deri para disa muajsh qeveria helene i ofronte pension (asistencë) rreth 3500 minoritarëve që jetojnë në Shqiperi (thjesht prej faktit të të qenurit minoritarë), pavarësisht se pjesa më e madhe e këtyre të fundit nuk ka derdhur asnjëhere kontribute në arkat e shtetit grek. Në këto rrethana, ekonomia jonë nuk gëzon asnjë lloj imuniteti për arsye që të gjithë i dimë. Por sa i kushton realisht kriza greke Shqipërisë? Askush nuk mund ta përllogarisë, por ajo që dihet është që në Greqi jetojnë dhe punojnë rreth 600 000 emigrantë, një pjesë e të cilëve të gjendur në kushte papunësie do të preferojnë të kthehen në atdhe, duke thelluar më tepër nivelin e brendshëm të papunësisë. Ata që sakrifikuan një pjesë të jetës së tyre në emigrim, duke i dhënë një kontribut të rëndësishëm ekonomik vendit, do të fillojnë të pretendojnë diçka nga atdheu i tyre. Ulja e remitancave, e eksporteve drejt Greqisë dhe shtrëngimi i nivelit të kredisë (credit crunch) nga ana e bankave me kapitale greke në Shqipëri do e bëjnë të paevitueshme radikalizimin e krizës. Duke mbetur tek tema e borxhit, në qoftë se në Shqipëri verifikohet i njëjti skenar, efektet do jenë akoma më të rënda. Ajo çfarë ka qenë në favor (apo disfavor) të Greqisë ka qenë monedha e përbashkët, pra euro, dhe roli i ndihmave substanciale të akorduara nga Trojka (BE, Banka Qëndrore Europiane dhe FMN-ja), të cilat i kanë dhënë oksigjen financave publike greke në tentativën për të frenuar fundosjen e euros dhe të eurozonës. Por duhet theksuar se një arsye tjetër primare është ekspozimi i bankave franceze dhe gjermane të cilat, duke pasur në portofolin e tyre sasi të konsiderueshme bonde-sh greke, do të kishin humbje konsistente në rast falimentimi të shtetit grek apo të ristrukturimit të borxhit të saj.
Në këtë prizëm, mbase Shqipërisë do t’i mungonte mbështetja e shteteve dhe institucioneve europiane, por do të gjente “mbështetjen” e FMN-së e cila, në situata të tilla, vështirë se mund të aplikojë etikën e një shoqate filantropike. Kuptohet që propozimi i parë që FMN-ja i ka paraqitur qeverisë shqiptare është privatizimi i pronave publike dhe aseteve strategjike (gjithmonë në qoftë se shtetit tonë i ka mbetur akoma diçka e tillë) dhe më pas realizimin e reformave strukturore të domosdoshme për vendin. Reforma strukturore që do të përktheheshin në heqje nga puna të një pjese të personelit të administratës publike apo reduktimin e rrogave të tyre, rritjen e taksave dhe tatimeve, reduktimin e shpenzimeve kapitale etj., gjë e cila do të godiste jo vetëm qytetarët e thjeshtë dhe biznesin, por do të krijonte pakënaqësi dhe tek militantët politikë dhe partiakë, që tek administrata fitojnë “bukën e gojës” si shpërblim të sakrificave elektorale. Nga teoria ekonomike ekziston mundësia e përdorimit të një kredie financiare në formen “Bailout”. Në terminologjinë ekonomike “Bailout”- i nënkupton një borxh që i jepet një kompanie apo vendi, kur ato përballen me vështirësi serioze financiare. Ai shihet, kështu si një rrugë minimizimi, si shmangie e dështimit socio-ekonomik. Por “Bailout-i” shfrytëzohet edhe për një entitet në prag dështimi në mënyrë që ai të falimentojë pa shpërhapje infeksioni apo virusi. Pra ai është një akt mbulese, asistence e mbështetje financiare për ekonominë e një biznesi apo vendi për ta shpëtuar atë apo shmangur kolapsin e saj. I tillë ishte p.sh rasti i ekonomisë greke. Procesit të bailout-it iu nënshtrua ekonomia greke që prej disa vitesh. Ndër problemet e saj kanë qenë paaftësia për të garuar, për të qenë konkuruese në tregun botëror, sidomos kur si monedhë e saj u bë Euro. Edhe shkalla e korrupsionit dhe e evazionit fiskal ishte tepër e lartë. Në këto kushte, edhe FMN i mbështeti masat e ashpra gjermane për politikën qeverisëse në Greqi, edhe pse këto masa e rritën si shkallën e pakënaqësisë popullore ndaj politikës ashtu edhe nivelin e papunësisë. Ajo, bile u kërkoi vendeve të eurozonës faljen e borxheve greke. Po aq i rëndësishëm është edhe stabiliteti qeverisës pas zgjedhjeve të fundit, aq sa trysnia e dikurshme për daljen e Greqisë nga zona euro duket krejt e harruar. Veçse kosotoja sociale e kërkesave të egra të kreditorëve ka qenë shumë e lartë. Mbi të gjitha, ajo që vuajti ka qenë shtresa e varfër, jo pasanikët, që u janë shmangur taksave. Për më tepër, ka rënë shumë standardi i jetës, papunësia ka kapërcyer nivelin e 25% dhe vetë ekonomia greke është tkurrur me 25% në krahasim me atë të para krizës. Tashmë, një shtrëngim tjetër financiar duket i vështirë, aq sa Kryeministri Samaras u detyrua të pohojë se “Në majë të një mali nuk mund të ngjitesh në mënyrë vertikale”.
Por, a ishte i vlefshëm ky axhustim? Në shumë drejtime, po. Por ama duhet akoma punë për të rindërtuar konkurencën, për të zbatuar legjislacionin e ri të sapomiratuar, apo për të ecur më shpejt në privatizimin e aseteve shtetërore (sidomos duke hequr dorë nga patronazhi i skajshëm i punësimit në sektorin publik), për të rritur investimet e huaja dhe nxitur investimet private, përfshirë dhe bankat e rikapitalizuara në sajë të mbështetjes prej 50 miliardë dollarësh të trojkës së kreditorëve (FMN e Banka Qendrore Europiane, BQE). Edhe opinion publik, sot është bërë më i ndërgjegjshëm për efektivitetin e reformave dhe luftën kundër korrupsionit, madje duket se shumica e qytetarëve tani e mbështet ndryshimin, edhe pse të ardhurat personale të tyre kanë rënë në mesatare me afro 30%. Personalisht mendoj se e ardhmja e stabilitetit ekonomik në Shqipëri është rasti tipik i Qipros. Në Qipro, ndërveprimi i detyruar i qeverise me BE, e FMN ka provokuar një zemërim të madh në popull. Aty përpjekjet ndërkombëtare për bailout-in e ekonomisë, veçanërisht për shmangien e kolapsit të sektorit banker, janë vënë në dyshim pas hedhjes poshtë prej Parlamentit të legjislacionit përkatës. Në fakt me 25 mars 2013 u shpall një bailout prej 10 miliardë euro të trojkës FMN, BE dhe BQE, me detyrimin e Qipros për mbylljen e bankës së dytë më të madhe-Bankës Popullore. Ndërkohë, edhe depozituesit qipriotë duhej të binin dakord me pjesën e mbulimit të depozitave, madje depozitat mbi 100000 euro u pagëzuan “bail”-in për të dalluar këtë veprim nga bailout-i. Krahas mbylljes së kësaj banke, ristrukturimit të bankave të tjera, duhet të merreshin masa të tjera shtrënguese si rritja e taksave dhe përshpejtimi i privatizimit në sektorin publik. Në kuadër të këtij bailout-i, ligjvënësit kishin si detyrë që të miratonin një ligj për privatizimin e firmave shtetërore, por ky proces u bllokua nga vota në Parlament (me 25 vota pro, 25 kundër e 5 abstenime). Kjo edhe pse sistemi politik i Qipros është presidencial. Sidoqoftë, roli i Parlamentit bëhet i rëndësishëm kur flitet përçë problematike e kontradiktore, aq më tepër që ky votim u zhvillua në kohën kur një turmë e madhe njerëzish po protestonin jashtë godinës së Parlamentit. Për ta kapërcyer këtë situatë kërkohet një amendament për projektligjin e mësipërm në pasqyrim të kërkesave të të punësuarve pas privatizimit. Në këtë proces Qiproja duhet të privatizojë portet, kompanitë e telefonisë dhe energjisë etj., për të bërë të mundur pagimin e borxhit në vitin 2018. Prandaj një votë “Jo” e shton rrezikun e futjes së ishullit në një turbullirë fiskale. Ndërsa miratimi i ligjit e bën të mundur marrjen e ndihmës prej 236 milionë eurosh, vetë pompimin ekonomik tamam në kohën kur duket se gjërat po stabilizohen dhe ekonomia po e rimerr veten.
A ka tipare bailout-i kredia për Shqipërinë? Deri diku. Qeveria shqipatre që me nisjen e veprimtarisë në shtator 2013, nisi negociatat me FMN, BB dhe BE, për gjetjen e një kreditimi prej afro 1 miliard dollarësh për të mbuluar deficitin buxhetor dhe  mbi të gjitha për të shlyer detyrimet e papaguara ndaj biznesit. Pas këtyre përpjekjeve, e para ka qenë FMN për t’i dhënë Shqipërisë një borxh prej afro 331 milionë eurosh për rimëkëmbjen ekonomike dhe përballjen e borxhit publik (që mund të arrijë vlerën e 74.8% të PBB). E gjitha kjo, e kushtëzuar dhe nga një seri rregullimesh strukturore e reformash fiskale, ndër të cilat tipike janë edhe rritja e taksave dhe ulja e shpenzimeve. Por nuk është e qartë nëse këto masa do të bëhen po aq të egra si në rastin e “bailout”-it grek, sepse sipas ministrit shqiptar të Financave “ato nuk do të prekin pagat në sektorin publik, madje duke rritur pak pensionet”. Sipas FMN ekonomia shqipare pritet të ketë disa përmirësime si rezultat i pakësimit të planifikuar të rreziqeve fiskale, shlyerjes së detyrimeve të prapambetura të qeverisë ndaj biznesit dhe vazhdimit të reformave strukturore. Në këtë kuadër, kredia e saj do të ndihmojë Shqipërinë të përmbushë nevojat e veta për financim të jashtëm paralelisht do të sigurojë mbështetjen e nevojshme për të forcuar qëndrueshmërinë e borxhit publik, duke e futur ekonominë e një trajektore të qëndrueshme rritjeje. Një çështje më vete mbetet dhe ajo e euro-bondeve të saj. Parë në total, rreziqet akoma mbeten të larta dhe nevojat për financimin e borxhit të mëdha. Megjithatë kjo marrëveshje do ta ndihmojë Shqipërinë që të plotësojë detyrimet e saj të jashtme financiare, duke ofruar nga ana tjetër mbështetjen e nevojshme për të forcuar politikat e brendshme fiskale. Në mënyrë të veçantë ristrukturimi financiar duhet të synojë uljen e borxhit publik, madje arritja e këtij objektivi kërkon marrjen e masave të forta në politikën e taksave dhe atë të shpenzimeve. Mbase avantazhi (disavantazhi) i Shqipërisë në këtë apekt është roli autonom i Bankës Qëndrore, e cila mund të manovrojë me normën e interesit apo dhe të stampojë kartmonedha. Në qoftë se do të verifikohej ky fenomen, leku ynë do të zhvlerësohej në mënyrë të natyrshme (në këtë rast, Banka Qëndrore do të vepronte kundër objektivit të saj primar që është ruajtja e inflacionit), por duke qenë se Shqipëria ka një deficit tregtar të theksuar, kjo do të kishte efekte të paimagjinueshme tek konsumatorët. Pra, zhvlerësimi i lekut do të shoqërohej me rritjen e inflacionit, e cila do të godiste shtresat më të varfëra të popullsisë, por dhe me rritjen, gjithashtu, të vlerës nominale të borxhit të jashtëm, duke rritur kostot e tij. Përvojat ndërkombëtare tregojnë se, niveli i borxhit publik është kaq shumë i ndryshëm sa duket sikur minon teoritë mbi borxhin dhe traktatet që përmendëm më sipër. Sipas mendimit tim, kufiri i borxhit publik varet deri në një farë mase nga aftësia e ekonomisë për të gjeneruar rritje ekonomike, si dhe nga destinacioni i borxhit, që do të thotë nëse përdorimi i tij është për qëllime produktive ose jo. Ajo që rrezikon stabilitetin ekonomik të një vendi, por edhe atë politik, është fakti kur stoku i borxhit rritet në atë masë, saqë kufizon kryerjen e funksioneve publike si mbajtjen e administratës, funksionin e mbrojtjes, rendit, arsimit, shëndetësisë etj., si rrjedhojë e pamundësisë së shlyerjes së kësteve dhe interesave periodike. Personalisht nuk do të shqetësohesha fare për nivelin e borxhit publik në masën aktuale, nëse ai është i destinuar për qëllime produktive, problemi i borxhit është masa dhe destinacioni i tij. Fiksimi në akte kushtetuese i nivelit të borxhit më duket jo i drejtë dhe i pamundur sido që mekanizma të tjerë mund të gjenden për të frenuar orekset e qeverive të radhës për marrjen e borxheve të mëdha, të cilat mund të kishin pasoja.
Nuk duhet harruar që këtë vit zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme politike dhe parashikohet siç e do tradita, një rritje e investimeve publike elektorale, e cila do të rriste deficitin e buxhetit të shtetit dhe si rrjedhim nivelin e borxhit. Roli i institucioneve kompetente duhet të jetë në funksion të interesave të përgjithshme të vendit dhe oportunizmi i politikanëve shqiptarë nuk duhet të përqendrohet vetëm tek privilegjet që u ofron kolltuku i rehatshëm, duke transferuar barrën e kriminalitetit pushtetor në kurriz të pasardhësve të tyre. Preferoj ta mbyll me një shprehje të kryeministrit të famshëm italian De Gasperi: “Politikanët mendojnë për zgjedhjet e ardhshme, burrat e shtetit për brezat e ardhshëm”. Dhe këta të fundit i nevojiten Shqipërisë më shumë se kurrë!

Artikulli paraprakKatër skenarët për Francën
Artikulli tjetërVdekja e dytë e heroit