Shpërthim me eksploziv në një banesë në Krujë, s’ka të lënduar

Një shpërthim me eksploziv është regjistruar gjatë natës në lagjen “Bakushe Visha”. Tritoli është hedhur në oborrin e banesës së shtetasit me inicialet G.A. Ndërsa janë shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale. Policia ka marrë në pyetje pronarët e banesës për konfliktet e mundshme që mund të kenë pasur kohët e fundit, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorit.
Zyrtarisht, Policia njofton se, salla e Komandimit Krujë është njoftuar se gjatë natës, në fshatin Halil, Fushë-Krujë është hedhur një sasi lënde plasëse në oborrin e banesës së shtetasit G.A. Janë shkaktuar dëme të vogla materiale, shtojnë të njëjtat burime, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorit.

Burime thanë se, nga hetimet paraprake, nuk rezulton që anëtarët e familjes të kenë ndonjë konflikt që mund të ketë sjellë në një hakmarrje të mundshme.
Ndërkohë, Policia sekuestroi 103 kg kanabis, një peshore elektronike, një armë gjahu tip çifte, 8 fishekë dhe një mjet tip “Benz” gjatë një aksioni, ndërsa ka arrestuar një person në Fushë-Krujë. Kanabisi ishte fshehur në 14 thasë në një banesë. I arrestuari është me inicialet V.P, ndërsa në kërkim janë shpallur edhe tre persona të tjerë me inicialet O.H, A.H dhe J.H, vjeç 31, 35 e 24 vjeç. Personat e shpallur në kërkim janë banorë në fshatin Fushë-Kuqe, Gurëz, Kurbin e fshatin Zall, Fushë-Krujë. Policia vijon operacionin për të arrestuar personat e tjerë, të cilët janë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Artikulli paraprakMaskat lidhin burrë e grua, grabisin makinën dhe një shumë parash
Artikulli tjetërBilanc lufte, 134 aksidente me 13 të vdekur dhe 162 të plagosur në janar